Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat e investitorëve të huaj nga investimi në Shqipëri për 6-mujorin 2025 arritën vlerën e 549 milionë eurove, në rënie me 0.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo shumë përfaqëson fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në Shqipëri për periudhën. Rënia e të ardhurave nga investimet u përcaktua nga tremujori i dytë i vitit, ndërkohë që tremujori i parë kishte shënuar sërish një rritje të vogël.
Në kahun e kundërt, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet (fitimet e subjekteve shqiptare nga investimet jashtë vendit) për gjysmën e parë të këtij viti ranë lehtë në 156 milionë euro, 2.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte përsëri negativ në vlerën e 394 milionë eurove, shumë kjo e njëjtë me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Duke qenë se investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit, edhe bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.
Në vitet e pas pandemisë, fitimet e investitorëve të huaj kanë ndjekur një tendencë në rritje. Kjo mund të shpjegohet me rimëkëmbjen e ekonomisë dhe ecurinë e mirë të aktivitetit ekonomik, por pjesërisht edhe me rritjen e normave të interesit, që ka ndikuar pozitivisht sidomos fitimet e institucioneve financiare me kapital të huaj.
Megjithatë, një pjesë e rritjes mund t’i atribuohet forcimit të Lekut në kursin e këmbimit me Euron, që ka rritur statistikisht fitimet të shprehur në monedhën europiane. Duke qenë se një pjesë e mirë e fitimeve nuk shpërndahen, por riinvestohen, forcimi i Lekut, në mënyrë të tërthortë, ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit. Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshën kryesore në strukturën e investimeve të huaja direkte.
Por, gjatë gjysmës së parë të vitit 2025 ecuria e normave të interesit dhe kursit të këmbimit kanë qenë më pak të favorshme. Normat e interesit kanë lëvizur në rënie, duke ndjekur politikat monetare të Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore Europiane. Ndërkohë, forcimi i Lekut në kursin e këmbimit është ngadalësuar ndjeshëm. Në fund të qershorit, rënia vjetore e kursit Euro-Lek u ngadalësua në 2.2%.
Këta faktorë, së bashku me ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe presionet e vazhdueshme për rritjen e pagave, duket se kanë sjellë një frenim të rritjes së fitimeve të investitorëve të huaj./Monitor
Komente
