Foto ilustruese

Opinion

Frika

16 Dhjetor 2018, 21:50| Përditesimi: 16 Dhjetor 2018, 21:56

  • Share

Nuk kishe frikë ta haje bukën që kishte brenda miza të ngordhura, spango thasësh, dhe pislliqe të tjera. Askush nuk kishte vdekur duke ngrënë bukë të tillë.
Nga frika e ilaçeve shpëtoje duke mos i gëlltitur. Oborret e spitaleve ishin plot me tablela dhe kapsula që pacientët i flaknin nga dritaret.
Por mund të kishe frikë nga dashuria. Për tu çliruar nga frika e dashurisë kishe dy mënyra; Duke mos u martuar, ose duke u bërë si gruaja.
Komshiu i katit të dytë ishte spiun. Le të ishte. Që spiuni të mos të spiunonte duhej ta siguroje se nuk kishe frikë, se në kokë nuk kishe lakra dhe në mendje nuk kishe helme.
Të kishe frikë mos të shkelte ndonjë makinë në rrugë, nuk bëhej fjalë. S'kishte as rrugë as makina.
Nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm që mezi çrisnin të na pushtonin, mund të mos kishe frikë po të kujtoje se ne bënim Zbor, ndërsa ata tigra prej letre s'kishin haber nga kalashnikovi, llozi, shuli, kundragazi.
Nuk kishe asnjë arësye të kishe frikë nga ndonjë sulm i befasishëm i NATO-s që mund të rrezikonte tejkalimin e planit, fitoret, mësimet, kurvin. Falë syçelësisë së popullit, fitoret dhe kurvin i ruante Sigurimi.
Ishte e kotë të kishe frikë se mund të internonin. Ta sillnin Skodën në çdo çast që tu tekej, pa të pyetur në kishe a s'kishe frikë.
Kishte gjithandej tabela "Ruhu nga qeni", "Ruhu nga treni" "Ruhu nga vinçi", çka do të thoshte se partia i kishte marrë të gjitha masat të mos kishe asnjë frikë nga kafshimi i qenit të kufirit, dalja nga shinat e trenit që ecte me 20 kilometra në orë, rrëzimi i gjithsej nja njëqint vinçave që ndërtonin veprat e pesëvjeçarëve.
Sa kohë gjarpër ose spiun ishin të gjithë, nuk kishe frikë as nga spiuni as nga gjarpëri. Për rrjedhim, tabelat "Ruhu nga spiuni" dhe "Ruhu nga gjarpëri" konsideroheshin të tepërta.
Surretërit i kishin; sekretari si të skuthit, komisari si të çakallit, komandanti si të zhapikut, shkrimtari si të kunadhes, poeti si të nëpërkës, kompozitori si të gaforres. S'kishe pse të kishe frikë nga ata surretës që nuk i kishin zgjedhur vetë por i kishte dënuar Zoti.
Llafet se Zërin e Amerikës mund ta dëgjoje me frikë, ishin gënjeshtra. Zërin e Amerikës e kishte zaptuar Sigurimi. Mund ta dëgjoje si të doje, haptaz, fshehtas, me frikë, pa frikë. Nëse dikush duhej të kishte frikë nga Zëri i Amerikës, ishin amerikanët të cilëve Sigurimi u ishte ulur tinëz në sofër.
Dukej sikur arratisja ishte e frikëshme. Arratisja nuk ishte e frikshme në asnjë kombinacion;
Po të arrije të hidheshe matanë, ata që do lije këtu do ti kalbnin nëpër baltra, por ty do të mbulonte gazi dhe hareja.
Po të sharronin mbi tela me kalashnikov, do vdisje në vend dhe nuk do kishe mundësi për të pasur frike.
Po të kapte ushtari ose qeni, do të fusnin në burg derisa të vdisje, ku për frikë dhe trimëri as mendja nuk do të shkonte.
Po ta kishe frikë partinë, marksizëm leninizmin, diktaturën e proletariatit, çka edhe mund të ndodhte, ishte shenjë e sigurtë se burgun e kisha hak. Prandaj, që të flije rehat, e mira ishte të mos i kishe frikë por ti adhuroje.
Meqënse qorrimin prej parakalimeve, shurdhimin prej duartrokitjeve, torollepsjen prej propagandës, i ndreqte mjekësia falas, prej tyre nuk kishe asnjë frikë.
Çmendja ishte problem, dhe mund të shkaktonte frikë. Por përderisa nuk dihej në cilin moment do ndodhte, frika nga çmendja ishte frikë e kotë.
Nuk kishe frikë nga rrufeja që nuk bie në hale.
Një rast frike disi i vështirë ishte frika nga humbja e ëndërrave, kështjellave brenda të cilave frika nuk mund të depërtonte. Që të mos kishe frikë nga ëndërrat, duhej ti vrisje. Vrasja e ëndërrave bëhej në dy mënyra. Duke pushkatuar gjumin ose duke therur zgjimin. Pra të vazhdoje të gjalloje duke ndejtur zgjuar natën e duke fjetur ditën. Çka ishte e panatyrshme dhe pas pak sillte vdekjen, që ishte më e ëmbël se frika nga humbja e ëndërrave me pasoja dramatike për breznitë e ardhëshme.
Derri, dosa, zhaba, qeni, bushtra, kërrmilli, keci, viçi, lopa, ishin paqësorë, bënin çdo mbrëmje xhiro në bulevardin Stalin. Prej tyre s'kishe asnjë frikë.
Ziliqarët sajonin shpifje dhe dërgonin nëpër komitete letra anonime për të të burgosur. Le të sajonin çfarë të donin. Nga burgu s'kishe frikë. Në burg ishe.

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?