Frika nga koronavirusi/ Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njofton armëpushimin në Jemen

9 Prill 2020, 04:03| Përditesimi: 9 Prill 2020, 04:07

  • Share

Një koalicion i udhëhequr nga Arabi Saudite që lufton forcat Houthi në Jemen ka deklaruar armëpushim, sipas zyrtarëve. Armëpushimi do të hyjë në fuqi të enjten në mbështetje të përpjekjeve të OKB për t'i dhënë fund luftës pesë-vjeçare, raporton BBC.

Koalicioni, i mbështetur nga fuqitë ushtarake perëndimore, ka luftuar kundër forcave Houthi të lidhura me Iranin që nga marsi 2015. Është e paqartë nëse forcat Houthi do të vëzhgojnë gjithashtu armëpushimin.

Muajin e kaluar Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres u bëri thirrje palëve në Jemen të pushojnë së luftuari dhe të rrisin përpjekjet kundër një shpërthimi të mundshëm të koronavirusit.

Ai u shpreh se palët duhet të punojnë me të dërguarin e tij të veçantë Martin Griffiths për të arritur një deskalim mbarëkombëtar.

Përmes një deklarate, Griffiths tha dje se e mirëpret lajmin e një armëpushimit dhe se: "Palët tani duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të pushojnë menjëherë të gjitha armiqësitë me urgjencën maksimale."

Të dy palët pritet të marrin pjesë në një video-konferencë për të diskutuar armëpushimin. Propozimi kërkon ndalimin e të gjitha sulmeve ajrore, tokësore dhe detare.

Forcat e koalicionit u shprehën se: "Me rastin e suksesit të përpjekjeve të të dërguarit të OKB në Jemen dhe për të lehtësuar vuajtjet e vëllezërve jemenas do të punojmë për të përballuar pandeminë e koronës dhe për të parandaluar përhapjen e saj. Koalicioni njofton një armëpushim gjithëpërfshirës për një periudhë prej dy javësh, duke filluar nga e enjtja".

Situata në Jemen është përshkruar prej kohësh si kriza më e keqe humanitare në botë. Lufta ka kushtuar shumë jetë civile dhe e la vendin në prag të kolapsit. OKB ka ndërmjetësuar bisedimet në të kaluarën, por kjo do të jetë e para herë që koalicioni ka shpallur një armëpushim mbarëkombëtar.

Mohamed Abdulsalam, zëdhënësi i lëvizjes Houthi tha që grupi i tij i kishte paraqitur një vizion OKB-së, e cila përfshin përfundimin e luftës dhe "bllokadën" e Jemenit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?