Edhe pse Shqipëria është një vend me risk të vogël për t’u prekur nga virusi kinez, prej disa ditësh në aeroportin e Rinasit janë marrë të gjitha masat për të identifikuar personat që vijnë nga vendet aziatike, e që mund të jenë infektuar nga ky virus.
Kinezët, turistë të huaj por edhe shqiptarë, menjëherë sapo mbërrijnë në aeroportin e Rinasit e paraqiten pranë punonjësve të policisë të kufirit dhe migracionit, këta të fundit i pyesin nga vendi i origjinës që ata vijnë e jo nga aeroporti që nisen.
Më pas, ata dërgohen pranë ambienteve të posaçme të ngritura në aeroport, ku i nënshtrohen kontrollit nga mjekët. Një nga mjetet e përdorura është edhe termometri me lazer, i cili mat temperaturën në distancë. Po ashtu, mësohet se personat që vijnë tranzit nga vendet aziatike, i nënshtrohen kontrollit në aeroportin nga ata nisen.
Ndërkohë që dje ministria e Shëndetësisë njoftoi dje marrjen e masave paraprake duke vendosur në zbatim planet e emergjencës, por theksoi se nuk ka rrezik.