Selia e PD-së dhe selia e LSI-së

Frikë nga drejtësia? Freedom House: PD dhe LSI sulmuan SHBA dhe BE sepse mbështesin organet që po hetojnë zyrtarë të lartë

20 Prill 2022, 15:29| Përditesimi: 20 Prill 2022, 15:36

  • Share

“Vitet e fundit dhe veçanërisht gjatë vitit 2021, fraksione brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike, e kanë shtuar retorikën e tyre të ashpër kundër SHBA-së dhe BE-së, duke pretenduar se ato po ndërhyjnë në sovranitetin dhe punët e brendshme të vendit”. 

Kështu shkruan organizata Freedom House në raportin e fundit “Nations in Transit 2022”, teksa thekson se ky sulm i partive opozitare mbi aleatët e Shqipërisë e ka një arsye.

Sipas Freedom House, arsyeja e sulmeve gjendet te mbështetja që SHBA e BE i kanë dhënë pa kushte reformës dhe organeve të reja të drejtësisë, organe që po hetojnë zyrtarë të nivelit të lartë.

“Kjo retorikë mosmiratimi ndaj SHBA-së dhe BE-së lidhet me investimin e huaj e të rëndësishëm politik dhe financiar në organet e ndryshme të reja të zbatimit të ligjit dhe në procesin e verifikimit të sistemit të drejtësisë, i cili ka krijuar pritshmëri të larta për hetime për abuzim me pushtetin dhe korrupsion nga zyrtarë aktualë e të mëparshëm”, shkruan Freedom House.

Organizata përmend dënimin me dy vjet burg të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla për fshehje pasurie dhe shpërdorim detyre, teksa i referohet rezultateve të organeve të reja të drejtësisë.
Freedom House përmend qëndrimet e presidentit në prag të zgjedhjeve parlamentare, duke shtuar se “Presidenti Ilir Meta bëri fushatë të hapur kundër Partisë Socialiste në pushtet dhe u bëri thirrje qytetarëve, që të përdorin dhunë, nëse vota e tyre cënohej".

Pas këtyre komenteve, shkruan Freedom House, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bënë thirrje udhëheqësve politikë të vendit që të "përmbahen" e "të refuzojnë qartë dhunën".

SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?