Adi Kurti është futbollisti dhe kapiteni i kombëtares U-16 që ra më shumë në sy në ndeshjen kundër Perusë të zhvilluar së fundmi. Kuqezinjtë fituan me rezultatin 3-0, por në Peru hodhën dyshime se Kurti është më i madh në moshë për shkak të gjatësisë jo edhe aq normale.
“Jam 1.94 centimetra. Kam lindur më 17 janar 2006, por gjatësia nuk ka të bëjë në futboll,”-u shpreh Adi Kurti, futbollist i kombëtares U-16.
Së bashku me kombëtaren U-16 Kurti fitoi të tre ndeshjet e një turneu të zhvilluar në Shqipëri ku morën pjesë Peruja, Luksemburgu dhe Irlanda e Veriut.
“Ekipi, futbollistët, presorët dhe stafi i vlerësuan ndeshjet sepse ishte një turne që na bënte mirë ne. Duhet të rriteshim si kombëtare. Treguam vlerat dhe përse mos ta fitonim?! Në fund u gëzuam të gjithë bashkë, me gjithë prindërit,”-deklaroi Adi Kurti, futbollist i kombëtares U-16.
Në nivel ekipesh 16-vjeçari 1.94 i gjatë bën pjesë e FC Pepës në Elbasan, por për të ardhmen synimet i ka të qarta.
“Në kombëtaren e madhe idhulli im është Berat Gjimshiti sepse adhuroj punën e tij që po bën me kombëtaren, ndërsa në Europë idhulli im është Giorgio Chiellini. Më pëlqen stili i tij, ndërkohë që jam edhe fans i futbollit italian,”-tha Adi Kurti, futbollist i kombëtares U-16.
Kurti ëndërron që një ditë të bashkohet me Juventusin, ndërsa lakmon shumë edhe Premier League atje ku fiziku i tij është mëse i përshtatshëm.