Sociale

Fronëzimi i Mitropolitit të ri të Korçës, Hirësia e Tij Anastasi: Jam këtu për të shkruar një kapitull të ri në librin e gjatë të besimit dhe të dashurisë

27 Shtator, 13:09| Përditesimi: 27 Shtator, 16:16

  • Share

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë u mbajt sot ceremonia solemne e Fronëzimit të Mitropolitit të ri të Korçës, Hirësisë së Tij Anastasit. Në këtë ngjarje madhore për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë morën pjesë Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani, anëtarët e Sinodit të Shenjtë, klerikë e besimtarë të shumtë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryepiskopi Joani e cilësoi këtë ditë si “një ditë të madhe gëzimi dhe bekimi” për Mitropolinë e Korçës dhe për gjithë Kishën Orthodhokse. Ai kujtoi me mirënjohje punën e jashtëzakonshme të bërë nga pararendësit për ringritjen e Kishës pas viteve të vështira dhe vlerësoi zgjedhjen e Hirësisë së Tij Anastasit si një shembull të përkushtimit dhe thirrjes shpirtërore.

“Vendimi yt për të lënë karrierën bankare dhe për t’iu përkushtuar Kishës dëshmon se Krishti vazhdon të thërrasë njerëz edhe në shekullin XXI, dhe se ka ende burra të guximshëm që i përgjigjen kësaj thirrjeje”, theksoi Kryepiskopi Joani.

Nga ana e tij, Mitropoliti i ri Anastasi falënderoi Sinodin e Shenjtë dhe besimtarët për mbështetjen dhe shprehu përkushtimin për të vijuar veprën e nisur nga paraardhësit.

“Nuk vij mes jush si i huaj, por si një vëlla në Krishtin, i lidhur me dashurinë dhe shenjtërinë e etërve. Jam këtu për të shkruar një kapitull të ri në librin e gjatë të besimit dhe të dashurisë që kjo Mitropoli e ka gdhendur në jetën e popullit tonë”, u shpreh ai në fjalën e tij.

Hirësia e Tij Anastasi, i lindur në Vlorë në vitin 1979, ka një formim të gjerë akademik dhe shpirtëror. Pasi ka ndjekur studime në Athinë dhe në Universitetin e Vlorës, ai ka mbajtur pozicione drejtuese në institucione arsimore e shoqërore të Kishës. Përkushtimi i tij në shërbesën kishtare ka qenë i pandërprerë, duke u ngritur gradualisht nga diakon në prift dhe arkimandrit deri në fronin e Mitropolitit të Korçës.

Hirësia e Tij Anastasi u zgjodh Mitropolit i Korçës më 16 shtator 2025 nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Joanit.

Në këtë ditë historike, besimtarët dhe klerikët e Mitropolisë së Korçës e pritën me gëzim dhe shpresë Mitropolitin e ri, duke i uruar jetë të gjatë e shërbesë të frytshme në vreshtin e Zotit.

Xh.K/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?