Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump

Opinion

Frrok Çupi: Bota u bë e keqe, por jo më e keqe

3 Mars, 17:24| Përditesimi: 3 Mars, 17:26

  • Share

Sapo shkon mendja te pamja ‘e keqe apo më e keqe’, përpara të del takimi i tmerrshëm në Zyrën  Ovale. Një zyrë Ovale ka bota, jo dy; siç ka edhe një Amerikë ku varet humori i mirë a humori i zi i çdo të ziu a të bardhi në botë.

Shumëkush e quajtën edhe ‘takim katastrofik’. Grindja qe mes burra shtetesh, nga ata njerëz që e mbajnë kokën mbi re dhe shikojnë poshtë tyre herë banderola me emrat e tyre, herë të uritur rrugëve, herë varre shkaktuar nga luftërat. Dy burrat që u karamuan mes tyre, të dy ishin presidentë shtetesh: Një president i SHBA dhe tjetri president i Ukrainës ( në luftë kundër Rusisë).

Ky ishte momenti kur bota u thye si akulli: E keqe apo më e keqe!?

Jo pse do të fillojë Lufta e Tretë, as se nuk do të fillojë. Para 80 vjetësh njerëzit nuk e kishin mundësinë të shikonin atë kulisën e vogël ku ndizej zjarri i luftës së Dytë që shkrumbonte mijëra e miliona shpirtra njerëzish civilë dhe luftëtarë. Njerëzit bëheshin luftëtarë për arsyen se nuk e shikonin pisllëkun me të cilin niste lufta. Po ta shikonin sa e pistë ishte, as që mund të lindte heroizmi, as idealizmi, as gatishmëria për të luftuar.

Kësaj here ndodhi që kulisa u pa në mbarë botën: Dy më të fuqishmit iu vunë kundër viktimës. Krishti i Trumpit ra.

Kjo ndoshta e bëri, jo më të keqe, por më të mirë, botën. Por që u shfaq e keqe, kjo u shfaq me të gjitha dritaret e Shtëpisë së Bardhë. Vetëm Vladimir Putin e përjetoi si ‘bota ime më e mirë’; ai menjëherë bëri deklaratën cinike: “Sa mirë që shpëtuat të dy palët, si nuk e qëlluat me shpulla Zelenskin!’. Vladimir Putin është i njohur si kasapi i të drejtave njerëzore në planet; dhe, kjo e bën të keqe botën, pse dhunuesi po kthehet në shpëtimtar dhe viktima në ‘agresor’.

Putini e tha me ligësi atë shprehjen ‘dy palët’, nuk ishin dy palë reale. Njëra ‘palë’ ishte sa një thërrime, pra ishte pala e pushtuar nga Rusia, pala që po kërkonte ndihmë në Zyrën Ovale ku falet gjithë bota për të gjitha luftërat; ky ishte Zelensky- i vetëm dhe me veshje lufte. Pala palë e fortë  ishte jo përballë, por në të gjitha anët, e kishte rrethuar presidentin e Ukrainës. Në krah Trump, majtas skiç nënpresidenti; majtas si më skiç sekretari i shtetit…; pastaj ai i thesarit; pastaj ai i Luftës;  pastaj ai i Sigurisë… Një shumë burrash në votrën e tyre. Të gjithë iu sulën mikut të ftuar në Zyrën Ovale.

Kjo e bëri, jo të keqe, por e bëri të tmerrshme, botën. Ne shqiptarët që jemi shumë proamerikanë, pyesim veten, a do t’i dhunojmë kodet tona të shenjta për pritjen e mikut? Pas këtij modeli, po them! Se pse të mos ndodhë? Bota u bë e keqe.

Në daç të fillojë në daç të mos fillojë Lufta e Tretë, bota u bë e keqe me kaq. Akoma më e keqe kur nisi avokatia e ‘të vegjëlve’ të Trump ndaj të madhit Trump. U vunë në radhë dhe shkruan në platformën X, shkruan kudo, deri nëpër muret e qyteteve ku kanë influencë se ‘si guxon ai tipi nga Ukraina, pabukës që nuk ka një kostum, nuk na respektoi mbretin tonë’. Të gjithë me të njëjtin fjalor si bosi i tyre.

Kaq e keqe ka qenë bota e servilëve, sot nuk u bë më e keqe. Mysafirin e nxorën nëpër ca vrima, edhe pjatat e drekës u thyen, avioni nuk mund të vinte deri në oborrin e Shtëpisë…, dhe ai nuk ndodhej më në Amerikë. Po si u rreshtuan të gjithë ata burra kundër mikut të ftuar në Shtëpi? Po si nuk doli njëri, të paktën njëri; aq sa mund të kishte dalë në Kuvendet e maleve tona dikur. Të thoshte ‘po kadalni bre burra, se bajraktari ia vrau gjelin ati fshatarit të varfër. Paguajani tani!’.

Madje edhe një nga gazetarët aty rrotull, ‘gazetar amerikan i madh’ ku ndahet çmimi Pulicer- Pulicer një emër europian hungarez; ky gazetari iu sul mysafirit që vinte nga lufta: ‘Po ti ore, ku e ke kostumin me kravatë?’.

Gjithë botën e ndanë në dy anë; madje edhe vetë botën amerikane. Pollet që u ngritën të shtunën- një ditë pas të premtes së tmerrshme, nxorën ën pah shifra të frikshme; të frikshme për nga deformimi njerëzor: 90 për qind e Republikanëve u shprehën në favor të Republikanit Trump; ndërsa po 90 për qind e Demokratëve u shprehën kundër asaj çfarë bëri presidenti republikan Trump. Në mes të 20 përqindëshit që mbeti, 18 u vendosën kundër Zyrës Ovale. Edhe kjo është thërrmim i botës…

Që atë ditë s’mund të ndodhë gjë tjetër aq keq. Vetëm sot, e hënë 3 mars, sapo ndodhi një tmerr në Gjermani: Në qytetin perëndimor Mannheim, një makinë ka hyrë në një turmë njerëzish dhe ka shkaktuar viktima, sipas gazetës së qytetit.

Ç’të ndodhë më shumë! Madje kjo është më e keqja që vjen në një botë të keqe.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arben: 03/03/2025 18:52

    Respekte Frrok si gjithmone opinionist i te drejtes, nuk je tifoz,servil apo maskagji. Ne SHBA e kemi dashur per vlerat njerezore,lirine,demokracise,dinjitetin njerezor,te drejten e prones,mbrojtjen e popujve ndaj pushtuesve e sundimtareve kjo qofte edhe nepermjet qendrimeve.Ai unitet e dominance e pa kuptimte ndaj nje te deshperuari pasi po i vritet populli dhe pushtohen teritore nga nje agresor i tmerrshem, dhunues i te drejtave e dinjitetit njerezor. Ukrainasit jane pothuajse i njejti gjak me Rusine dhe jane kombi me besnik per ruset, por a jetohet pafundesisht nen dhune e diktat te pakuptime ku gjithçka di sundintari, ndersa populli i thjeshte eshte numer.

    Përgjigju
    • Niko Zotaj: 03/03/2025 19:54

      Arbeni je po ti Frrok.Ty s,të plas as për Ukrinën,as për botën,por për ata që preken nga Tramp në shqipëri.Mos i kalo kufijtë e legenit.Prano në fillim se këtë luftë e përgatitëm ne,dhe po e mbajmë gjall po ne.Më pas bëjë analizat.S,ka rëndësi në janë të sakta a jo.

  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?