Sali Berisha

Frrok Çupi: Budallai ia vret mizën vetes në lule të ballit

13 Janar 2023, 12:47| Përditesimi: 13 Janar 2023, 12:50

  • Share

Nuk i shikoni ‘budallenjtë’ që po i nxjerrin sheshit krimet e tyre?! Gruaja e pasur, drejtoreshë në një ministri, që u grabit nga pastruesja e shtëpisë, pse doli zbuluar? E thjeshtë fare: Ajo kishte grumbulluar euro më shumë se mend…

Miku im i vjetër nga Kosova më ka treguar historinë e tij në adoleshencë kur sapo kishte rënë në ‘zjarrin e dashurisë’ me vajzën fqinje në fshat. Kishte zbritur në Prishtinë për të blerë livanda; nuk iu durua derisa të mbërrinte në shtëpi dhe e hodhi në kokë gjysmën e shishes me lëngun që lëpinte flokët. Rrugës e zuri shiu dhe koka iu mbush me shkumë… Në vend të livandës kishte blerë shampoo.

Budallallëku djaloshar ia nxori në shesh dobësinë për vajzën e fqinjit.

‘Asgjë nuk fshihet përgjithmonë’, thotë shkrimtari amerikan pasi e pyesin rreth ngjarjes mizore të Gërdecit. Guy Lawson i ka kushtuar dy  libra tragjedisë së Gërdecit, të dy me histori të vërtetë, ‘Qentë e Luftës’ dhe ‘Armët dhe spitullaqët’ (Arms and Dudes). Njeriut, sapo e  lexon titullin e dytë, i shkon mendja se pa e lexuar fare mund ta kuptojë për cilin e ka fjalën autori. Sa të sjellësh ndër mend portretet e Shkëlzenit ( Berisha) dhe të Fatmirit (Mehdiu), aty i ke gjetur menjëherë autorët. Të dy këta dallohen, që prapa Dajtit, se janë dy djem spitullaqë. Kurrë nuk i ke parë me flokë të pa hekurosur me ‘xhel’; kurrë nuk i ke parë si njerëz të zakonshëm që edhe mund të bëjnë ndonjë punë- por vetëm të pispillosur; kurrë nuk ke hipur në ashensor me ta e të mos të ketë ardhur të vjellësh nga parfumi…

Ta kishin ditur kriminalistët e hershëm se ‘të ngjashmit në krim, ngjajnë së pari nga pispillosja apo nga budallallëku’, me siguri këtë indicie do ta kishin vënë që në faqet e para të ‘Shkencave të Kriminalistikës’. Aq më tepër bëhen si njëri tjetri djemtë spitullaqë kur kanë marrëdhënie vasaliteti. Ministri Mehdiu, sado që kishte bërë rrugë të gjatë në politikë, i kishte qenë afër edhe mjeshtrit Godo; kishte udhëtuar edhe në Amerikë si ‘i krishterë’, por në fakt ishte mysliman që lutej para Krishtit në Netët e Lutjeve…, sado e sado, prapë kishte mbetur një skllav i djalit të Sali Berishës. Rruga drejt skllavërisë e çoi edhe drejt suksesit, por me një kosto shumë të lartë: Që në krimin e parë të përbashkët, Fatmiri do të kapej si spitullaq i ngjashëm me Shkëlzenin. Nuk ka nevojë për kërkime të mëtejshme.

Besoj se shkrimtari Lawson i ka krahasuar të dy djemtë dhe i ka ardhur të ndjekë rrugën e krimit përmes ‘spitullimit’ të njësojtë.

Rruga e krimit ndiqet përmes detajeve të thjeshta, detaje njerëzore dhe të dobëta, siç është edhe brilantina në kokën e burrave. Rruga e krimit ndiqet, sidomos nga dobësitë njerëzore, siç është edhe budallallëku e marrëzia. Nëse do të ishte ‘inteligjent’, vallë si mund të hapte gjyq Shkëlzeni kundër shkrimtarit Lawson, ku të zbulohej si autor krimi dhe të humbte rreth një milion dollarë?!…

Atëherë pas ‘brilantinës’ së flokëve dhe budallallëkut, bëhen shumë pyetje të egra:

Pse vallë duhej vrarë Kosta Trebicka në një fshat të humbur të Gramshit? Vetëm pse nisi të dëshmojë të vërtetën mbi krimin e Shkëlzenit? Ta dinte sot Berisha se si do të ndiqej fija, do të urdhëronte menjëherë njeriun që u nis nga Tirana drejt Gramshit: ‘Mos!, mos e vritni Trebickën…, më mirë paguajeni dhe binduni para tij, se sa ta vrisni!’. Por posti i lartë të bën ‘zot’, teksa je qenie me dy këmbë dhe i ke të gjitha prerogativat të kthehesh në budalla. Kosta Trebicka ishte një qytetar amerikan e nuk mund t’i shkonte ‘hupë’ gjaku.

Por edhe sikur të mos mund ta kthenin vendimin për vrasjen e Trebickës, të paktën ta vrisnin me ‘mençuri’. (O zot çfarë po flas, po them ‘ta vrisnin me mençuri’!’. Mirëpo dërguan atje një njeri të fluturuar nga mendja, që besonte se Berisha ishte vetë ‘zoti’,  dhe e vrau Kosta Trebickën pa lënë pikë gjaku, aktin e shpalli sikur ishte aksident me makinë por makina nuk e kishte prekur, trupi pa jetë i shtypur nga makina u gjet njëzet metra para makinës…

Deri më sot, të gjithë ‘e kanë besuar’ se makina të shtyp edhe pa të prekur, se makina ta heq rrashtën e kokës edhe pa pikë gjaku- si në rastin e Olldashit. Mirëpo krimi është vetë një budalla që nuk i gjendet shoku në këtë jetë; aq më budallenj janë autorët që besojnë se mund të nxjerrin armën dhe ta vrasin mizën mu në ballin e tyre.

Tani po mblidhet rrjeta e krimeve, si në lumin e fshatit ku zihet peshku. Ose, meqë flasim për fshatin, krimet po mblidhen si në ‘lëmin e budallenjve’ e si në ‘Sokakun e të marrëve’.

Nuk i shikoni ‘budallenjtë’ që po i nxjerrin sheshit krimet e tyre?! Gruaja e pasur, drejtoreshë në një ministri, që u grabit nga pastruesja e shtëpisë, pse doli zbuluar? E thjeshtë fare: Ajo kishte grumbulluar euro më shumë se mend. Alda Klosi nuk kishte pse ‘vriste mizën në ballë’ të vet e të drejtohej për në Polici. Ishte që ishte, pastruesen Rozeta Dobi e kishte në dorë. Tani i duhet të dorëzojë gjysmë milioni euro të gjetura në shtëpinë e saj, por i duhet edhe të përgjigjet para ligjit. Edhe burri i pastrueses, i cili ftoi kamerat në shtëpinë e tij për të dëshmuar se atë luks e kishte vënë me ‘paratë e burgut’, tani duhet të përgjigjet para ligjit. Po ç’deshe që ftove kamerat, zotëri i burgosur dhe i pasuruar?! Apo kështu qenka ligjësia e zbulimit të marrëzisë?

Në fakt ligjësia e zbulimit të krimit kalon përmes kësaj gjendjeje njerëzore që shpesh e quajnë ‘ngadalësi të mendjes dhe të sensorëve’.

Janë dashur 30 vjet për të ardhur deri në pikën kur ‘budallenjtë’ po i tregojnë vetë krimet. Kjo është stina. Po të mos ishte kjo stinë, ish- president e ish kryeministër Berisha, nuk do të kishte ‘marrë armët e harqet e militantët’ për të luftuar kundër Amerikës. Ose të paktën nuk do të kishte deklaruar se ‘e di kush i vrau të katër burrat’ para kryeministrisë në 21 janar. Ose të paktën nuk do të kishte kapur mjetet më primitive e të kishte pushtuar selinë shtetërore të PD. Ose nuk do të kishte deklaruar se ‘kisha katër snajperë në kokën e kryetarit të opozitës, një snajper e kisha vetë në sy’. Ose nuk do të kishte hedhur gjithë këto para për të mbajtur ‘më këmbë’ një Foltore, sa për qejf…

Budallenjtë e bëjnë me qejf dëshminë për krimet e tyre. Njësoj si me mizën në lule të ballit.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?