Tirana s’ ka dëgjuar gjë, por në mediat e Kosovës ka plasur zhurma për ‘flamurin e UÇK-së’. Zhurma bëhet për Tiranën. Tirana tradhtare nuk ka lejuar flamurin e UÇK të valëvitet në ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Letonisë, të martën mbrëma, datë 9.
-Madje është parë një fëmijë i vogël që kërkonte flamurin e UÇK, por këta njerëz të pa shpirt nuk ia kanë lejuar!, tha para meje një gazetar I televizionit në Prishtinë.
-Ai Duka i krimit, vëllau i Vucic, ai nuk e lejon flamurin e UÇK. Tjetri akuzoi rëndë Edi Ramën se ‘ ky e ka hequr flamurin e UÇK.
E trajtuan gjithnjë si ‘tradhti kombëtare’, si ‘përdhosje të simboleve të luftës heroike’, etj. Dëgjova në studio se dikush përmendi një frazë të Shkëlzen Maliqit që paska thënë ‘dale dale, se Shqipëria po hyn në BE, e keni me pa a do tua hapë kufirin BE në Morinë, apo nuk do tua hapë!?”.
Sa më shumë tirrej ideja se ‘Shqipëria europiane’ ashtu ashtu, aq më keq ndizej nervi në televizion. “Dun me na thanë se do të na venë edhe kufi, a asht kshtu, a!’.
-Po edhe mundet, jemi dy shtete, fund i fundit, njëri BE e tjetri jo- nisa të luaj me nervin e tyre.
Por problemi mbetet te stadiumi Arena në Tiranë dhe flamuri i UÇK
U tmerrova, mendova se kisha hyrë pa dashur në një teatër absurd. Desha të pyes se cila palë do ta mbante flamurin e UÇK, letonezët apo shqiptarët? Mirëpo do të më merrej si ironi, këta edhe mund ta kuptonin.
Mendova se biseda për flamurin e UÇK në stadium, që këta e kërkonin ‘ me këmbë të kalit’, mund të ngitej vetëm përmes ironisë, ndryshe bëheshin dy palë budallenj ballë përballë tek do të flisnin për të njëjtën gjë. Ironia e zgjidh kudo absurdin dhe marrëzinë.
Po, mirë, vëlla, po e vëmë flamurin e UÇK. Letonezët s’ besohet se kuptojnë gjë çfarë është ai. Edhe një budallallëk tjetër pat ndodhur në Beograd me një dron kur ngritën një sajesë me fushë të zezë si ‘flamur shqiptar’, që askush nuk e njihte. Kësaj radhe nuk do ta njihte protokolli i FSHF as i UEFA. UÇK nuk ka qenë skuadër futbolli. Por ky nuk do të ishte tërë problemi.
Problemi, se do të merrej si një totem i dikujt.
Atëherë do të kërkonin edhe të tjerë totemët e tyre. Veteranët e Luftës së Dytë do të kërkonin Yllin Partizan; por në këtë rast duheshin një UÇK dhe dhjetëra Yje Partizane se ashtu janë përmasat. Komunistët do të ngrinin totemin me flamurin e Enver Hoxhës. Ballistët do të ngrinin Pulën e Pjekur. Zogistët, mbretin me dorë në zemër. Qemalistët, burrin me kartën e Pavarësisë. Esat Toptanasit do të nxirrnin figurën e Avni Rustemit të dhunuar. Pezakët foton e babë Myslimit. Ata të Haxhi Qamilit me parullën ‘Dum Babën’. Princ Vidin në anën tjetër…
Nuk mund t’u thuhej ‘ Jo, s’u lejojmë në stadium!’ as princave të Skënderbeut: Oxhaqet Feudalë, Principata e Arbrit me disa simbole, Balshajt me Veladonin e Kuq, Araniti, Zenebishti, Dukagjini, Shpata dhe Bua, Gropa dhe Muzaka…
Të gjithë me flamujt e tyre.
Mirë, se të gjithë këta totemë i takojnë racës arbnore shqiptare, dhe do të vendoseshin në fushë. Po futboll ku do të luhej?
Kjo ishte pyetja.
Por këtë pyetje ‘ ku do të luhet futboll?’ nuk e bëjnë kurrë budallenjtë, as ata në Kosovë. Sepse nuk janë edhe aq budallenj. ‘Budallenjtë’ përdoren për të ‘shirë lëmin’ e të mençurit. I mençuri, në këtë rast, është lidershipi politik i Kosovës. Kurti dhe Osmani e kanë futur Kosovën në një krizë politike të thellë politike. Po bëhet viti pa Kuvend dhe pa Qeveri. Por bëhet më shumë se viti me sanksione dhe pa pikë vëmendjeje nga BE. Po thellohet kriza ekonomike. Po dëshmojnë para të gjithëve se ‘nuk mund të bëjnë shtet’. Mund të përfshihen në krizat e Serbisë dhe të botës, e atëherë ‘ku ishim? Asgjëkund!’. Për të mos e lëshuar qeverinë ‘gjallë a dek’, ata aktivizojnë budallëkun emocional të flamujve (totemëve). Mendojnë se njerëzit ngopen me bar. Siç u ngopen me bar shqiptarët në kohë izolimi.
Me këtë rast, qeveria e Prishtinës ka menduar që të tërheqë edhe Tiranën në krizën e saj. Në dekada të tëra të shkuara kishte ndodhur kështu. Kishte ndodhur edhe kështu edhe ashtu. Lideri komunist i Shqipërisë qante me lot ‘ për fatet e Kosovës’. Ndërsa kosovarët e robëruar por edhe të mashtruar afroheshin te televizorët e qanin bashkë me Udhëheqësin. Edhe në ndeshjet e futbollit qanin. Për sebep të Kosovës kishte shpërthyer armiqësia Enver- Tito. Por cili po përdorte cilin? Politikanët e Kosovës mendonin se po përdornin Enverin. Ndërsa ky përdorte Kosovën. “Krahët tanë janë të sigurt- pat thënë Hoxha- Në Veri kemi vëllezërit kosovarë, në Lindje kemi Vardarin, ndërsa në Perëndim Otranton”. Përdorime të pa qarta, deri tani kur Shqipëria ka marrë drejtimin Europë. Megjithatë qeveria e Kosovës mendon të ‘shuajë krizën’ e vet, me stadiumet e Shqipërisë në Jug./Fjala
Komente

Nuk e lejon UEFA denohet fusha. Kaq e thjeshte.
Përgjigju