Trazirat në vitin 1997

Frrok Çupi: E pashë shtetin duke rënë

23 Janar 2023, 10:01| Përditesimi: 23 Janar 2023, 10:09

  • Share

Që pa filluar, çfarë?

Komunizmi në Shqipëri dorëzoi pushtetin. Tepsinë e argjendët me kadife të artë ku do të vendosej pushteti i ri, e mbanin duart e Partisë Demokratike, forca që thërriti masat popullore në ndryshim, partia e shpallur antikomuniste. Në fund- Mars të vitit 1992, brenda një viti që nga krijimi, Partia Demokratike mblodhi votat e mbi 70 përqind të elektoratit. Përballë kishte Partinë Socialiste, krijuar në Qershor 1991, e cila mbeti në minorancë.

Këtu filloi. Filloi pushteti i ri, ose Prova.

Mirëpo shpejt u pa se nuk do të kishim ndonjë gjë shumë të mirë. Manifestimi i frikshëm i fitores në bulevardin kryesor të Tiranës, i bëri qytetarët të trembeshin që në fillim. Njerëz të panjohur, ardhur nga kushedi se ku, me flokë të gjatë, të shfytyruar nga pasioni, ulërinin e fishkëllenin, më këmbë e mbi çatitë e makinave, me pluhur e me ulërima, për orë të tëra. “Ç’po na vjen kështu?”.
Edhe simbolikisht, qëkurse filloi, filloi me rënie. Njerëzit nuk dinin shumë gjëra, madje as donin të dinin, por brenda Partisë Demokratike kishte një dekompozim tragjik të principeve, të ideve, të programit, të marrëdhënieve, etj., që, domosdo, do të efektonte periudhën e pushtetit. 

Askush nuk donte ta dëgjonte, aq më pak ta besonte. Ashtu ecëm për pak kohë, qorrazi. Çështja e vazhdimit të ushtrimit të pushtetit pas ndryshimeve, ishte një problem serioz për të gjitha vendet e Lindjes ish- komuniste që e kryen ndryshimin thuajse në të njëjtën. Edhe në këto vende ndodhen plot gjëra të paparashikuara. Në shtetet ballkanike Bullgari e Rumani, (ku politika dhe mediat tona referoheshin papushim), procesi u shoqërua me plot frikë e ngurrim.

Rumania e vari në pendesë vrasjen barbare të Çausheskut me të shoqen si dhe gjakderdhjen në sheshin para zyrave qendrore të Partisë Komuniste. Rrugën e bëri me një President që kishte qenë anëtar i Politbyrosë, por pa “krisje” të mëdha. Ndërmarrjet industriale të periudhës së komunizmit nuk i preku; i la të punonin si mundeshin.

Bullgaria, gjithashtu bëri një rrugë plot peripeci. Qeveri të pastabilizuara, ndërrime të shpeshta, rënie e nivelit të jetesës së qytetarit, fillimi i një korrupsioni të egër, etj. Megjithatë, Bullgaria iu tha lamtumirë krizave në vitin 1997, pikërisht në momentin kur në Shqipëri kriza e grumbulluar shpërtheu e shpartalloi gjithçka.

Jugosllavia, siç dihet filloi procesin e shpërbërjes. Sllovenia doli nga ky makth me vetëm një njeri të plagosur, dhe menjëherë e ngriti kokën mbi ujë e eci mirë.

Kroacia, për shkak të vijës së ashpër të presidentit të vet, pagoi më shumë me të drejtat e njeriut dhe me konfliktet ndëretnike . Ndërsa Bosnje- Hercegovina hyri në gjakun e luftës dhe prandaj nuk mund të llogaritej në rrugën e demokratizimit.

Edhe Maqedonia e vogël në kufiri me ne, filloi të bëjë ca hapa “çohu e rrezohu”, por sidoqoftë, ecte. Vetëm në Shqipëri ndodhi e pangjashmja. Këtu shteti ra; ra i tëri përdhe, siç bie një shtëpi kur i hiqen kolonat, muret, shtyllat e brendshme, deri në themel. Ja kështu ra shteti në Shqipëri. Në fund të vitit 1996 Shqipëria thuajse nuk kishte shtet; shtet në kuptimin e kujdestarit për territorin dhe për popullsinë e vet.

Krejt shkurtimisht: Në fillim të vitit 1997 Shqipëria nuk kishte as ushtri, as polici, as financa, as shkolla, as spitale, as kufij. Kur Presidenti i Republikës dha dorëheqjen e kërkuar nga kryengritja popullore, paqen mes njerëzish e la që ta ruanin ushtarë të forcave ndërkombëtare. 7000 ushtarë, nga 11 kombësi. Kjo nuk i kishte ndodhur kurrë shtetit shqiptar. I vetmi rast kur shteti ra, pas ndryshimeve të viteve ’90, ishte rasti “Shqipëri”. Rënia nuk ndodhi papritur, as menjëherë. Rënia filloi që pa filluar, që pa filluar menaxhimi i shtetit.

Shteti po rrëshqet në terrorizëm

Një përfaqësuesi i shtetit amerikan, dy ditë më parë (shiko mediat e shkruara), formuloi të vërtetën e dukshme se “Shqipëria ka rrëshqitur nga rruga e demokracisë…”. Ç’e pret një shtet që pasi ka dalë nga regjimi komunist për të hyrë në demokraci, ka rrëshqitur edhe nga rruga e dyte? Fataliteti. Shteti, i rrëshqitur shkon o në anarki o në terrorizëm. Të dyja pozicionet ndodhen në njëra- tjetrën. Pse ndodhi rrëshqitja e shtetit?:

1.Shtetit i mungonin kolonat

Në këtë rast ndodh si me tërmetin në një pallat pa kolona hekuri e betoni. “Pallatit” të shtetit shqiptar i mungojnë Kushtetuta, Gjykatat e pavarura, hapësira e opozitës dhe i institucioneve jashtëqeveritare…E keqja më e madhe nuk është vakuumi i këtyre kolonave, por se në vend të tyre rëndon pesha dhjetëfishe dhunuese e pushtetit politik e përfaqësuar prej personash jo legjitimë. Në këtë situatë do të mjaftonte e keqja më e vogël që të shkaktohej katastrofa. Le të analizojmë vetëm mungesën e kushtetutës. Në momentin kur qytetari ka nevojë për mbrojtjen ligjore, do t’i drejtohet domosdo këtij altari. Këto ditë kur qytetarët shqiptarë u vodhën nga fantazmat e kompanive rentiere në bashkëpunim me shtetin, doli nevoja e mbrojtjes kushtetuese. Kushtetuta nuk është. 

Pa kushtetutë qytetari mundi të vidhet e të rrihet, kreu i shtetit mundi të deklarojë se kjo është vetëm një çështje civile, dhe asgjë më shumë. Pa kushtetutë, shqiptarët nuk mund të protestojnë për paratë e grabitura. Pa kushtetutë mund t’i thotë mendja si Sudes që brenda natës ta shpallë veten monarke të shqiptarëve. Mungesa e kolonave ndjekin njëra tjetrën, derisa e dërgojnë shtetin në çmenduri. Mësimi që po marrin qytetarët shqiptarë me këtë rast, ka çmim shumë të lartë. Mund të mësojnë se në qeverisjen demokratike, askush nuk duhet të pranojë t’i thonë “mirëmëngjes” pa pasur në dorë kushtetutën. Neglizhuan, u mashtruan nën parullën e se “kur ke demokraci nuk ke nevojë për gjykatë”; dhe, tani që nuk ka asgjë, fillon terrori shtetëror. Fenomeni i fajdeve, qysh në sistemin feudal, është shoqëruar me shtete të modelit terrorist

2. Shteti nuk i ka duart të pastra

Kjo është arsyeja tjetër që pas daljes prej rrugës së demokracisë, shteti nuk mund të ndalet veçse në terror. Qeveria është akuzuar për korrupsion, i cili shqip lexohet vjedhje zyrtarisht e pasurisë së shtetasve. Qeveritarët kanë ndërtuar vila të kushtueshme dhe janë pasuruar brenda tri vjetësh, aq sa nuk pasurohet një dinasti shumëvjeçare. Partia-shtet ka përdorur paratë e fajdeve të vjelura nga populli i varfër për të bërë fushatat elektorale, ku ka mashtruar. Deficiti buxhetor i krijuar brenda vitit është 430 herë më i lartë se sa vlera e ndihmave për të cilat është akuzuar dhe burgosur ish-kryeministri Nano. Dy herë brenda vitit qeveria vodhi dhe dhunoi votat e popullit. Në sheshin e Tiranës pushteti politik gjakosi për vdekje opozitarët që kërkonin drejtësi në zgjedhje. Presidenti i vendit deklaroi kërcënueshëm se, sot me 19 Janar, populli dhe opozita nuk do të lejohen të manifestojnë në sheshin e Tiranës, ndryshe do të pësojnë të njëjtin fat si më parë. (Dmth fatin e përgjakshëm). 

Pra shteti i ka ndyrë ose i ka gjakosur duart. Sapo ndodh kjo dhe sapo drejtpeshimi i elementëve që formojnë shtetin, lëkundet; atëherë pozicioni i vetëm shtetëror bie në terrorizëm. Njerëzit e pushtetit, të implikuar në punë të pista, tani kanë frikë të “lajnë shpirtin dhe kuletën”, ndaj tundin zinxhirët,. Kjo është e vetmja mbrojtje për ta. Bomba e “Vefa-s” e stilit “Palestinë”, që mori jetë njerëzish; numri i shtuar i forcave policore dhe forcave të fshehta, të cilat sikurse deklaron opozita janë paguar me paratë e fajdeve; qytetarët që nuk lejohet të protestojnë në sheshe për paratë e humbura në kompanitë rentiere…

Mbase nuk është mirë që këto të vërteta të mbulohen me shpresën mikluese të fajdeve; nesër mund të jemi vonë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?