Frrok Çupi: Fitorja e dytë e Balshajve

23 Mars 2022, 12:06| Përditesimi: 23 Mars 2022, 12:08

  • Share

Sot për sot, një ditë pas fitores së largimit, Lulzim Basha mund dhe duhet të vendoset në prapaskenën e emrit ‘Balshaj’; nga Balshaj nënkupto Basha. Në fakt, që mbrëmë kur dha dorëheqjen, nuk kaluan as njëzet minuta dhe Bashën e gjetëm të fshehur pas emrit ‘Enkelejd Alibeaj’. Zoti Alibeaj komandohet kryetar i ri i Partisë Demokratike me qëllimin e vetëm: Mbrojtjen e fitores së Parë të Lulzim Bashës.

Fitorja e Parë e Lulzim Bashës kishte të njëjtën peshë që ka patur fitorja e Studentëve të Dhjetorit 1990 për rrëzimin e diktaturës së komunizmit. Aq sa Balshajt në luftën për krijimin e principatës së tyre si të pavarur përballë perandorisë së Car Dushanit…. Në 9 shtator 2021, Lulzim Basha rrëzoi perandorinë e Sali Berishës, i kallëzuar si një tiran vulgar, vrasës dhe vjedhës i popullit të vet, minues i demokracisë. Shtetet e Bashkuara kërkuan dëbimin e Sali Berishës prej Partisë Demokratike. Lulzim Bashës i dridhej zëri teksa fliste e thoshte ‘ky është vendimi i jetës sime!’. Pse vallë? A nga pse e priste ‘kupa me helm’, a pse vërtet e ndjente se ky ishte një vendim me aq peshë…,- kjo nuk mund të thuhet pse Bashës i dridhej zëri.

Sa jetoi fitorja?

Edhe pse nuk jetoi gjatë, solli gurë të mëdhenj.

Largimi i Berishës nga Partia Demokratike dhuroi shpresa të mëdha që nga Tirana deri në Uashington; shpresa se ‘demokracia në vend mund të bëhet’, pas dy sistemeve primitive Hoxha- Berisha. Ushtria me pagesë që ngriti Sali Berisha kundër Amerikës (në fakt ai e fshehu luftën kundër Amerikës pas emrit të Bashës, të Yuri Kim dhe sekretarit Blinken), u bë një ushtri mjaft e madhe, aq sa zaptoi Shkodrën e vjetër dhe stadiumin e ri në Tiranë. Sulmi i Berishës, me armë mesjetare i 8 Dhjetorit, qëlloi që e la të gjallë Lulzim Bashën. Në këtë rast thuhet se Basha u fsheh në një bodrum të selisë, por që aty i nisi disfata.

Balshajt, për koincidencë të muzikës së emrit me Bashaj, humbën në vitin 1385 përballë ushtrisë osmane të kohës. Beteja u zhvillua mes dy ushtrive (Balshaj dhe Osmanë) në brigjet e lumit Vjosa, në Savër, ku Balshajt humbën pjesën më të madhe të zotërimeve.

Që nga 8 janari, Berisha në vend që të dilte para gjykatës për krimet e kryera, në fakt fitoi famë të madhe; aq sa edhe fytyrës i iku të kuqtë. Fitoi Shkodrën buzë Bunës, një pjesë të Rogozhinës buzë Shkumbinit, pjesë të Durrësit buzë Adriatikut dhe një pjesë të Dibrës buzë Drinit. Me këto zotërime Berisha siguroi disa dalje; përveç daljes drejt Amerikës- dalje që nuk e fiton sa të jetë gjallë.

Por për shkak të ‘burrërisë dhe besës’ Berisha impresionoi disa aleatë të Bashës brenda PD-së, që nga lektorë sallash, femra të pasarelave, djem të babarabaleve dhe të tjerë të mahnitur. Këta i kthyen shpinën fitores së Parë të Lulzim Balshajve si dhe politikës kombëtare për aleancat me Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara- drejtpërdrejt.

Një koincidencë mahnitëse mes Bashës dhe Balshajve, e cituar edhe nga Milan Shuflai, është se origjina e Balshajve nuk dihet; edhe pse dihet që janë arbnorë. Koincidencën e keqpërdorën miqtë e Bashës që u kthyen në armiq të tij, kur i përmendën se ‘ti nuk e di nga je vetë’. Në fakt Basha kishte deklaruar origjinën herë si pejan, herë si dibran, herë si nga Pashtriku e herë nga Koshare. Aso kohe e çonte vendlindjen sa më afër vendlindjes së Berishës; edhe pse ndihej tepelenas. Por armiqtë e tij ia përmendën me aq helm sa dikur në organizatat e Partisë Komuniste kur linçoheshin njerëz për mungesë sinqeriteti…

Megjithatë, Lulzim Basha arriti fitoren e Dytë, dje në datë 21 mars, që është edhe dita e parë e vitit astrologjik. Me siguri kjo është fitorja përfundimtare. Dje ai dha dorëheqjen si kryetar i PD. Akti i Lulzim Bashës u lexua në Uashington si akt që ‘meriton respekt’, ndërsa në BE u lexua si akt për të rifituar opozitën dhe demokracinë në opozitë.

Shiko çfarë bëri Lulzim Basha dje:

1.

Hodhi poshtë, përfundimisht, Sali Berishën. ’Këtu në PD nuk kthehesh më!’- deklaroi dje kryetari i komanduar. I munduri tani duhet të marrë ushtrinë e tij dhe ta fusë andej nga e gjeti. Ushtria ‘osmane’ kërkonte kokën e Balshajve, por tani ky nuk është. Në vend të tij ka lënë një mbishkrim ‘Alibeaj’. Alibeaj as mund të akuzohet, as mund të dorëhiqet, veçse të mbajë larg Sali Berishën.

2.

Këputi urën që lidhte ushtrinë e tij me Sali Berishën. Aleatët e Bashës, sapo binte nata, tëholleshin si hije nëpër atë urë dhe flirtonin me ‘Sulltanin’ në bregun tjetër. Basha, me dorëheqjen e tij, e këputi urën; ata që u ndodhën aty tani po përpiqen të dalin nga ujërat ku kanë rënë. PD e pas- kësaj beteje do të jetë një parti e përtërirë, me njerëz normal.

3.

Basha i dha vetes të drejtën që të dalë në epokën moderne pa pasur nëpër këmbë historinë e keqe e tragjike të Partisë së Berishës me kombin. Zgjidhjet e reja në PD u vendos të mbahen pas dy vjetësh, ndoshta në fund të viti 2023. A nuk e dini çfarë vlere ka kjo? Ka vlerën që: Deri atë ditë do të ketë mbaruar lufta në Ukrainë…, atë ditë Berisha do të ketë shkuar andej nga është nisur…; edhe Ilir Meta do të jetë veç një kujtesë me ‘Gropa’…

Kthimi i PD në kohë moderne është një mision i aleatëve të mëdhenj të Shqipërisë.

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Loni: 23/03/2022 15:45

    Eshte antiberishist i thekur. Ky krahasimi Bashaj me Balshaj nuk shkon fare. Basha kishte vetem nje parim, parane.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?