Kjo që po ndodh në dialogun ‘e zemëruar’ mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe shkëndijë- dhënësit të Brexit, Nigel Farage, ka kuptim. Nuk është aspak ashtu siç guxojnë të thonë disa se ‘haj merru me emigrantët e dhe me krimin, lëre Farage.
Jo, fare nuk është kështu. Madje është debati më i sinqertë kontinental qëkurse Britania e Madhe rrëshqiti në izolim, sipas fjalimeve të Farage, dhe tani nuk po di si të dalë. Brexit ka krijuar disa pasoja të rënda në Britani, që nga rënia ekonomike, rënia e marrëdhënieve tregtare dhe politikat e emigracionit. Mbretëria e Bashkuar përjeton barriera tregtare në rritje me BE-në. Liria e lëvizjes për qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar brenda BE-së ka mbaruar, duke ndikuar si në turizëm ashtu edhe në udhëtimet e biznesit.
Ky është Brexit, për të cilin u ngref Nigel, sepse u pickua në gjënë e keqe që i ka bërë vendit të vet.
Pse hynë në mes emigrantët shqiptarë? Ndoshta edhe kjo është shenjë krize personale.
Disa shqiptarë që ndodhen në burgjet e Londrës e paskan shkaktuar të tërën?
Jo, nuk është kështu. Për ta kuptuar se nuk është kështu, mjafton të tërheqim imazhin e përshkruar nga Edi Rama në letrën e parë për Farage. Ky i thotë se ‘vemë bast, nëse një në pesëdhjetë shqiptarë është kriminel, atëherë vij në Londër e i marr të gjithë shqiptarët në Shqipëri’. Duket se Nigel, ose nuk e kuptoi, ose nuk e çanë kokën për fatin e Britanisë. Nëse do të largoheshin emigrantët shqiptarë, pastaj të gjithë emigrantët, çfarë do të ndodhte me Britaninë?! Do të vihen në rrezik shumë gjëra në atë shtet të madh e të vjetër. Po mund të vihej në rrezik vetë kopshti i Nigel…
“Në realitet, z. @Nigel_Farage e di çfarë? Shifra është mbi 300,000, vëlla! Këta janë njerëz që mësojnë fëmijët tuaj, që ndërtojnë shtëpitë tuaja, që kujdesen për të moshuarit dhe të sëmurët tuaj”, shkruan Edi rama.
Nigel, duke e vënë Ramën në radhën e globalistëve, mendon se po e shan dhe po e mund. Gabim trashanik. Farage, si edhe të tjerë, jetojnë çdo ditë e çdo orë në globalizëm, dhe thonë dokrra për një gjë të kundërt. Ku është ajo gjëja? Bota është globaliste dhe nuk mund të jetë ndryshe.
Farage ishte ‘zhdukur’ diku që nga dita e fundit e Brexit, që e ndau Britaninë nga Europa. Por kur u duk? Kur në Amerikë fitoi Donald Trump. Në këtë mënyrë vetë Farage kthehet një ‘emigrant’ ose shtesë në kopështin e fitoreve të Donald Trum si president; me këtë shet mend, jo me veten. Ka shumë nga këta në Europë që janë ngrefosur ‘si konservatorë të Trump’. Por çështja është sa shumë i përket vetes dhe dobisë së kombit tënd?!
Të përzësh, të selektosh, të veçosh, të kërcënosh, të mburresh, të qëndrosh në istikam…, këto kam vënë në dukje në letrën e Nigel Farage.
Por këto janë shumë të rëndësishme, shumë delikate për botën tonë.
Këto e bëjnë të madhin shumë të grimcët, dhe e kundërta. Britania është e madhe, por çfarë manifestohet në letrën e Farage? Do të doja që Edi Rama të ishte ‘më i vogël’ se Farage, sepse përfaqëson një shtet mjaft më të vogël, që edhe floririn nuk e ka tërhequr dot akoma nga Britania. Edhe pse Rama është kryeministër i shtetit tim, le të dukej më i madh ‘lideri’ britanik. Farage e lëshoi veten në duar të melankolisë dhe iu lut Ramës ‘na trajtoi edhe ne si Italinë’, për emigrantët.
Është kthyer radha.
Kjo që po ndodh, ku lideri londinez i Brexit, shfaqet aq i vogël; kjo është ç’është!. Këtu po ndryshon bota. Çfarë po ndryshon, e shikon?
Po ndodh ajo që ndodhi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, në pas vitet ’45. Atëherë njëra pjesë e Botës, (Perëndimi, i prirë edhe nga Britania e Madhe), shtuan shpejtësitë dhe u vunë në ecjen drejt të ardhmes, dhe u bënë ata që u bënë. Lindja, përfshirë edhe Shqipërinë me BRSS, u vunë në mbretje dhe mbetën atje ku mbetën.
Në këtë përplasje të kuptimtë mes Rama dhe Farage, po shikoj se ‘lideri i djeshëm’ londinez është kthyer në mbrojtje, në stanjacion. Janë ndërruar rolet. Shqipëria po ecën shpejt përpara, politikani zemërak i Britanisë del te dera e shtëpisë e numëron ‘sa emigrantë shqiptarë kaluan sot’. S’ka punë tjetër, Brexit ka mbaruar.
Ky është kuptimi; po ndryshojnë kahet e poleve. Mjafton një Farage, edhe pse një i vetëm, por dëshmon pikërisht ‘kthimin në mbrojte’ të asaj pjese që ishte në sulm prej tetë dekada.
Sinjalet janë të qarta.
Komente
