Sali Berisha

Opinion

Frrok Çupi: Malli i shitur kaherë priste një letër nga Greqia

5 Maj, 14:41| Përditesimi: 5 Maj, 14:44

  • Share

Më në fund letra erdhi. Ndoshta ka ardhur që dje, por sot u hap: “Unë falënderoj autoritetet e Greqisë që ma sollën këtë letër, dokumentin për gjykatësen Irena Gjoka”. Deklaroi sot, para selisë së SPAK në Tiranë, ish president dhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Letra nuk u pa, ashtu si vetë ‘dhurata greke’ në histori është çmuar si ‘e dyshimtë’. Por sipas fjalëve, letra damkos autoritetin e Gjyqtares së Gjykatës Speciale, e cila tani duhet të mbyllë gojën. Aty rrotull nëpër duar të SPAK dhe Gjykatës, ndodhen dosjet me veprat penale të Sali Berishës; dhe ky është malli. Malli, që në fakt është vetë zoti Berisha si ‘autoritet shqiptar’ kaherë po pret ofertën nga Greqia.

Oferta e parë u shfaq përmes Masakrës së Peshkëpisë, prill 1994. Në pikën tonë kufitare, një grup terrorist grek vrau dy ushtarakë: Arsen Gjini dhe Fatmir Shehu. Atëherë presidenti shqiptar veç sa u tremb nga organizata MAVI e Greqisë, dhe ky nisi reagimin por u ul shpejt.

Megjithatë malli priste, duhej oferta tjetër: Në vitin 1997 presidenti shqiptar thërriti se ‘luftën civile e shkaktuan CIA dhe Greqia!’. Shqipëria ra më shumë nën influenca europiane se greke; ai moment u mbyll pa treg. Kërcënimet ndaj Kishës Ortodokse dhe vetë kryepeshkopit, u ulën.

Në fillim të vitit 2005 oferta erdhi e lartë, dhe këtë Berisha e pranoi. Në favor të kontratës u vunë lobisti greko- amerikan Nikolas Gage dhe ish shefi i CIA me origjinë greke, George Tenet. Sali Berisha mori pushtetin, u bë kryeministër, edhe pse pa shumicë votash.

Do të duhej t’i falte detin dhe të ‘mos kishte punë’ me Ligjin e Luftës; dy kërkesa. Prova ndaj Berishës, aq sa u shfaq, aq edhe u mbyt në detin e Jugut të vendit tonë. Marrëveshja e detit, sipas së cilës Greqia merrte mbi 500 kilometra katror det nga Shqipëria, ra në vitin 2009.

Sali Berisha u detyrua të shfaqej hapur si ‘njeriu i Greqisë dhe i e vetë Belerit’. Beleri ishte një shqiptar i alternuar në grek, hidraulik nga Himara, i sprovuar në kurset speciale të Qipros. Provën kulmore e kishte arritur në skuadrën për vrasjen e shqiptarëve në Peshkëpi dhe në poshtërimin e simboleve të kombit shqiptar. ‘Ishte i dënuar nga Gjykata. Berisha u tha se ‘unë jam shpallur patriot e nuk dal dot hapur’, por ata nuk e toleruan më. Çmimi i mallit do të ishte Himara, në krye të saj të vihej dhunuesi Beleri.

As kjo nuk u arrit. Nuk u arrit as që BE të pengonte Shqipërinë. Atëherë, oferta e fundit për mallin shqiptar: “Të japim një letër për Irena Gjokën!’.

Irena Gjoka është gjyqtare dhe kryesuese në Gjykatën Speciale të Tiranës. Berisha dhe Greqia e quajnë këtë gjykatë si ‘ferri që do të djegë krimet dhe shpirtrat e këqij kundër të kombit shqiptar’. Për këtë  arsye e sajuan letrën bash në ditën e gjykimit të Berishës. Letra, sipas këtij, thotë se ‘Irena Gjoka ka qenë e dënuar në Greqi’.

Kjo është e dyta, pas Ina Ramës, që  e kishte shpallur ‘lavire të bulevardit’; kësaj here është Irena Gjoka: ‘Një delikuente e pafytyrë, e pamoralë, e pakarakter e dënuar me burg në vendet fqinje dhe përdorej si skllave nga Edi Rama!. (Deklarata publike fjalë për fjalë e Sali Berishës). Berisha ishte i detyruar të shpallte se ‘letrën e kam dhuratë nga autoritetet greke’. Kaq ka rënë tani oferta për mallin Berishë; një copë letër./Tema 

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?