Bathore quhet ajo copë fshati në Kodër-Kamëz, ku njerëzit e ardhur nga fshatrat Verilindore të vendit janë duke u përleshur me policinë qeveritare, e cila kërkon të shembë shtëpitë. E bëra sqarimin për emrin e fshatit Bathore nën detyrimin profesional për t’i thënë gjërat në mënyrë sa më të qartë.
Është tkurrur personalisht njeriu i pushtetit
Shikoni vetëm njërin prej tyre, kryetarin e kontrollit të shtetit, njeriu më i ngrehur i këtij pushteti. Shikoni se sa i shkrehur shihet ai tani. Le të kujtojmë vetëm spektaklin televiziv të tij parmbrëmë. Ai, nga njeriu që dukej se ishte betuar për t’i vënë zjarrin, një hero i madh e mbyll rrethin ose kapitullin e tij në një emër banal. Ajo çfarë na intereson më shumë është analiza e këtij fenomeni që ndodhi këto ditë mes politikës zyrtare dhe popullit. Në thelbin e vet, ajo çfarë ndodhi është vetëm një mbyllje e plotë e qarkut politik të Berishës; para pesë ditësh – në Qershorin e vitit 1995, politika berishiane erdhi në pikën ku kishte nisur, dhe u mbyll përfundimisht. Mbas këtij akti fshatar, qeveria e Berishës, deri në zgjedhjet e reja është njësoj si të jetë, si të mos jetë. Por le të shikojmë se cilat janë pikat ku është mbyllur rrethi.
1. Pushteti i rrugës dhe lavdia e Berishës
Sapo dr.Sali Berisha dorëzoi teserën e PPSH, një muaj mbasi u krijua PD, ai guxoi të dalë në tribuna, të bërtasë tmerrësisht shumë dhe të zgjojë tek një pjesë njerëzish instikte të frikshme. Me këto veprime u zgjua dhe u aktivizua shumë fenomeni që me të drejtë u quajt “rruga”. Mirëpo këtë fenomen Berisha e bëri mbështetje të të gjithë suksesit të tij për të hipur në karrigen më të lartë të pushtetit. Kujtoni vetëm 22 marsin, ditën e fitores së Berishës dhe Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” i cili nuk kishte provuar kurrë vërshim aq frikësues. Që gjatë kohës kur Berisha ishte vetëm President “në vezë”, disa nga themeluesit e PD e patën denoncuar fenomenin e rrugës si një rrezik për pushtetin e ardhshëm, por Berisha qe hedhur në një sulm të ashpër kundër tyre, duke përdorur përsëri teori e rapsodi populiste.
Ai kishte vënë dorën në zemër dhe kishte thënë se populli po quhet rrugë dhe se rruga është populli që kërkon liri e demokraci; dhe se ata që denoncojnë “rrugën”janë antipopullorë e antidemokrat. Aq sa e kam parë dhe analizuar edhe nga afër politikanin Sali Berisha, kam vënë re se pakënaqësia e tij për “revolucionin demokratik” ishte fakti se ky kishte për protagonist studentët. Sloganet e mëvonshme të Berishës, sidomos slogani se Kavaja është dallëndyshe e demokracisë, jo vetëm që ishin të stilit bolshevik, por linin për të nënkuptuar se Berisha kishte ëndërruar një revolucion fshatar. Pikërisht këto pika u atakuan këto ditë me “revolucionin” e Kamzës në Bathore. Rruga që e ngriti Berishën në “Piedestal”pikërisht ajo rrugë i tha ndal vendimit të Qeverisë së tij. Pamjet e një lëvizjeje fshatare që po vërehen në Bathore, janë pikërisht ato miniatura të “revolucionit fshatar” që do të kishte sjellë demokracinë sipas shijeve të Berishës.
2. Jo ligjit, po ligjit
Partia Demokratike hyri në kështjellën e shtetit duke hedhur shqelma kundër çdo gjëje të ligjshme, në përgjithësi kundër vetë shtetit. Hyrja e “bletës” së re në “zgjoin” qeveritar, i ngjante plotësisht ardhjes partizane në vitin 1944, kur injoranti i futur në Radio Tirana si shpëtimtar e konsideronte mëkat pse spikerja mbante me vete ngjyra për sytë dhe për buzët. Edhe për PD, çdo gjë e ligjshme ishte e paligjshme dhe e kundërta. Pastaj veprimet e tjera të organizuara, si rrahja e deputetëve opozitarë, prishja e mbledhjeve të PS etj., burgosja e të pafajshmëve, e gazetarëve dhe e politikanëve, dhunimi i të drejtave të njeriut, kontrabanda, korrupsioni etj etj. i dhanë fytyrës qeveritare të PD pamjen e një organizmi që funksionon kundër ligjit. Mirëpo duke kaluar koha dhe duke u ndjerë nevoja e ligjit dhe e shtetit.
Veçanërisht institucionet ndërkombëtare e shtrënguan punën tek ligji. Berishës i duhej të moderohej në kuptimin e ligjit. Për të treguar këtë pamje moderne atij i duhej një akt. Akti u zgjodh pikërisht prishja e shtëpive të ndërtuara jashtë ligjit, ndërtuar atëherë kur PD dhe Berisha thërrisnin se nuk ka nevojë për ndonjë ligj, ligji i demokracisë është më i fuqishmi etj. Pra erdhi puna në pikën e fillimit. Fshatarët tani janë mësuar me praktikat se nën këtë qeveri punohet jashtë ligjit.
3. Politika e pucit mbrapa krahëve
Njihen plot episode se si e ka përdorur këtë lloj politike vetë zoti Berisha, sidomos kur ishte kryetar i PD. Do të mjaftonte të sillnin ndërmend se si i shpallte agjent të sigurimit të gjithë ata që i shihte në ëndërr një natë më parë; do të mjaftonte të sjellim ndërmend vetëm hedhjen jashtë partisë të themeluesve të PD etj. Do të mund të pyes dikush se cila është lidhja e kësaj politike me betejën e Bathores, ku më në fund sipas vështrimit tim, armët e Berishës ranë. Lidhja është kjo: Presidenti i Shtetit e ka ditur me kohë se po kryhet një veprim i paligjshëm me lëvizje pa kriter të fshatarëve. Mirëpo nuk ka thënë gjë.
Ai vetëm ka kërkuar votën e këtyre fshatarëve. Ka kërkuar votën e tyre dy a tri herë dhe ata ja kanë dhënë. Mirëpo në një moment të caktuar pushteti i Berishës u ngrit pikërisht kundër këtyre fshatarëve. Bathorja është vetëm një Bathore, por në të gjithë Shqipërinë ka lëvizje pa kriter të fshatarëve. Ata, sipas precedentit të Bathores, duhen dëbuar të gjithë. Pra u pranuan kur duhej vota, dhe po dëbohen tani kur duhen më shumë votat e tyre që do të vijnë në vend të tyre. Kështu ka vepruar Berisha gjatë gjithë pushtetërimit të tij.
4. Të persekutuar të përjetshëm
Çfarë do të jenë nesër, në Qeverinë e ardhshme, këta fshatarë që sot duhet të lënë shtëpitë e ndërtuara me mundime, dhe të shkojnë andej nga kanë ardhur. Këta do të quhen të persekutuar nga qeveria aktuale. Ndërsa sot kemi mijëra të persekutuar nga qeveria e kaluar komuniste. Aq shumë janë ata, sa Qeveria e Berishës, gjithë politikën e vet e pat ngritur mbi palët: e persekutuar dhe persekutuese. Në fillim, shumë njerëz patën menduar se me marrjen e pushtetit nga Berisha, i lindi ilaçi i mundimit të persekucionit; kjo për shkak se Berisha fliste shumë për këtë temë. Mirëpo nuk kaloi shumë kohë dhe u kuptua thelbi i politikës së Berishës; ai përdori persekucionin, më shumë për të krijuar dy palë kundërshtare në shoqëri, se sa për të shëruar plagën e persekucionit. Faktet flasin për këtë. Të dy palët i kanë interesuar Berishës, pikërisht për të mos lënë të qetë situatën politike. Ndërsa tani që nisi të banalizohej politika rreth persekucionit, ai krijoi Bathoren. Sepse i duhen përsëri të dy palët, që të jenë ballë për ballë. Ky është mjeti qeverisës. Persekucioni që krijohet tani, do të jetë një e keqe e madhe për qeverisjen e nesërme.
5. Kategoria e zhgënjyer
Konkluzioni se stili i politikës së Berishës, i përfytyruar si një rreth u mbyll në Bathore, do të thotë njëkohësisht se me kaq u mbyll edhe perspektiva e qeverisjes së Berishës për të shkuar më përpara. Ky është përfundimi më i vlerë po ta kuptonte ekipi aktual qeverisës. Sepse sado që të marrë vendime Qeveria, tashmë ato nuk mund të gjejnë zbatim; precedent është Bathorja. Po si mund të qeveriset pa vendime e pa ligje? Një element tjetër shumë i rëndësishëm i perdes së gurtë në rrugën e perspektivës së Qeverisë Demokratike është se ajo humbi përfundimisht edhe kategoritë njerëzore që e kishte lidhur pas vetes.
Këta janë fshatarët e lëvizur nga trojet e tyre, janë edhe njerëzit që kanë ndërtuar kioska të paligjshme dhe kushdo që ka një aktivitet të paligjshëm. Këta rrinin urtë dhe faleshin për Berishën, të paktën në pamje të jashtme. Sepse shteti berishian kishte në dorë t’i degdiste nga shtëpitë. Mirëpo këtë gjë Berisha e bëri, dhe kështu e humbi dhe këtë kategori të fundit që kishte mbetur pro politikës së tij. Kategoritë e tjera kanë ndryshuar pozicion mjaft kohë më parë. Tani cila është baza e politikes së Berishës? Dy pikat e fundit të rrethit u takuan në Bathore.
“Botuar me 11 Qershor 1995 në gazeta Koha Jonë” /Temaonline
Berishaduhet rjepur i gjalle me bixhak e ti hidhet kripe ne trup
Përgjigju