Artan Santo

Opinion

Frrok Çupi: Nga vrasja e Santos deri te ç’shenjtërimi i politikës

19 Maj 2021, 09:45| Përditesimi: 19 Maj 2021, 09:48

  • Share

E shkruar me nxitim, si në sallën e operacionit:

Trupi i Drejtësisë po del me dhimbje nga klinika e vdekjes ku ishte që nga ‘Gjykata e Plepave’.

Atëherë Artan Santo rrekej të mbante në jetë bankat e vendit ku tentonin të fusnin duart mëkatarët, që nga Arsidi, ky francez i shpikur, e deri te Sudja. Por kur e vranë Santon- njeriun- shenjt, sipas etimologjisë së mbiemrit, te koka iu ndodhën gjykatësit e plepave dhe politikanët përbindësha, që e fshehën. Që atëherë nuk mund të guxonte njeri të mendonte se një ditë do të kishte Drejtësi për Santon

Sot është dita kur Struktura Speciale, e emërtuar shkurt SPAK, ka dhënë lajmin se ‘rihapet hetimi për vrasjen e Santos’.

Në atë dosje nuk ndodhet veç Drejtësia, por politika. Në do të takosh politikanë të tmerrshëm dhe pronarë mediash (po kaq të tmerrshëm) atëherë shko në katakombet e asaj dosjeje me emrin Santo.

Pse kaq  shumë njerëz dhe kaq shumë lloje njerëzish, në dosjen e Santos?

Vetë bankieri ishte aq i gjerë sa mbështillte brenda kurmit të vet, si djallin edhe epshin. Ai ishte gjeni, ishte edhe i dobët edhe i fortë, poet dhe financier, i dashuruar i përjetshëm dhe i synuar.

Sa shumë ka në këtë hapësirë të ngushtë krimi!

Po rri e mendohet dhe po zemërohet kreu i shtetit se ‘me shkarkimin vijnë ditë më të këqija’. Ilir Meta, teksa luante rolin e kryetarit të Kuvendit, akuzohej sy për sy se kishte përgatitur ‘vrasjen me pagesë’ të politikanëve. Një njeri- alibi për  vrasje të paguara u kap në veri të Tiranës, Fushë- Krujë. Emri i tij pastaj doli edhe si ‘vrasës i Santos’. Të ishte i njëjti, ai që u pagua për vrasjen e politikanit, edhe për vrasjen e Santos? Kështu u deklarua dhe pastaj u fsheh menjëherë. Atëherë hijet afrohen shumë.

Edhe një televizion afër Ilir Metës ishte i përzierë ato ditë (ditët e fundit të Tanit) në konfliktin me Santon. Nuk e kisha parë kurrë aq të terrorizuar Artan Santon sa ato ditë! Më fliste për atë televizion, për pronarin e drejtpërdrejtë dhe për Metën. Santo ka qenë një shenjtor i qetë, por me sa duket kishte takuar katallanin. Kuptova se ata kishin shkelur një kontratë dhe i kërkonin Santos o 20 milionë të tjerë, ose…

Po pse guxoi pikërisht tani Drejtësia që të hapë hetimet për vrasjen e Santos?

Kjo e shqetëson politikën e kohës, vetë kryetarin e shtetit e të tjerë, sepse sot e shikojnë veten të dobët para Drejtësisë. Sa e kanë sulmuar këtë të shkretë Drejtësi, që nga dita kur garant u bë SHBA?! Ndoshta pse në sfond u shfaqej Artan Santo, herë si engjëll, e herë si gost.

Ata që ndodhen në dosje nuk janë vetëm njerëz të egër, luftarakë ‘të sfurqeve’ si Iliri. Aty ka edhe bukuroshe të ëmbla. Grida e PD mori flatrat pikërisht nga dosja e Santos dhe fluturoi si politikane, e sot kalëron PD-në e Demokracisë. Disa njerëz rreth saj lëshuan fjalë se Santo ishte njeriu i ‘shpirtit të lirë dhe erotik’, pikërisht për të lehtësuar barrët e veta në çështjen hetimore.

Deri më sot ishte politika që e emërtonte çështjen me disa nofka: ose ‘erotike’, ose ‘azere’, ose ‘asgjë’. Erotika ishte guaska; asgjë- ja ishte harresa e krimit. Ndërsa azerët ishin biznesmenë azerbajxhanas me lidhje në politikën e lartë të vendit tonë, që ia kishte imponuar Santos dhe që mund të kenë dorë… Politika e ka vendosur vetë cilit do t’i jepet drejtësi e cilit jo, cili do të marrë kredi në bankë e cili jo, cili do të jetë i varfër e cili i pasuruar…

Më duhet se Artan Santo, si engjëllor, po merr rolin e ndarjes së epokës, njëra epokë kur Politika vendoste mbi Drejtësinë, dhe epoka që po vjen. Provat e fundit dëshmojnë se po vjen epoka kur Drejtësia do të vendosë mbi politikën.

A nuk i shikoni partitë humbëse dhe liderët e tyre si dhëmballë me nerva jashtë? Nuk ka paqe në PD, nuk ka as në partinë e Metës… Ka dy kryetarë andej, ka edhe dy kryetarë këndej. Nuk ka dorëheqje andej, nuk ka as këndej… Ka bllokim këndej, ka edhe andej bllok…

Militantët mendojnë se pritet që ‘ nyjen’ ta zgjidhë ‘bossi’ i madh. Në fakt nuk po ndodh kështu. Politikën do ta zgjidhë ‘Santo’ dhe ‘Gërdeci’. Gërdeci është dosja e madhe e vrasjeve në masë, me 26 të rënë dhe 300 të plagosur. Të njëjtët janë aq që bënë ‘Gërdecin’, edhe ata që bënë ‘Santon’…

Prapa dosjeve gjyqësore, ‘lum kush të rrojë’ që të zgjidhet a të zgjedhë në partitë fajtore.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?