Ish kryeministri, Sali Berisha

Frrok Çupi: Plani i Berishës për t’u arratisur në ’97! Helikopteri e priti 24 orë! Ja si i përdori njerëzit e SHIK

5 Janar 2023, 17:20| Përditesimi: 5 Janar 2023, 17:24

  • Share

Analisti Frrok Çupi ka folur për dosjet e nxehta në SPAK dhe për shkrimet e forta të historianëve britanikë, James Pettifer dhe Miranda Vickers, në librin e tyre “Çështja Shqiptare, Riformësimi i Ballkanit”, të cilët rrëfejnë detaje të braktisjes masive të Sali Berishës në 1997 nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Çupi ka zbuluar në një intervistë për gazetën “SOT” detaje dhe për në arratisje të Berishës nga vendi. Analisti shkruan se një helikopter i dedikuar për arratisjen e Berishës ka pritur 24 orë në pistën e Stadiumit Qemal Stafa, por Berisha mbeti mes dilemave ‘të hipte apo të mos hipte’.

-Zoti Çupi, me ardhjen në krye të SPAK të Altin Dumanit, duket si kur është ngacmuar edhe "foleja e grerëzave", pasi Prokuroria e Posaçme ka thelluar hetimet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit "Partizanit", ku të akuzuarit kryesor janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Si ju duket kjo lëvizje dhe a rrezikohet familja "Berisha"?

Po, ka ardhur zoti Dumani në krye të Prokurorisë së SPAK, e dimë. Mirë është, sepse mjaft punë në institucionet e shtetit varen edhe nga temperamenti e nga kultura e individit. Por SPAK-u është ky që ishte.  Këtu nuk është në pyetje aftësia apo aftësia e SPAK. Këtu vijnë nëpyetje dy punë të tjera: E para, po kuptohet më mirë dhe nga afër se sa thellë i kishte shtrirë tentakulat ‘kanceri’ Berisha. Ai është një dhunues i madh dhe i korruptuar i madh sa përbindëshi. Ai ka paguar dhe vazhdon të paguajë njerëzit e Drejtësisë, por i paguan me paratë e popullit që i ka vjedhur. Dëgjoni çfarë thotë Amerika, jo çfarë thonë Zeni me Argitën. Ndodhemi para një krimi më se shekullor të kryer nga familja Berisha. Kështu që, nëse prapë SPAK do të dështojë që ta lidhë Sali Berishën me të bijtë e të shoqen dhe me ish- ministrat e tij, atëherë kuptohet se kanceri Berisha nuk e ka ndjerë ende kimioterapinë amerikane. 

E dyta, në luftën mes Shën Pjetrit dhe Dragonit, dmth mes SPAK dhe Berishës, nuk vjen në pyetje SPAK. Në pyetje vjen lufta e Amerikës kundër krimit përbindësh të kryer në Shqipëri nga Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij në vendet që nuk ia duan të mirën Shqipërisë dhe kombit tonë. Berisha bërtet sikur ‘do të falimentojë Amerika’ përballë tij. Por kjo nuk ndodh. Nuk ndodh edhe që fati i shqiptarëve që është dhunuar nga Berisha, të mbetet prapë në duar të ‘Dragoit’, dmth., në duar të Përbindëshit.

Berisha bërtet kundër Amerikës sepse e ndjen veten në tavë duke u pjekur; thjesht u bie me grusht mureve të tenxheres, pa asnjë shpresë.  Por a mbaron kjo punë për pak ditë? Jo. Kjo punë e Amerikës me Berishën e ka zanafillën para 30 vjetësh, e tash ka ardhur fundi, por nuk ndodh brenda ditës. Berisha do të ‘piqet’ në tenxhere ngadalë-ngadalë, derisa t’i tregojë me hollësi edhe bashkëpunëtorët e tij në ‘botën e keqe’ që kanë dhunuar Shqipërinë dhe kanëcenuar sigurinë në Amerikë. 20 kulla të Jamarbrit mund të ngrihen për pesë vjet, por një dosje kriminale e Berishës, që peshon tonelata, nuk mund të qepet shpejt.

-Ndërkohë le të kthehemi pas në kohë, teksa historianët britanikë, James Pettifer dhe Miranda Vickers, në librin e tyre “Çështja Shqiptare, Riformësimi i Ballkanit”, rrëfejnë se Sali Berisha rrezikonte dënimin me vdekje në 1997, por e shpëtuan ndërkombëtarët nga frika e kryengritjeve të Veriut. Keni dijeni për këtë ngjarje?

E dëgjoj shpesh që thonë se ‘historianët britanikë James Pettifer dhe Miranda Vickers’ e kështu ashtu, sikur janë në një planet tjetër. Jo, jo, të dy këta që përbëjnë një çift, kanë jetuar shumë kohë këtu në Tiranë, flasin shqip dhe e njohin shumë mirë tmerrin Berisha. Me ta kemi debatuar, kemi shkëmbyer mendime, jemi shkathtësuar ne gazetarët e Shqipërisë se si shikohen ngjarjet në mënyrë më të vërtetë, kemi mësuar prej kulturës së tyre edhe se si vëzhgohen tiranët (si Berisha) edhe në kohën kur e brohorasin turmat. Sali Berisha nga Marsi deri në Qershor 1997,  jetonte me vdekjen.

Ishte mbyllur në zyrën e tij në Presidencë, me dy kallashnikovë në duar, ditë e natë. Shpesh herë thërriste si në jerm, me sa kishte fuqi, duke u drejtuar nga Jugu: ‘Erdhën  ata, po vijnë nga Vlora, po vijnë të më vrasin!’. Në fakt, njerëz të tij të, nga SHIK, kishin hapur fjalën se ‘vlonjatët janë nisur për të vrarë Berishën në Tiranë’. Por as e bënte njeri këtë; vlonjatët thjesht jetonin jetën e tyre dhe kishin rrethuar Vlorën që njerëz të Berishës të mos mund bombardonin urat dhe të mos lejoheshin për të hyrë në Vlorë. 

Unë kam qenë në Vlorë pa ndërprerje që nga Marsi e derisa përfunduan zgjedhjet parlamentare në fund të qershorit.... Pyetja: Kujt i thoshte Berisha se ‘po vijnë nga Vlora të më vrasin?’.  Iu thoshte qindra njerëzve të armatosur nga klani dhe fisi i tij që bënin sikur e ruanin nga Vlora. Qindra njerëz kanë bërë rojë dhe kanë fjetur në zyrat e Presidentit atë kohë, duke e rrethuar Sali Berishën njësoj siç rrethohen bosët e ISIS sot nëpër shpella. Ndërsa pjesëtarët e familjes dhe nja 500 bashkëpunëtorë, i kishte pajisur me pasaporta diplomatike dhe i kishte nisur nëpër Evropë.

-A ka tentuar Perëndimi dënimin me vdekje për Berishën?

Një plan i bërë gati për arratisjen e Berishës u duk qartë atëherë. Një helikopter i dedikuar për arratisjen e Berishës ka pritur 24 orë në pistën e Stadiumit Qemal Stafa, por Berisha mbeti mes dilemave ‘të hipte apo të mos hipte’. Në fakt nuk ishin dilemat e Berishës, ishin dilemat e Perëndimit. Përderisa Berisha u konsiderua ‘i mbaruar’, vallë pse duhej strehuar në Perëndim një dhunues aq i egër i kombit shqiptar?

Perëndimi, përballë kësaj situate, dërgoi në Shqipëri 7000 forca të armatosura, në misionin e titulluar ‘Alba’, i kryesuar nga Italianët, që kishte për qëllim mbrojtjen e popullit nga forcat e Berishës. Ishin disa politikanë shqiptarë që i dhanë garanci Berishës që të qëndronte këtu dhe të mbetej në politikë; nuk ishte Perëndimi. Dhe ja ku e kemi: Një Berishë ‘të mbaruar’ por agresiv, përçarës, të korruptuar deri në fyt, rrezik për paqen dhe stabilitetin, njëkohësisht edhe një turp për popullin. 

Militantët e Berishës kanë bërë të njëjtën gjë si terroristët nëpër shpella: Aty kanë fjetur, aty kanë ngrënë, aty kanë kryer nevojat biologjike. Kur Berisha është detyruar të lërë zyrën e Presidentit, është dashur rreth tre muaj që punonjës të shërbimeve të pastrimit të mund ta lanin Selinë e Presidentit nga ndotja fiziologjike që kishin lënë militantët e Berishës, edhe pemët e oborrit binin erë urinë. 

-Pse James Pettifer dhe Miranda Vickers kanë shkruar për rrezikun e Berishës në përhapjen e terrorit në Veri të vendit?

Sepse ata bazohen në vëzhgimin e tyre tëpërditshëm, por edhe në dokumentet diplomatike angleze dhe amerikane. Berisha ka ndjekur planin që ta zhyste në përgjakje gjithë kombin shqiptar, mes veti. Qëllimi ishte që krahas luftës civile në Shqipëri ‘për shkak’ të piramidave financiare që groposën ekonominë dhe jetën e familjarëve në Shqipëri, po kjo luftë të digjte edhe Kosovën. Plani ishte që Veriu i Shqiptarëve ( ku bën pjesë edhe Kosova)  të zhytej në luftë e të harroheshin Piramidat.

Por plani ishte edhe më tej, që gjatë Luftës, shqiptarët që jetojnë nga lumi Mat deri në lumin Ibër, të bënin një shtet më vete dhe të ndahej Jugu nga trungu i atdheut. Ka një mijë prova për këtë, edhe dokumente zyrtare. Amerika i ka plot dosjet me dokumentet mbi rrezikun e Berishës. Duhet shumë kohë për t’i folur e shkruar. Berisha ka ecur ‘i sigurt’ drejt planit për të përdorur shqiptarët në Ballkan si ‘mburojë mishtore’ kundër Perëndimit; reminishencate këtij plani vihen re qartë në ditët e sotme kur Berisha edhe pse ‘i mbaruar’ po përdor garnizone foltoresh për t’u hakmarrë kundër Amerikës.

Ka bërë thirrje që shqiptarët e Kosovës të mos i bashkohen projektit të SHBA për ‘pavarësinë e Kosovës’; në Rambuje ku u ngjiz plani amerikan ai lëshoi thirrjen ‘mos e pranoni Planin’. Ka bërë të gjitha përpjekjet për të shpërthyer konfliktin mes dy forcave të armatosura në Kosovë (UÇK dhe FARK) duke sunduar që me përplasjen mes tyre të niste edhe Lufta Civile në Kosovë- njësoj si në Shqipëri nëvitin 1997; ka burgosur dhe kallëzuar te makina speciale e Millosheviçit autorët e fillimit të Luftës për Liri në Kosovë...

Por njeriu shqiptar, që ndali planet e Berishës, ishte Ibrahim Rugova, president i Kosovës. Ndërsa dorë e Berishës për realizimin e planit ogurzi ishin Idajet Hiseni i LDK dhe Adem Demaçi- një njeri i dyshimtë, i dalë nga burgjet e Jugosllavisë si një ‘Stalin i vogël’. Mbi të gjitha ishte dora e Perëndimit dhe sidomos e Amerikës që e ndaloi Berishën të kryente krimin më të madh të globit./Sot

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?