Opinion

Frrok Çupi: Shansi i fundit ose goditja me bisht

9 Prill 2021, 17:18| Përditesimi: 9 Prill 2021, 17:19

  • Share

A na bëjnë sytë apo janë këta që përplasen me vetveten?! Kërcënojnë, komplotojnë, vetëflijohen, shesin ajër… Para një ore, Lulzim Basha u kthye në vendin e krimit, te Teatri Kombëtar dhe nënshkroi prapë marrëveshjen: ‘Do ta ndërtoj siç ka qenë në vitin 1939”. Kjo është hera e dytë që nënshkruan për një epokë të vdekur.

Çfarë po ndodh, a duhen pastruar syzet, apo këta janë?…

I njëjti konvulzion si i George Orwell kur e konstatoi së prapthi vitin kur jetonte;  shikonte një tjetër luftë me vetveten dhe shënonte ‘Viti 1984’ në vend të ‘1948’. Më duket sikur jam në akuarium, stërkalat vijnë prej të të njëjtit lloj kafshe e përplasen në qelq.

Po përplasin bishtin ata që ishin, ja kjo është. Dinozaurët qenë krijesat e para, më të mëdhatë e botës, por që edhe këta ditën e fundit nisën të godasin me bisht. Sado me pushtet qofshin, ditën e  keqe kur nuk ka më fuqi, krijesa godet me pjesën e fundit të trupit.

Lulzimi është ‘kafsha’ më e butë, por edhe ky ndodhet para shansit të fundit. Sondazhet më të  besueshëm të rruzullit e kanë bërë të qartë se i humb fort zgjedhjet e 25 prillit. Por të paktën bën qokat: Vëllezërve Budina, që i nxori zbuluar para fisit, u thotë se do të shihemi në vitin 1939; traut të Kalimashit i kërkon të presë edhe 30 vjet; militantëve vdekatarë u thotë të mos e çajnë kokën nga koronavirusi; budallenjve u thotë se Bashkimi Evropian ka mbajtur ‘një karrige për mua’… Luli godet të mashtruarit dhe ata që duan të mashtrohen, ky është mëkati. Por të paktën ky është i butë edhe kur godet me bisht. Më të rëndat i ka pasur goditjet ndaj liderit të tij e paraardhës , njëkohësisht. Luli e ka izoluar Berishën, të paktën hë për hë. Berisha as shfaqet në mitingje, as lejohet të flasë në emër të PD për vaksinat, as pasardhësit nuk i shfaqen në publikun politik.

Vetë Berisha, me sa duket ka rënë; as gishtin nuk e ngre dot më. ‘Të zë e jotja!’, thotë populli. U bënë shumë, që nga viti 1992 kundër pasurisë kombëtare, kundër Drejtësisë, kundër kursimeve të shqiptarëve, kundër popullsisë së Jugut; kundër dëshmitarëve dhe kundërshtarëve; kundër protestuesve; pro të ligës… As me bisht nuk godet më.

Kryetari i PD më shumë po ruhet nga bishti i Metës.

Goditja e fundit e Ilir Metës ishte goditja e Rinasit: Kamikazët e tij bllokuan hapësirën qiellore duke bllokuar lëvizjen e qytetarëve, trafikun botëror ajror, ardhjen e vaksinave andti- covid… Për fatin tonë të mirë, bishti i Metës kapi Amerikën. Amerika ka planifikuar stërvitjen militare më të madhe në vendin tonë dhe aeroporti do të përdorej; Meta e bllokoi bash në këtë ditë.  A donte ‘kafsha politike’ që të godiste Amerikën? (Prisni- prisni!- pat deklaruan e shoqja Monika- Meta është kafshë politike e tmerrshme!). Po të mos i drejtohej Amerikës, ishte pa vlerë se çfarë mund t’u bënte shqiptarëve! Kundër amerikanëve është betuar se do t’i kapë ‘për veshi’, por kjo ka ndodhur kohë më parë, kur nuk e kishin lëshuar të gjitha fuqitë. Edhe Reformën e Drejtësisë e ka goditur disa herë saqë e ka lëshuar përtokë por prapë është ngritur. Ka goditur Kushtetutën, ka  lënë postin e presidentit dhe është angazhuar hapur në fushatën politike për partinë e gruas; ka goditur zgjedhjet e kaluara; ka goditur me grushte policinë; ka goditur stabilitetin e vendit, ka dalë i dehur me raki…

Goditja me bisht ishte e fundit, në Rinas: . Të tre liderët e opozitës u tradhtuan nga brenda dhe e përdorën ‘bishtin’ para kohe. Ata ishin betuar se atë pak fuqi që ka mbetur do ta kishin për ditën e zgjedhjeve të 25 prillit; por edhe ky shans ra.

Pse nuk ka më shans tjetër?

E para, se bie dinastia e keqe e pushtetit të vjetër. Këta kanë tre dekada që i bëjnë namin vendit dhe individit, që nga grabitja deri te krimi- krim. Kësaj here, me humbjen e 25 prillit, çmontohen.

E dyta, se sapo të ulin bishtin, dikush do të trokasë në derën e tyre me një letër nga Prokuroria e Drejtësisë së re. Nuk ka mundësi që nga kjo botë dikush të largohet pa u falur para vdekatarëve të tjerë të gjallë.

E treta, se nuk e kanë kohën me vete; natyra ka ligje. Është një fosil i dinozaurit në ujërat e njërës  nga shpellat më atraktive turistike të Sllovenisë, shfaqet i vogël sa një peshk cironkë; është edhe i fundit. Aq ka mbetur.

Edhe stërkalat e bishtave të tyre në faqet e akuariumit do të pushojnë së rrahuri…

Komento

Komente

  • O tej: 09/04/2021 17:36

    Bravo Frrok je gjigand!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?