Nëndetësja 105

Frrok Çupi: Sovjetikët e mbetur në Tiranë

27 Shkurt 2023, 18:59| Përditesimi: 27 Shkurt 2023, 19:06

  • Share

Vetëm një nëndetëse, ‘Stuhia 105’ ka mbetur ende gjallë mbi ujëra, që flet hapur se është ‘sovjetike’. Gjithçka tjetër me nënshkrimin ‘sovjetike’ është zhytur o në thellësi të kohës, ose në një ‘harresë’ të qëllimtë.

Në Shqipëri, sot e kësaj dite, kur thuhet ‘Rusia’, ose ‘Moska’, admiruesit e mbetur në këto territore nënkuptojnë Bashkimin Sovjetik. Pa Bashkimin Sovjetik, Rusia nuk do të mbushte gjoksin e dashuruar pas Lindjes, dhe sidomos krijesat e ripërtërira anti- Perëndimore. Lufta e Rusisë për pushtimin e Ukrainës ka nxjerrë ‘mbi ujëra’ disa mbishkrime të tjera si ‘Stuhia 105’, por që nuk deshifrohen qartë.

Jemi në një moment kur pritja për rezultatin e luftës në Ukrainë, edhe këtu në Tiranë, do të përcaktojë përfundimisht kahjen pro- Perëndimore dhe kahjen tjetër pro- Bashkimit Sovjetik. Thjeshtësisht mund të them ‘kahje pro- Rusisë’, por kjo nuk e plotëson të vërtetën. Ata që presin që ‘Rusia të fitojë’, kanë jo vetëm ëndrra të vjetra, por edhe shpresa të reja. Shpresa është sa e imponuar nga rrethanat e reja, aq edhe e vjetër. E vjetër, jo thjesht siç kanë mbetur ende në jetë disa çifte të kohës që i kalonin mbrëmjet duke kërcyer vals në Hotel Dajti bashkë me çiftet e ushtarakëve sovjetikë; por e vjetër në stilin e qeverisjes. 

Me siguri, nëse këtu do të instalohej në një çast ‘sa hap e mbyll sytë’, stili bolshevik i qeverisjes, një plejadë e tërë udhëheqësish shqiptarë që rrënuan vendin gjatë këtyre 3 dekadave, do të shkarkoheshin nga akuzat për korrupsion e keqpërdorim të kapaciteteve të vendit. Këta janë fuqishëm të dashuruar me ‘fatin’ e kthimit fitimtar të Bashkimit Sovjetik nga lufta mbi Ukrainë, njësoj siç do të prinin fatin e çdo kthimi pas.

Secili nga politikanët e njohur në Shqipëri që ka guxuar të manifestohet si antiamerikan, ka guxuar sepse ‘mbështetet mbi një fuqi tjetër të madhe’, por që për ta nuk është Rusia ‘e pa fuqishme’, ‘me ekonomi të dobët’ dhe autoritet në rënie.  Dy ish- presidentë dhe dy ish- kryeministra të vendit, që nga viti 1992 deri në vitin 2017, të vënë nën akuzë dhe hetim për korrupsion të madh, kanë rreth tyre një ‘ushtri’ të tërë të yshtur që të mbushin faqet e internetit me ‘krenari sovjetike’ dhe me cinizëm se ‘ç’i duhej Ukrainës të luftonte me Bashkimin Sovjetik?!’

Fjalori i vjetër ‘sovjetik’, nuk është thjesht një atavizëm; jo, ky është  një si nëndetëse që mban mbi vete peshën e djeshme të fuqisë ushtarake dhe ekonomike mbi gjithë Lindjen ose më gjerë. Këta mund ta mbushin shpresën e aspirantëve se ‘fiton Moska kundër Uashingtonin dhe Brukselit’, vetëm duke ofruar hijen e ‘Sovjetike’, jo Rusinë e sotme. Sovjetikët kishin armatim të rëndë, prodhonin tanke dhe avionë të fuqishëm, nëndetëse dhe ushtarë të etur për luftë…

Gjithë situata politike e ‘opozitës’ po mbahet mbi iluzione; e vërteta nuk pi ujë. Pse vallë hidhen poshtë disa të vërteta që dalin si mali parasysh por këta nuk i shohin; dhe ndërkohë ‘bluhen’ 24 orë iluzione që nuk kanë lidhje me të vërtetën? Hidhet hije bunkeri mbi akuzat e Drejtësisë së Re ndaj ish presidentit të parafundit, Ilir Meta, për aferën gjysmë- miliardë dollarë në aferën CEZ; kalohet nxitimthi në Bulevard ku qeveria Berisha vrau demonstrues kundër korrupsionit; harrojnë se në SPAK janë bërë gati dosjet penale në ngarkim të familjes së ish- kryeministrit; flitet për ‘fitoren në zgjedhje’ të Berishës kur ky nuk ka parti; ‘harrojnë’ historinë e trishtë të qeverisë së PD mbi fatet e vendit… Po sulmohet me harresë akti i Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë për shpalljen e Berishës si ‘minues i demokracisë dhe bashkëpunëtor me grupe kriminale’.

Kjo është e njëjta strategji si me ‘Bashkimin Sovjetik’. Ai që nuk ekziston më, ai sillet si realitet prej këtyre. Militantët e Foltores dhe të Lirisë, pa pushim komentojnë se ‘Ukraina nuk mund të ndahet nga Bashkimi Sovjetik’, se ‘Ukraina nuk ka demokraci, prandaj nuk e meriton pavarësinë’, se ‘NATO nuk i duhet Ukrainës’, ‘NATO nuk ka punë Kiev as në Stokholm’… Përderisa janë vendosur në një qëndrim antiamerikan, natyrshëm kërkojnë të mbështeten në një fuqi tjetër të madhe; para syve u del Bashkimi Sovjetik. Edhe kjo një shpresë e të humburit dhe një iluzion.

Por të paktën me ‘BS’ mund të manipulojnë ithtarët, Rusia nuk i ngop./Fjala.al

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?