Altin Prenga

Frrok Çupi: Tani, kur ka nevojë Altini, ne s’jemi aty

15 Shtator 2023, 22:55| Përditesimi: 15 Shtator 2023, 22:58

  • Share

Tanimë, si pa zë, mes nesh kemi bërë marrëveshjen se kur themi ‘Altini’, na vjen ndërmend Mrizi i Zanave në Fishtë…

Unë për vete e ngatërroj edhe me nipin tim që quhet ‘Altin’. Por askush nuk e ka nip të vetëm Altinin e Mrizit; sepse ai hyri mes të gjithëve dhe ne të vegjlit individë, nuk kemi më shumë pjesë te ky njeri.

Ai tanimë është miku i mijëra të huajve, që nga Londra, në Milano e në Uashington… Mik i mijëra turistëve që trokasin te ky çdo javë; me rreth njëmijë në ditë gjatë verës. Madje Altini është mik i ngushtë i shtetit i cili ka nevojë për modele të zhvillimit në punë e në fantazi biznesi…

Por më duket se këto ditë Altini ka ngelur i vetëm; aq sa i të gjithëve ishte. Jam tmerruar kur e kam dëgjuar fjalën e tij si një thirrje ‘SOS’ në mes të detit; në një det pa ujë.

Pikërisht për ujin po lëshon alarmin Altini. Mendoni një njeri që i bëri të gjitha vetë, pa thënë asnjë fjalë ankuese…, tani lëshon alarm. Uji është jeta, e të gjithë jemi si orizi, nuk bëhemi pa ujë. Orizi i Altinit të Mrizit mbeti pa pikë uji, siç thotë mjeshtri. Ai tha fjalën e fundit: ‘Po e mbyll këtë punë, tani nuk ka më oriz të Fishtës, po marrim oriz kinez!’.

Sa dëshpëruese është!

Altini i Mrizit kishte pak vite që kishte nisur ta prodhonte orizin në tokën e tij, e pastaj ta sillte në restorantin e famshëm ‘Mrizi…’. Këto ditë dëshpërimi ai postoi ne fb. edhe një foto ku fshatarët e tij punonin në orizore para 70 vjetësh, bash aty ku Altini po kërkon ndihmë për ujë. Gjithë vendi ynë ka prodhuar oriz, por tani asnjë kokërr. Tani amvisat hapin sytë që të mos blejnë ‘oriz plastik’ në vend të orizit të vërtetë.

Kjo është pjesa e alarmit që lëshon Altini e ne nuk i ndodhemi pranë.

Çfarë mund të bënim ne? Mund të bënim solidaritetin!, kaq shumë mund të bënim sa solidaritetin. Aristoteli pat thënë se “Njeriu, për nga natyra është një kafshë shoqërore”. Atëherë, qëkur lindim e shijojmë mrekullitë e njërit (si edhe Mrizin), jetët tona formohen nga ndërveprimet me të tjerët.

Kjo është e dobishme në raport me Altinin.

Ai ka nevojë për ujë, edhe pse Agroturizmi i tij ndodhet buzë Drinit(!). Por shteti në vitin 2010 ka bërë një kontratë vdekëse ndaj njeriut këtu, saqë nuk lejon asnjë pikë ujë të vijë nga Drini. Kontrata është me një kompani në Austri, e cila ndalon që nga korriku, por sidomos në shtator, as edhe një pikë ujë të mos vijë te tokat që sot janë orizore. Pra vdiq orizorja për shkak të një kontrate vdekëse para 13 vjetësh.

Ne nuk ndodhemi pranë Altinit, në solidaritet; ai thërret i vetëm. Edhe pse në fakt secilit prej nesh i ‘mungon uji’ për shkak të ligjeve të vjetra. Ka një ligj më të vjetër e më të tmerrshëm i cili na ndalon të drejtën e secilit mbi pronën e tij. ‘Toka e xanë’ është kthyer në kafshën Totem të kësaj shoqërie të re. Të gjithë ulërijnë nëpër facebuke e nëpër dyqane kafeje, por kaq. Secili është vetëm dhe do të jetë.

A nuk mund të mendojmë se ligjet vdekëse që na lënë pa tokë dhe ‘pa oriz’ t’i ndërrojmë? Apo nuk u duhet hyrë punëve të vështira, siç ka bërë Altini? Po ne kemi nevojë bash për punë të vështira, sidomos tani që po zgjohemi nga e shkuara shumë e mbyllur. Për t’u zgjuar na duhet të shikojmë këtu brenda, jo atje larg e jashtë. Vështirësitë janë të mira për njeriun, ato janë të domosdoshme për shëndetin dhe për mirëqenien.

Atëherë ‘kafshë shoqërore’, siç thoshte Aristoteli

Altini, edhe në rastin e thirrës së dëshpëruar po na kërkon që të jemi aty. E di pse? Sepse jo gjithçka varet nga ajo që kemi para syve. Gjithçka varet nga ajo se si i shohim gjërat…

Sot duhet ta shikojmë të mundur ujin, tokën, pronën.., gjithçka tonën.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lui: 16/09/2023 10:40

    Po e them që në fillim apriori që jam me Altinin për sa i përket dëshirës së tij. Por nga ana tjetër jam kundër idesë që ka pasur. Meqë thotë që koncesioni i është dhënë që në 2010, atëherë ti kur e dije këtë gjë pse investove në orizore që kërkon ujë të bollshëm? Të kishe kërkuar ndonjë kulturë tjetër bujqësore. Dhe duhet të kesh parasysh që dhe në kohën e komunizmit që për bujqësinë investohej shumë, dhe atëherë nuk kishin aq shumë rendiment orizoret.

    Përgjigju
  • Tibirio: 16/09/2023 10:27

    Mos fol shumë se këta qeveritarë Noc Rokun do të të japin në fund

    Përgjigju
  • poli: 16/09/2023 04:50

    nuk jane aty tek altini o frrok , ,se e kane mendjen te vjedhin,,,prandaj kemo mbetir pa uje,,kur kemi uje pa fund..

    Përgjigju
    • Alrini: 16/09/2023 09:00

      Po pse mbjell oriz në Shqipëri nuk ka fitim edhe sikur të kesh ujë? Mbill banane se nuk do uje? As bananet nuk bëhen këtu. Ke ngatruar profesion.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?