Ky ishte viti 111 i Pavarësisë së shtetit. Supersticiozët, që në mëngjes në telefonat e tyre shënuan orën 11.11 dhe muajin 11 të vitit. Të tjerët, më shumë nuk e dinin se sa e dinin pse uronin e pse shkruanin me pathos. Disa ‘o shqipe’ i shkruan urimet në një shqipe të shpartalluar; si për shembull njëra mbi një flamur dhe një filxhan kafe: ‘Ju Beft Mir’; të tjerat ‘deha ma keq’. Festojmë festat, siç dje festën e Pavarësisë, dhe në më të shumtën e herëve njerëzit fshihen nën humusin e festës.
Festat nacionaliste janë si fotografi i hershëm i studios ‘Skënderbeu’ ku njerëzit shkojnë e marrin ‘negativin’ e tyre. Ajo ishte një kohë kur një ‘foto te Skënderbeu’, nuk ishte veç një kujtim familjar, më shumë ishte një ‘pasaportë’ atdhetari, në pjesën e pasme ose edhe në kornizën e fotos familjare vihej stampa ‘Skënderbeu’.
Pse tjetër vijnë liderët kosovarë në Vlorë?, veçse për të marrë ‘vulën’ se ishim për kombin!. Ndërsa ‘negativin’, domethënë filmin e larë në solucione, shumica nuk e tregonin kurrë, sepse u dukej vetja si ‘tjetërkush’. Tani që nuk është më Studio Skënderbeu, njerëzit tjetërsohen realisht në festat dhe shpërthimet nacionaliste. Aty në turmë, kur të gjithë tundin flamuj dhe këndojnë këngë me jo shumë kuptim, ata janë ‘të tjerë’: As i njohin vetes defektet, as i njohin fqinjit atdhetarinë, as i njohin shtetit arkitekturën; dhe, as duan të njohin të vërtetën. Turma festive është si një lum që as do me e dijë të vërtetën…
Se historia është e tillë, që, po të mbahet mend, patriotëve u duhet ta kalojnë jetën ‘me lugë në brez’, domethënë nga njëra festë në tjetrën. Për fat të mirë, politika para dhe pas- komuniste e vuri shtizën e flamurit në Vlorë; por mund ta kishte vënë edhe në Shijak. Nëse do të ishte ‘Pavarësia e Shijakut’, nuk do të quhej Vjosa, por Erzeni si lumë ‘i madh ndanë Pavarësisë’. Vetë Televizionin ‘Shijak’ do të ishte televizion kombëtar… Edhe Vlora si qytet kaq i bukur turistik nuk do ta kishim; në vend të tij do të ishte Shijaku me totemin e pulave të Dukës.
Por e bukura është se vërtet Pavarësia u shpall para Vlorës, në disa qytete, nga njerëz që ‘ashtu iu desh ideja’. Në qytetin e Shkodrës e ngriti flamurin e kombit Çun Mulaj, bajraktari i Hotit, mes 2500 burrave, në datë 19 prill 1880. Edhe në Korçë, sipas këtij modeli, u mblodhën 1000 burra për flamurin; por u vra Athanas Themeli, si me thënë ‘Çun Mulaj i Korçës’. Kanë qenë 11 qytete shqiptare ku është ngritur Flamuri i Pavarësisë. Vetëm një ditë para Vlorës, në 27 Nëntor 1912 Flamuri u ngrit në Durrës. Edhe malësorët e Mirditës e të Dibrës e të Pukës e të Arbërisë, e shpallën pavarësinë në vitin 1911. Jo në qytet, sepse nuk kishte qytet në rrëpirat e Pukës e Mirditës, por në një fshat; fshati quhet Kimëz, edhe qeveria ‘Përtashme’ u quajt qeveria e Kimzës.
Nuk do të ketë më ‘11’.
Atëherë edhe festuesit e llojit ‘o shqype’ nuk do të fshihen kaq shumë prej vetes dhe nuk do të kërkojnë ‘negativin’ e kaluar. Negativi i fotos së vjetër na bën të fusim kokën poshtë bankës së shkollës dhe poshtë tavolinës së bukës. Si sot 11 vjet më parë, në 28 Nëntor 2012 shteti, aq vulgar, e festoi Pavarësinë me një tortë para Pallatit të Kulturës.
Torta ishte 550 metra katrorë sipërfaqe dhe me një trashësi rreth 1 metër. (Sipas supersticiozëve i bie që 5+5+1 = 11). Në tortë udhëheqësi i shtetit e zhyti i pari lopatën…, pas tij erdhën turmat me legenë, me kazanë, me lopata, me sfurqe, me bidonë, me përparëse… Që atë ditë, në tortën e përmasave 5+5+1=11, lindi ideja e kryetarit të shtetit ‘me sfurqe e me lopata’. Viti 1911, (dmth 19+11) kishte qenë viti më tragjik për shtetin. Atë ditë shteti shqiptar pësoi deformimin më të tmerrshëm; atë ditë, në datë 21 Janar (10+11) shteti vrau katër qytetarë të pafajshëm. Atë ditë, shteti ‘kuq e zi’ u nxi përjetë dhe u vu në listën e paktë të botës si ‘shtet vrasës’. Sivjet po bëhen përpjekje për ta liruar shtetin nga përbindëshi që vrau qytetarët e vet në 21 Janar. Ajo çfarë duhet të bëjmë është që para se të festojmë prapë, më parë të evitojmë numrin ‘11’, e pastaj vetë autorët e mallkimit të shtetit. Siç bëjnë kombet e tjerë.
Një dekadë pas 11 shtatorit 2001, në Amerikë u shfaq filmi i famshëm 11/11/11. Film horror i mbinatyrshëm me skenar dhe regji nga Darren Lynn Bousman. Filmi zhvillohet në orën 11:11 të ditës së 11-të të muajit të 11-të dhe ka të bëjë me një entitet nga një botë tjetër që hyn në sferën tokësore përmes portës së 11-të të Qiellit.
Filmi u shfaq në 17 kinema brenda vendit më 11 nëntor 2011. Edhe bullgarët e kanë përjashtuar një nga datat e mallkuara. Mobiteli i Bullgarisë e ka përjashtuar numrin 0888 888 888. Tre njerëz që përdorën këtë numër, humbën jetën. Edhe në Greqinë e lashtë mohohej emri i zjarrvënësit të Athinës. Ky ishte ndëshkimi. Edhe në shtetin tonë duhet të vëmë kufij ndaj të keqes.