Foto ilustruese

Bota

‘Frymë’ në K2-18b, zbulohen gjurmë të mundshme jete 124 vite dritë larg nga Toka

17 Prill, 07:24| Përditesimi: 17 Prill, 07:31

  • Share

Në atë që, nëse konfirmohet, mund të bëhet një zbulim historik, një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Cambridge kanë njoftuar në një konferencë për shtyp se kanë identifikuar gjurmët kimike më bindëse të vëzhguara ndonjëherë për një formë të mundshme jete përtej sistemit tonë diellor.

Duke përdorur teleskopin hapësinor James Webb, është zbuluar në atmosferën e planetit K2-18b prania e dy gazeve – dimetil sulfuri (DMS) dhe dimetil disulfuri (DMDS) – të cilat në Tokë prodhohen ekskluzivisht nga organizma të gjallë. Një lloj frymëmarrjeje pra, ose të paktën gjurmë të mundshme të frymëmarrjes së algave detare dhe mikroorganizmave të tjerë.

Autorët e studimit, i publikuar në revistën The Astrophysical Journal Letters, sqaruan se nuk kanë zbuluar organizma të gjallë, por kanë identifikuar një bioshkrim të mundshëm, pra një tregues të mundshëm të aktivitetit biologjik dhe se rezultatet duhet të vlerësohen me kujdes, pasi nevojiten ende vëzhgime të mëtejshme për të arritur në përfundime të sigurta.

Zbulimi i K2-18b: nën shenjën e Luanit

Planeti K2-18b është i njohur për ekspertët e ekzoplanetëve pasi ka qenë më parë i dyshuar për gjurmë të organizmave biologjikë. Tetë herë e gjysmë më masiv se Toka dhe me një diametër 2,6 herë më të madh, ndodhet 124 vite dritë larg nesh, në konstelacionin e Luanit, dhe rrotullohet brenda të ashtuquajturës zonë të banueshme të një ylli xhuxh të kuq. Kjo e bën atë teorikisht të përputhshëm me praninë e ujit të lëngshëm në sipërfaqe, një kusht thelbësor për jetën.

Sipas disa studimeve, brendësia e K2-18b përbëhet, ndoshta, nga një mantel i trashë akulli me presion të lartë, si në Neptun. Është “një nën nëptunian që ka aromë deti”, siç shkruante Inaf, sepse bollëku i metanit dhe dioksidit të karbonit dhe mungesa e amoniakut sugjerojnë që në sipërfaqe – poshtë një atmosfere të hollë të pasur me hidrogjen – mund të ketë një oqean.

Që nga viti 1990 janë zbuluar rreth 5.800 ekzoplanetë, domethënë planetë jashtë sistemit tonë diellor. Jo të gjithë janë ‘kandidatë’ për të qenë të banueshëm: aktualisht janë disa dhjetëra që mund të jenë kandidatë.

Studimet mbi gjurmët e sulfurit në K2-18b

Në K2-18b tashmë ishin identifikuar gjurmë të përbërjeve si metani dhe dioksidi i karbonit. Dhe në vitin 2023, i njëjti grup shkencëtarësh kishte identifikuar tashmë elementë që lidheshin me DMS dhe DMDS, por një studim nga disa studiues kalifornianë ishte si një ‘dush’ i ftohtë mbi kërkimet: “Ai sinjal – tha Shang-Min Tsai, autori i studimit që vitin e kaluar kishte zbehur rëndësinë e zbulimit – mbivendoset shumë me atë të metanit dhe ne mendojmë se dallimi i dimetil sulfurit nga metani shkon përtej aftësive të këtij instrumenti”, domethënë të teleskopit James Webb. Një nga aftësitë e teleskopit është pikërisht ajo për të analizuar përbërjen kimike të atmosferës së planetëve shumë të largët, dhe sinjali që vinte nga K2-18b ishte shumë i dobët dhe i ndërprerë.

Megjithatë, shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit, të udhëhequr nga astrofizikani Nikku Madhusudhan, nuk u dorëzuan dhe vazhduan me vëzhgimet e tyre, duke u bindur se bëhet fjalë pikërisht për ato përbërje. "Ajo që po vërejmë në këtë fazë janë sinjale të një aktiviteti të mundshëm biologjik jashtë sistemit tonë diellor," deklaroi Madhusudhan, i cili gjithsesi nënvizon nevojën për kujdes. "Mendoj se ky është rasti më i afërt me një karakteristikë që mund t’i atribuojmë jetës" – megjithëse, sipas tij, janë të nevojshme ende shumë vëzhgime të tjera.

Në fakt, megjithëse sinjalet e zbuluara janë më të qarta krahasuar me matjet e mëparshme, ato ende nuk e arrijnë pragun statistikor të nevojshëm për t’u konsideruar si një zbulim i konfirmuar. Sipas Madhusudhan, do të mjaftonin nga 16 deri në 24 orë vëzhgimi shtesë me teleskopin James Ëebb për të konfirmuar – ose përgënjeshtruar – praninë e dimetil sulfurit. Një objektiv që mund të arrihet në vitet e ardhshme.

Dyshimet e studiuesve të tjerë

Studiues të tjerë, të cilët nuk janë pjesë e këtij studimi, bëjnë thirrje për kujdes, pasi në të kaluarën gjurmë të DMDS janë zbuluar edhe në një kometë – një fakt që sugjeron se kjo substancë mund të krijohet edhe nga procese ende të panjohura, të cilat nuk kanë lidhje me jetën. Për më tepër, përqendrimi i zbuluar në K2-18b është mijëra herë më i lartë se ai në Tokë, çka mund të tregojë një origjinë krejtësisht të ndryshme. “Të dhënat nga K2-18b janë magjepsëse”, tha Christopher Glein, shkencëtar në Southëest Research Institute në Teksas. “Këto rezultate të reja janë një kontribut i rëndësishëm, por duhet t’i testojmë sa më thellë që të mundemi. Po pres me interes analiza të mëtejshme të pavarura.”/La Repubblica

 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?