Kartëmonedha euro

Frymëmarrje për huamarrësit në Euro, Euribori zbret në nivelin më të ulët në 7 muaj

7 Dhjetor 2023, 08:54| Përditesimi: 7 Dhjetor 2023, 09:09

  • Share

Normat e interesit të Euros në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar një rënie të ndjeshme në fillimin e muajit dhjetor.

Treguesi kryesor benchmark i përdorur për kuotimin e huave në monedhën europiane, Euribori 12-mujor, këtë javë ka rënë në nivelin më të ulët të shtatë muajve të fundit.

Në datën 5 dhjetor, Euribori 12-mujori zbriti në nivelin e 3.78%, niveli më i ulët që nga muaji maj i këtij viti.

Në muajin nëntor, inflacioni në Eurozonë pësoi një rënie në 2.4%, niveli më i ulët që prej korrikut të vitit 2021. Rënia më e fortë se pritshmëritë e inflacionit ka forcuar besimin në tregje se cikli i shtrëngimit të politikës monetare në Eurozonë ka arritur tashmë pikun. Madje, rënia e inflacionit ka ngjallur shpresën se duke filluar nga viti i ardhshëm Banka Qendrore Europiane mund të fillojë uljen e normave të interesit.

Këto pritshmëri janë përcjellë në një ulje të ndjeshme të normave të interesit në tregjet europiane. Euribori 12-mujor pësoi rënie me pothuajse 0.3 pikë përqindje në harkun e një jave.

Këto zhvillime sjellin lajme të mira për kredimarrësit shqiptarë që kanë kredi në monedhën e përbashkët europiane, të cilët në dy vitet e fundit janë përballur me rritje graduale të normave të interesit.

Banka Qendrore Europiane prej një viti e gjysmë po ndjek një cikël të shtrëngimit drastik të politikës monetare, që e çoi normën bazë në nivelin më të lartë historik prej 4.5%. Kjo politikë bëri që Euribori të ndiqte rritjen e normës bazë dhe në shtator të këtij viti arriti në pothuajse 4.2%, niveli më i lartë në 15 vjet.

Kreditë me norma të ndryshueshme interesi në Euro zakonisht janë të ndërtuara mbështetur në ecurinë e Euriborit 12-mujor, të cilit i shtohet një marzh fiksi interesi. Norma e interesit rivlerësohet të paktën njëherë në vit, për të reflektuar ndryshimet e Euriborit në kohë.

Rritja e Euriborit ka bërë që normat e interesit të kredive të rriten ndjeshëm dhe kanë ndikuar në frenim të ndjeshëm të kreditimit në Euro nga sektori bankar shqiptar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për muajin shtator, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në Euro arriti në 5.64%. Ky është niveli më i lartë i shënuar qysh kur Banka Qendrore Europiane nisi rritjen e normave të interesit vitin e kaluar. Ndryshimi mes interesit mesatar të kredive për shtëpi në Lekë dhe atyre në Euro arriti në 1.51%, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Një një pjesë e kredimarrësve madje i kanë konvertuar kreditë nga Euro në Lekë, për shkak të normave më të favorshme të interesit.

Për kredimarrësit me të ardhura në Lekë, rritja e normave të interesit të Euros është balancuar nga efekti pozitiv i kursit të këmbimit. Por, për huamarrësit me të ardhura po në Euro, kostoja e huave është rritur ndjeshëm gjatë këtij viti.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë në valutë të huaj përbënin 50.3% të portofolit total të sektorit bankar në mesin e këtij viti. Nga ana tjetër, teprica e kredive në valutë të pambrojtura nga kursi i këmbimit (kur të ardhurat janë të ndryshme nga monedha e kredisë) përbënin 32.3% të kredive në valutë, ose 16.2% të totalit të kredisë. Monitor

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?