Eliza Berziu

FSDKSH si Hipoteka e Vlorës, dorëhiqet drejtoresha tjetër pas 3 muaj nga emërimi! Largimi i 10-të në 5 vite, mister arsyet

4 Dhjetor 2020, 15:26| Përditesimi: 4 Dhjetor 2020, 15:31

  • Share

Nuk ka qetësi në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, institucion i cili tashmë ngjason me Hipotekën e Vlorës, ku drejtuesit ndryshojnë një herë në dy javë për shkak të presioneve kriminale, siç edhe është deklaruar nga zyrtarët e lartë të shtetit. Shqiptarja.com ka mësuar se drejtuesja e të re e FSDKSH, Elisa Berziu, sapo ka dhënë dorëheqjen në rrethana misterioze, vetëm tre muaj pas emërimit në këtë post. Berziu u emërua në krye të institucionit që zhvillon skemën e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Shqipëri dhe një menaxhon një pjesë të buxhetit të shëndetësisë, në 8 shtator të vitit 2020. Më parë ka mbajtur pozicionin e koordinatores së Platformës se Bashkëqeverisjes në Kryeministri, dhe kjo tregon që ka qenë për shume kohë një nga bashkëpunëtoret shumë afër me kryeministrin. Por as kjo nuk e ka shpëtuar nga "mallkimi" i Fondit Shëndetësor.

Eliza Berziu është drejtuesja e 10 që jep dorëheqjen në harkun kohor të 5 viteve, duke e bërë FSDKSH institucionin me rotacion më të shpeshtë në Shqipëri pas Hipotekës së Vlorës. Nëntë nga 10 drejtues ka dhënë dorëheqjen pa asnjë shpengim. I tillë është edhe rasti i drejtoreshës së fundit, largimi i të cilës vetëm 3 muaj pas emërimit, është rrethuar gjithashtu me dyshime dhe mister. Të mjegullta mbeten edhe raportet krerëve FSDKSH me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ndonëse sipas ligjit FSDKSH është ndër të vetmit organ autonom publik, raportet dhe ndërlidhjet me ministrinë janë të pashmangshme. Për më tepër që ministrja është kryetare e Bordit të Këshillit Administrativ, i cili është organi më i lartë vendimmarrës i Fondit. Këshilli vendos për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të Fondit. Drejtori vepron nën hijen e Këshillit.

Para, tendera dhe interesa

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor është një organ që menaxhon shuma të mëdha parash, ku për rrjedhojë reflekton ndërthurjen e interesave të fuqishme. Fondi menaxhon paratë që vijnë nga kontributet e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor sigurimi shëndetësor vullnetar, transfertat nga Ministria e Shëndetësisë, financimin vjetor nga buxheti i shtetit, dhurime, grante etj. Disa nga 62 tenderat e zhvilluar nga FSDKSH kanë prodhuar përplasje të forta interesash të nëndheshme mes segmenteve të caktuara. Tenderat, por edhe kompetencat e për zbatimin e skemave të rimbursimit të ilaçeve dhe kontrolli i farmacive, kanë prodhuar edhe përplasje brenda FSDKSH, sidomos mes ministres dhe drejtoreshave të njëpasnjëshme të Fondit, duke prekur drejtpërdrejt interesat e oligarkëve të ilaçeve që kanë shumë lidhje edhe me politikën.

FSDKSH objekt hetimesh

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka qenë objekt i adutimeve të shpeshta nga Kontrolli i Lartë, i hetimeve administrative nga Njësia e Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit pranë qeverisë, i hetimeve, por edhe i arrestimeve nga prokuroria, siç ishte aksioni i arrestimit të 9 personave në vitin 2015, në kuadër të goditjes së skemës së madhe të mashtrimit me rimbursimin e medikamenteve.

Përplasjet pas ikjes së Vjollca Brahos

Deri në tetor të vitit 2016, FSDKSH drejtohej nga Vjollca Braho, përfaqësuese e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, me në krye Shpëtim Idrizin. Fondi ishte në patronazh dhe menaxhohej nga PDIU. Me largimin e PDIU-së nga qeverisja, u larguar edhe zonja Braho. Pas kësaj lëvizje, ku FSDKSH kaloi nga PDIU në duart e socialistëve, në këtë institucion nuk ka pasur më qetësi. Përplasjet e vazhdueshme dhe raportet konfliktuale me ministren kanë prodhuar dorëheqjen e 7 drejtorëve dhe drejtoreshave të Fondit.

Konkretisht, pas Vjollca Brahos, kanë dhënë dorëheqjen apo janë detyruar të largohen si drejtues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Erion Manohasa në prill të 2017, Alketa Hila në maj të 2017, Eduard Ahmeti në shtator të 2018, Anila Denaj pasi u emërua ministre e Financave dhe Ekonomisë. Në vend të Denajt u emërua Adela Xhemali. Edhe kjo e fundit dha dorëheqjen, ku për rrjedhojë u zëvendësua nga Rudina Degjoni, e cila dha dorëheqjen duke u zëvendësuar me Elisa Berziu, e cila gjithashtu ka dhënë dorëheqjen. Para zonjës Braho, në vitin 2013, socialistët emëruan në krye të Fondit Astrit Becin, i cili dha dorëheqjen në 2015. Për një përudhë transitore Fondi u drejtua nga Milva Ekonomi, e cila u pasuar nga Braho.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mjeku: 04/12/2020 16:44

    Ka ardhur momenti qe të shihet e keqja tek interesat dhe nderhyrja e Ogertes ne biznesin e ilaçeve dhe nderhyrja e saj ne shume tendera te dyshimte!!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?