Politikë

‘Fshatarët shihen sikur po shesin drogë’, Braçe për Report Tv: Skema e TVSH bllokon lëshimin e faturës

15 Korrik, 15:09| Përditesimi: 15 Korrik, 15:43

  • Share

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, e sheh si të domosdoshëm aksionin e ndërmarrë për sekuestrimin e produkteve bujqësore e blegtorale që tregtohen pa faturë, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm drejt sigurisë ushqimore dhe formalizimit të sektorit bujqësor.

Por, ai thekson se pa një ndryshim rrënjësor të skemës së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), situata nuk do të zgjidhet. Në një intervistë për Report Tv, Braçe thekson se problemi nuk është tek fshatari i thjeshtë, pasi është skema e TVSH që bllokon lëshimin e faturës, duke thënë se ata po shihen sikur po shesin drogë dhe jo qumësht.

“Siguria ushqimore është jetike për këtë vend. Formalizimi i çdo transaksioni të këtyre produkteve ushqimore nga ai bujku atje matanë, madje nga lënda e parë që përdor bujku për të prodhuar, e deri tek produkti fundor, duhet të jetë element kyç. Sot shiten pa faturë, se po shkojmë ke djathi, ke gjalpi, ke vaj, ke qumështi, ke mishi, e kështu me radhë. Sot shiten, shiten pa faturë plehra kimike. E dini që sot shiten pa faturë fidanë. E dini që sot aty fillon tek fidani që do të prodhojë domaten, do të prodhojë pataten, do të prodhojë kastravecin. Nuk mundet ta fillosh tek domatja frut, kur plehrat kimike që janë përdorur, apo ushqyesit që janë përdorur për të, mund të jenë problemi. Kur pesticidet që janë përdorur për ta mbrojtur qershinë, mollën, pjeshkën, e kështu me radhë mund të jenë problemi. Dhe ato shiten pa faturë. I shkon në mëndje Ministrisë së Bujqësisë që problemi fillon këtu. Shitet pa faturë ushqimi i bagëtisë. Fshatari mund ta marrë ke bahçja e tij, por do dalë edhe ta blejë jonxhën atje matanë. Po ku e di unë se si është trajtuar ajo jonxha?

Pra, çfarë faturë e i kërkojnë fshatarit? Në ligj, fshatari nuk pret faturë. Pret grumbulluesi, autofaturë. Jo faturë, po autofaturë, i është dhënë e drejta grumbulluesit që grumbullon për nevojat e një fabrike përpunimi. Ah, po është grumbullues drejtpërdrejt i fabrikës së përpunimit atje që të presë autofaturë. Kush i ka shtyrë grumbulluesit përpunuesit që mos presin faturë? Po shikojeni vit për vit seancat parlamentare, kam thënë që po ndodh një informalitet masiv i thellë në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Pikërisht për shkak të skemës së tatimit mbi vlerën e shtuar, tani do faturë, ndrysho tatimin mbi vlerën e shtuar, sepse përndryshe do ndodh ajo që ka filluar të ndodhë që sot. Që shihen fshatarët sikur po shesin drogë, jo sikur po shesin qumësht. Pra, në qoftë se duam të bëjmë një gjë të qëndrueshme, veçanërisht në aspektin e sigurisë ushqimore, duhet të ndryshojmë skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar. Ajo skemë ka prodhuar informalitetin e thellë”, tha Braçe për Report Tv.


Lajmi kryesor:

Siguria ushqimore/ Braçe për Report Tv: Jo vetëm AKU-së, vetting gjithë inspektorateve, deri te Tatimet e Dogana! Mandat të kufizuar për drejtorët (VIDEO)


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    AKU në ‘sitë’, a duhet bërë e njëjta gjë edhe me inspektorate të tjera?