Popçisht është një fshat i vogël, vendosur në zonën malore të Moglicës në bashkinë e Maliqit.
Është fshati më i prekur nga shpopullimi gjatë dekadës së fundit.
Në shkollën 9-vjeçare kanë mbetur 7 nxënës, ndërsa në rrugë takojmë vetëm të moshuar. Ata të përmalluar, thonë se fëmijët morën rrugët e emigrimit.
Disa prej të moshuarve shprehen:
“Ikën jashtë, tani mbetëm ne pleqtë. Me pension jetojmë. Na merr malli per fëmijët, por ç’të bëjmë”.
“Ka qenë fshat i mirë, por më të shumtën ikën, kemi mbetur moshë e tretë. Të gjithë në emigrim. Këtu s’ka punë fare, s’kanë ca bëjnë të rinjtë këtu”.
“Unë kam një djalë në Gjermani, bëri shkollën këtu mbeti 3-4 vite pa punë dhe iku për Gjermani”.
Shkak i largimit masiv është papunësia dhe mungesa e investimeve. Një pjesë e mirë e tokave kanë mbetur djerr. Banorët, kryesisht të moshuar jetojnë me pensionet dhe me ato pak prodhime që marrin nga bujqësia e pemëtaria.
“Kam katër fëmijë, të gjithë në Tiranë ç'a të bëjmë këtu. E pata një beqar iku dhe ai, mbetëm ne pleqtë. Ne përpiqemi t’i ndihmojmë, mbjellim qepë e perime ua çojmë fëmijëve, sepse blegtori s’mbajmë dot”, shprehet një banor.
“Të ardhura s'ka, punë s'ka, unë fëmijët në Tiranë i kam, jetojnë me qira. S’ka mbetur njeri ketu, ne shkolle jane 7 femije, dhe ata do rriten do ikin”, thotë një tjetër.
Deri në vitet 2000 në fshatin Popçisht ka pasur 150 shtëpi me afro 500 banorë. Sot disa prej të shtëpive janë shkatërruar dhe aty ku ende del tym nga oxhaku kanë mbetur të moshuarit. Në fshat sot nuk ka më shumë se 30 shtëpi të banuara.