Fshati në Poliçan pa infermier, gjilpërat i bën veterineri! Banorët e Zhitomit: Të sëmurët i çojmë me kafshë! Qendra shëndetësore është shembur, më e afërta është 80 km larg

23 Shkurt 2023, 10:41| Përditesimi: 23 Shkurt 2023, 13:01

  • Share

Fshati Zhitom, pjesë e Bashkisë së Poliçanit ndodhet vetëm 18 kilometra larg qytetit të Beratit, por kushtet janë si në mesjetë.

Ata nuk kanë një qendër shëndetësore dhe për të kryer injeksionet, i drejtohen veterinerit të fshatit.

‘Kemi fatin e mirë që kemi veterinerin këtu’, shprehet një banor i fshatit.

“Ja kemi një veteriner dhe ai nga e keqja i bën. Edhe pse i bën ka frikë  me mundim të madh se mos pësojmë gjë, apo mos kemi ndonjë efekt anësor”, thotë një banore tjetër.

Deri para pak vitesh banorët e fshatit Zhitom i merrnin shërbimet shëndetësore në këtë gërmadhë, që tashmë ka dalë jashtë funksionit.

 “Pse mos të vij infermieri këtu në shpi siç e bëjnë në të gjithë vendet e tjera, po ne të ngrihemi nga këtu e të ikim deri në Berat”- tha një tjetër banor.

Ata thonë se në rastet kur kanë nevojë për vizita mjekësore ose për trajtime, detyrohen të shkojnë në Tërpan, zona që i ka nën juridiksion që pas ndarjes së re territoriale edhe pse 80 kilometra larg fshatit të tyre.

‘Do një orë e gjysmë për të ardhur deri këtu. Më mirë na bie në Berat”, shprehet një banor tjetër.

Problemin real, banorët e Zhitomit e shohin tek mungesa e rrugës. E pakalueshme as për makinat e as për njerëzit, zgjidhja në rastet kur u duhet të udhëtojnë është transporti me kafshë.

“Po u sëmurëm, po qe se nuk është makina me kafshë duhet ta çojmë në Berat”- tha një tjetër.

Të izoluar plotësisht, ata bëjnë thirrje për ndërtimin e rrugës dhe të një qendre shëndetësore.

“Ne kemi në radhë të parë problemin e rrugës, i lutemi bashkisë të na ndihmojë të bëj rrugën”,- thotë një zonjë

“Një infermiere që ishte ka ikur”, shprehet një banor.

E pyetur nga Report Tv, Drejtoria e Shëndetit Publik sqaron se situata ka ardhur për shkak të largimit masiv të mjekëve dhe infermierëve. Ndërsa punësimi i tyre bëhet nëpërmjet portalit qeveritar.

Në qendrën administrative Tërpan ku banorët e fshatit Zhitom duhet të marrin shërbimet, mungojnë 3 infermiere dhe një tjetër është drejt largimit.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Aktivisti: 23/02/2023 15:26

    Beni nga 10 Mike likes te aktivisti tu sjellim doktor osé te vdisni me vend me gjilpera lopesh

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?