Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën arrest me burg për babë e bir, Albert dhe Seit Mananhasa, të cilëve iu gjet arma e krimit që vrau Emiljano Ramazanin, në servisin e tyre të makinave. Seanca e cila nisi në orën 11:30, u drejtuar nga gjyqtari Bujar Musta, i cili për 4 orë ka dëgjuar pretencën e prokurorisë dhe palën e akuzuar duke vendosur ndaj tyre arrest me burg.
Arrestimi i babë e bir ndodhi para 3 ditësh gjatë një operacioni të RENEAS dhe FNSH në Elbasan, në lidhje me ngjarjen e ekzekutimit me 5 plumba të Ramazanit brenda makinës së tij më datë 20 korrik.
Gjatë kontrollit në biznesin e tyre iu gjet arma e krimit, një pistoletë model 54 TT, me një krehër dhe një fishek luftarak, e fshehur poshtë sabratorit të një makine.
Vrasja e Emiljano Ramazanit, i njohur me nofkën 'Rramani', dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh për drogën , pasi ai njihej si shpërndarës kokainë në qytet, ndërsa një natë më parë u gjet i vrarë edhe miku i tij i ngushtë Regis Runaj, 23 vjeç, i vrarë me thikë, trupi të cilit u gjet i hedhur në rrugë.