TIRANË- Një 35-vjeçar që shiste kanabis në zona të ndryshme të Tiranës dhe mbante armë pa leje, është vënë në prangat e bluve të kryeqytetit. I arrestuari është identifikuar si Markeliano Pirtea.
Policia e Tiranës ka ushtruar kontrolle në shtëpinë e të riut, nga ku mësohet se i është gjetur një armë, të cilën e kishte fshehur te depozita e ujit, si edhe municion luftarak dhe lëndë narkotike kokainë.
I riu, sipas Policisë së Tiranës, dyshohet se pasi siguronte lëndë narkotike kokainë, e ndante në doza me qëllim shitjen e saj. Gjatë operacionit të koduar "Kombinimi", u sekuestrua rreth 135 gramë kokainë.
Po ashtu, ai rezulton se pas një sherri të ndodhur pak kohë më parë, ka goditur me qytën e pistoletës një person.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, pas një informacioni të siguruar në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Kombinimi”, në kuadër të të cilit vunë në pranga shtetasin:
-M. P., 35 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të banesës së tij shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë të cilën e kishte fshehur te depozita e ujit, municion luftarak dhe lëndë narkotike kokainë.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se pasi siguronte lëndë narkotike kokainë, e ndante në doza me qëllim shitjen e saj.
Gjithashtu, gjatë veprimeve procedurale, rezultoi se ky shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta, kishte goditur me qytën e pistoletës, shtetasin S. I, duke i shkaktuar dëmtime sipërfaqësore", njoftoi Policia e Tiranës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Komente
