Pasi Partia Demokratike i kërkoi verifikimin e kandidatit të Sali Berishës për bashkinë e Lushnjes për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit pasi dyshohet se ka fshehur një dënim për vjedhje në Britaninë e Madhe duke mos e deklaruar në formular ashtu siç e parashikon ligji, KQZ i ka dërguar një shkresë Prokurorisë së Përgjithshme ku kërkon verifikim të thelluar.
KQZ shkruan se z. Bano ka deklaruar se ka ndërruar datën dhe vendin e lindjes dhe është shprehur gjithashtu në formularin e dekriminalizimit se ka jetuar në Rumani, Angli e Itali. Dhe për të gjitha këto kërkon verifikim nga Prokuroria e Përgjithshme.
"Nga verifikimi i të dhënave në formularin e vetedeklarimit të z. Elton Ilir Bano, rezulton se ka deklaruar: Ne rubrikën I. TË DHËNA PERSONALE", PIKA B, "Gjenealitete të mëparshme" të Formularit të Vetëdeklarimit, subjekti vetëdeklarues ka deklaruar gjenealitetet e tij dhe është shprehur se se ka ndryshuar datelindjen nga "24.01.1981" në "24.07.1978" dhe vendlindjen nga "Prishtinë, Kosove" në "Lushnje". Pyetjes 8, A keni jetuar ndonjëherë jashtë territorit te Republikës së Shqipërisë për me shumë se 1 muaj? subjekti vetëdeklarues është përgjigjur "po" duke deklaruar se: Ne periudhën Nentor 1996- Shkurt 1997, ka jetuar në Bukuresht, Rumani, për arsye studim gjuhe. • Ne periudhën Korrik 1998 Shtator 2000, ka jetuar në Londër, Angli, për arsye emigracioni. Në periudhën Qershor 2020-Qershor 2021, ka jetuar në Rome, Itali, per arsye probleme shendetsore familjare", thuhet në shkresën e KQZ.
4 ditë më parë PD theksoi se Bano kishte fshehur të dhëna qëllimisht dhe se një fakt i tillë sjell përjashtimin e menjëhershëm të tij.
Kandidati i Sali Berishës për bashkinë e Lushnjës, Elton ka mohuar akuzat duke u shprehur se PD po shpif për të përbaltur emrin e tij. Bano thotë se sulmi politik është një sulm personal që padyshim do ndiqet në rrugë ligjore për shpifje dhe prishje imazhi.
Ndërkohë nga kandidatet e 6 marsit, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetim të thelluar edhe për kandidatin e Partisë Demokratike për Rrogozhinën në garën e 6 marsit, Ferdinand Saraçi. Verifikimi i tij erdhi pas kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi në formularin e dekriminalizimit Saraçi ka deklaruar dënimin me 4 muaj burg dhe 100 mijë lireta gjobë në Itali për armëmbajtje pa leje në banesë, teksa i është referuar nenit 110 të Kodit Penal dhe nenit 10 ligji 17/10/1994, numër 497 të ligjit italian, që flet për një dënim në bashkëpunim. Pritet që sektori i dekriminalizimit t’i dërgojë INTERPOL Romës letër-porosi për Saraçin për informacion të detajuara lidhur me gjurmët e gishtërinjve, gjeneralitetet, emrat e tjerë që mund të ketë përdorur në Itali, është arrestuar apo jo në kushtet e flagrancës, çfarë ka vendosur gjykata, është hetuar në gjendje të lirë apo masë sigurie.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)