Anëtarët e FSHF rizgjodhën Armand Dukën në krye të Federatës, por funksionet e tij dhe të sekretarit të përgjithshëm Ilir Shulku janë të pezulluara nga vendimet e gjykatës së Tiranës. Për juristët e federatës, dyshimet e ngritura ndaj Dukës nuk qëndrojnë.
Avokati Envi Hicka, pjesë e Komitetit Ekzekutiv, thotë se shteti shqiptar nuk mund t’i kërkojë llogari Dukës për punën e tij si president i FSHF pasi ai nuk është funksionar publik.
Federata është e vendosur të vijojë ndjekjen e rrugës ligjore për ankimimin e vendimeve që pezullojnë Dukën dhe Shulkun nga ushtrimi i detyrave të tyre.
Më 18 mars, Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës për pezullimin e Armando Dukës dhe Ilir Shulkut.
Armand Duka u rikonfirmua President i Federatës në zgjedhjet e mbajtura nga Asambleja e Përgjithshme. Në një proces të manipuluar që në gjenezë të saj, Armand Duka u rizgjodh më 15 mars sërish në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Pa asnjë surprizë, ai arriti që të siguronte 37 vota nga 43 votues të vlefshëm që morën pjesë në Asamble duke vijuar drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të Futbollit në vend edhe për 4 vitet e ardhshme.
Zgjedhjet për kreun e ri të FSHF-së ishin vendosur që të mbaheshin në datën 2 mars, por Gjykata e Tiranës, pezulloi garën deri në shqyrtimin e padive të Shoqatave Rajonale për manipulim të procesit, e më konkretisht të shoqatës së Durrësit, Gjirokastrës dhe Shkodrës. Armand Duka mblodhi sërish Asamblenë dhe vendosi edhe kësaj here në kundërshtim me ligjin që procesi të mbahet më 15 mars.
Gjykata e Tiranës paralajmëroi se nëse drejtuesit e FSHF-së do të vijonin me procesin zgjedhor në kundërshtim me masën e sigurisë që ajo ka dhënë, shkelësit do të dënohen me burg që sipas kodit penal shkon gjer në 3 vite burg.