Federata Shqiptare e Futbollit me anë të një reagimi në faqen zyrtare ka bërë të ditur se nëpërmjet komisionit të Etikës ka nisur një hetim për ndeshjen Bylis-Tirana, e zhvilluar të enjten dhe e përfunduar me shifrat 2-1. Kjo për shkak se pjesa e parë u mbyll 0-1 për Tiranën dhe në të dytën pati një zbehje të çuditshmë në lojë, ndërkohë që kompanitë e basteve mbanin koeficiente favorizuese për Bylisin edhe pse ishte duke humbur.
FSHF i ka kërkuar ndihmë UEFA-s për këtë çështje, nëpërmjet kompanisë 'Sportradar', që vëzhgon koeficientat dhe që më herët ka ndikuar për dënimin e Skënderbeut me 10 vite, po për të njëjtin fenomen.
"Federata Shqiptare e Futbollit njofton median dhe opinionin sportiv, se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Bylis – Tirana (2-1), e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ka kërkuar informacion nga kompania “Sport Radar” nëpërmjet UEFA-s, për të mësuar nëse ka pasur baste të dyshimta për këtë takim.
Federata bën me dije se, ka nisur hetimin për këtë çështje dhe po grumbullon materialet e nevojshme dhe do te ketë vendimarrje, në rast se do të ketë prova.
Gjithashtu, FSHF prej kohësh e ka bërë të qartë qëndrimin e saj të prerë kundër këtij fenomeni tejet të dëmshëm për futbollin dhe paralajmëron edhe një herë klubet se do të përballen me masa të rrepta dhe sanksione ekstreme, deri në përjashtim nga aktiviteti, në rastet kur akuzat për trukim do të provohen,"-shkruan FSHF.