Federata Shqiptare e Futbollit ka hapur procesin e aplikimit për rezervimin e biletave online për sfidën Shqipëri - Serbi. Dueli që vlen për kualifikueset e Grupit K për Kupën e Botës 2026 luhet në "Arenën Kombëtare" të Tiranës më 7 qershor.
Përtej "hiles" që FSHF ka bërë për pajisjen me bileta, ku së pari duhet aplikuar dhe më pas vjen njoftimi nëse je fitues ose jo për të qenë në stadium, Federata e Futbollit ka "lëshuar dorën" me çmimet.
Duke përfituar që përballë është Serbia dhe emocionet e tifozëve mpleksen keqazi me anën sportive dhe atë patriotike, çmimet për të parë kuqezinjtë në stadium kapin shifrën e 400 mijë lekëve të vjetër.
Në sektorët e "Arenës Kombëtare" një pjesë e vogël e tifozëve fatlumë mund të marrin biletë edhe me 20 mijë lekë të vjetër, teksa pjesa dërrmuese e stadiumit shitet me 150 mijë lekë të vjetër. Tribunat përballë asaj kryesore kanë çmimin 150 mijë lekë, teksa në tribunën kryesore çmimet janë edhe më të kripura, duke variuar nga 200 mijë lekë deri në 400 mijë lekë (të vjetër).
Duke nisur edhe nga kërkesat e shumta për këtë duel, më fatlumët mund ta ndjekin këtë sfidë nga tribunat pas porte që kapin vlerën e 30 mijë lekëve (të vjetër).
Biletat 40 mijë lekë (të rinj)
Sa për krahasim, finalen e Champions League mes Interit dhe PSG mund ta ndjekësh në Munich për 70 euro, teksa për ndeshjet normale të kompeticionit më të madh në Evropë mund të sigurosh një biletë edhe për një shumë më të ulët. Tej kësaj, interesi për Shqipëri - Serbi është i madh dhe në faqen online ku shiten biletat ka nisur radha e tifozëve.
Kujtojmë se kapaciteti i "Arenës Kombëtare" është 22 mijë ulëse, por në shitje do jenë jo më shumë se 18 mijë bileta, pasi UEFA dënoi FSHF-në me reduktimin e 20 përqind të kapacitetit të stadiumit për shkak të sjelljes së tifozëve në përballjen kundër Andorrës. Pas aplikimit online, FSHF bën me dije se fituesit që do mund të blejnë bileta do përzgjidhen në mënyrë automatike.
Tifozët në radhë për bileta
Komente
