Dhuna ndaj fotografit të Flamurtarit, FSHF: Dënojmë ngjarjen, policia e prokuroria të hetojë

24 Shkurt 2019, 12:47| Përditesimi: 24 Shkurt 2019, 14:02

  • Share

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar për incidentin e ndodhur të shtunën në ndeshjen Partizani-Flamurtari ku tifozët e skuadrës vendase dhunuan fotografin e klubit vlonjat. Përveç se kanë dënuar ngjarjen, FSHF i ka bërë thirrje Policisë dhe Prokororisë të hetojnë atë që ndodhi pasi sipas tyre personat përgjegjës janë filmuar me kamera.

Konkretisht në reagimin e FSHF-së thuhet:

Federata Shqiptare e Futbollit dënon me ashpërsi dhunën e ushtruar ndaj zyrtarit të klubit Flamurtari gjatë ndeshjes Partizani – Flamurtari të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Selman Stërmasi”. Një ngjarje e tillë nuk ka aspak lidhje me lojën e futbollit dhe frymën “Fair Play” që duhet të përcjellin të gjithë. I bëjmë thirrje klubeve që të punojnë sa më shumë me tifozeritë dhe stafet e tyre që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të vendosin përpara ligjit agresorët të cilët janë evidentuar nga pamjet filmike. FSHF dhe zyrtari i Klubit Flamurtari kanë dorëzuar kallzimin penal, tani është koha që Policia të veprojë.

FSHF do të qëndrojë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet përkatëse të rendit dhe me klubet për ti dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi, që dëmton dhe cënon imazhin e futbollit shqiptar.”

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Lista e pasurive imobiliare e Familjes Berisha ju duket?