Tifozat Kuq e Zi

Sport

FSHF standarde të dyfishta me ultrasit e Kombëtares për biletat, Tifozat Kuq e Zi: Mashtrime, zemërimi do jetë i ashpër dhe i pandalshëm

14 Maj, 11:12| Përditesimi: 14 Maj, 11:18

  • Share

Tifozat Kuq e Zi (TKZ) kanë reaguar pasi Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) vendosi që për ndeshjen kundër Serbisë në Tiranë, tifozët që do siguronin një biletë më herët do duhet të plotësonin një formular elektronik, para se të merrnin një konfirmim nëse ata mund të kishin mundësi për të siguruar një të tillë.

TKZ i quan mashtruesa zyrtarët e FSHF-së dhe gjithçka lidhet me përjashtimin që organizimi i futbollit në vend ka bërë nga ky 'rregull' i ri për anëtarët e "Klubit të Kombëtares". FSHF prej kohësh ka krijuar këtë klub të tifozëve dhe në këtë mënyrë ka përjashtuar ultrasit që kanë mbajtur peshën reale të mbështetjes.

TKZ kanë nxjerrë edhe dy e-mailet, një në drejtim të tyre që thuhet se janë të detyruar të plotësojnë formularin elektronik për shkak të garantimit të qasjes së barabartë për të gjithë tifozët, si edhe një tjetër në drejtim të anëtarëve të "Klubit të Tifozëve" ku thuhet se vendet e tyre në stadium janë të garantuara. Tifozët kanë paralajmëruar edhe masa, duke thënë se 'reagimi ndaj kësaj padrejtësie nuk do mbetet një zemërim i shtypur, do jetë i ashpër dhe i pandalshëm'.

"Kur je pjesë e Tifozëve të Kombëtares, fiton “shortin” pa short. Kur je TKZ, të përjashtojnë në emër të “gjithëpërfshirjes”. Mashtrimi ka emër: Federata Shqiptare e Futbollit. Reagimi ndaj kësaj padrejtësie nuk do mbetet një zemërim i shtypur, do jetë i ashpër dhe i pandalshëm", shkruan TKZ.

PËRPLASJET - Fill pasi UEFA pranoi aplikimin që Shqipëria dhe Serbia të bashkorganizonin Euro 2027 për 21-vjeçarët, Tifozat Kuq e Zi reaguan kundër FSHF-së dhe organizmi i futbollit me president Armand Dukën u hakmorr duke lënë ultrasit e Kombëtares pa bileta në sektorin e tyre të rezervuar në stadium. Veç saj, FSHF aplikoi edhe një skemë jo të zakontë duke bërë që të gjithë tifozët të kërkonin bileta online, kjo edhe për grupimet ultrase që në çdo vend të botës kanë një trajtim ndryshe për anëtarët e tyre, kjo për shkak të mbështetjes që japin për ekipin.

Tanimë gjithçka shkon më tej, me FSHF që ka aplikuar një formular online para se tifozët të marrin "miratimin" për bileta, duke e bërë këtë proces më të kontrolluar.

Si të mos mjaftonte kjo, gjithçka ndodh para ndeshjes kundër Serbisë e cila luhet më 7 qershor në "Arenën Kombëtare" të Tiranës (kualifikueset e Kupës së Botës 2026), në një duel që do jetë më shumë se 90 minuta në fushë për vetë historinë mes dy popujve.

DËNIMI - Për ndeshjen kundër Serbisë, Disiplina e UEFA-s dënoi FSHF-në me "kyçjen" e 20 përqind të stadiumit për sjelljen e tifozëve. Kështu, si të mos mjaftonte dënimi nga UEFA me një stadium të reduktuar, FSHF tanimë aplikon edhe një skemë të çuditshme që për shumë tifozë dhe TKZ në veçanti është një mënyrë për të kontrolluar se cilët mbështetës do jenë në stadium.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A do ndikojë vota diasporës në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve?