Ndodh rëndom që ato të cilat ne i cilësojmë si “eksperimente sociale” përfundojnë me pasoja, ndonjëherë të pariparueshme. Kjo nuk ka të bëjë me atë që transmetohet përmes televizioneve në publik, por për eksperimente që janë mbajtur fshehtazi e të klasifikuara në dosje “Top Secret”.
Zakonisht ndodh që një shpikje e re, teknike por dhe një eksperiment psikologjik me njerëz realë, të jetë në funksion të Forcave të Armatosura, pra të ushtrisë. Dhe vetëm si ka kaluar njëfarë kohe, dhe ushtria teston diçka të re, ajo që cilësohet e vjetër apo e ezauruar, hidhet për konsum masiv. Kështu ka ndodhur me kompjuterët, internetin dhe telefonat smart. Po kështu ka ndodhur edhe me eksperimentet sociale që kanë pasur si bazë studimin e marrëdhënieve njerëzore, sidomos në kushtet e trysnive gjithfarësh.
Disa kohë më parë, duke iu referuar spektakleve televizive me bazë: eksperimentin social, shkrova një opinion timin nën titullin “Eksperimentet sociale që nisin si lojë dhe përfundojnë në dramë”. Fillimisht mora si shembull romanin “1984” të shkrimtarit anglez Xhorxh Oruell, ku ai që në vitin 1949 parashikoi ardhjen e “Big Brother”-it. Si përforcues i shembullit të parë ishte dhe “The Experiment” një film dramatik amerikan i vitit 2010 me regji nga Pol T. Shoring, që ishte një ribërje e filmit gjerman të vitit 2001 “Das Experiment”, drejtuar nga Oliver Hirshbigel. Edhe ky film trajton temën e një eksperimenti social në kushtet e “Big Brother”-it, ku 26 vullnetarët për një studim psikologjik, të udhëhequr nga një mjek, ndahen në grupe që veprojnë si roje burgu dhe të burgosur. Duheshin vetëm disa ditë që situata të dilte përfundimisht jashtë kontrollit midis gardianëve në rol dhe të burgosurve gjithashtu në rol. Në përfundim të eksperimentit, të gjithë protagonistët ishin të rrahur, të gjakosur e me rroba të shqyera, për shkak të përplasjeve fizike që precipituan gjatë kësaj periudhe izolimi.
Por asokohe harrova, – dhe më pas u kujtova sigurish, – se kisha lënë pa përmendur ndoshta më tipikun e filmave kushtuar kësaj teme, e që po e referoj në kushtet e reja. Është fjala për një film, – këtë herë i interpretuar në gjuhën italiane, – i ardhur nën titullin origjinal “Il giorno prima”, por që në anglisht njihet si “Control”. Megaproduksion Italo-Franko -Kanadez prej 107 minutash i Columbia Pictures Italia,- i ardhur në shqip nën titullin: “Një ditë më parë”, – është prodhuar në vitit 1987 me regji të Xhuliano Montaldo, mbi skenarin e shkruar nga Piero Anxhela e me muzikë nga Enio Morrikone. Dhe aty interpretojnë dy nga yjet e kinemasë amerikane: Ben Gazara dhe Burt Lankaster.
Filmi flet për një eksperiment në lidhje me efektet psikologjike të lodhjes mendore tek ata që janë të mbyllur në një ambient për një periudhë të gjatë kohore. Janë pesëmbëdhjetë vullnetarë nga vende të ndryshme të botës, të cilët kundrejt një pagese prej 10 mijë dollarësh, bien dakord të marrin pjesë në një eksperiment të promovuar në Frankfurt nga një kompani që ndërtonte strehime antiatomike. Eksperimenti i drejtuar nga Profesor Herbert Monro, – i cili kërkon të testojë reagimet fizike dhe psikike të njerëzve në kushtet e izolimit, – përfshinte jetesën prej njëzet ditësh të pjesëmarrësve në një bunker të pajisur mirë, – madje dhe me një dhomë morgu, – të cilët padyshim ishin plotësisht të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Një provë mbi një mikrokozmos të njerëzve të burgosur një mjedis mbytës ku duhet garantuar mbijetesa.
Dhe çfarë ndodh në fund, pa u mbushur afati kohor i përcaktuar në kontratë: Pjesëmarrësit kanë reagime nga më të paparashikueshme, sidomos kur të mësojnë, – nëpërmjet një televizori të instaluar në bunker, – se një raketë atomike është drejtuar për të goditur qytetin në të cilin ndodhen. Ekrani transmeton skena të masave të çmendura në qytet, disa prej të cilëve përplasen në derën e bunkerit. Pesëmbëdhjetë vullnetarët tanimë janë të ndarë midis atyre, disa që do të donin që dyert të hapeshin për arsye humanitare ku të shpëtoheshin jetë njerëzore dhe të të tjerëve të cilët me egoizëm mendonin vetëm për mbijetesën e tyre. Pas debateve dhe sherreve të agravuara deri në përgjakje, dera e blinduar goditet nga jashtë me çekiçë pneumatikë. Por një pjesë e vullnetarëve, të armatosur, hapin derën dhe qëllojnë me automatik, duke menduar se po asgjësonin njerëzit që kërkonin të mësynin në bunker për të shpëtuar kokën. Profesor Monro, që shfaqet nën dritat verbuese të një prozhektori, njofton se gjithçka ka marrë fund dhe se në fakt nuk ka asnjë konflikt bërthamor. Kjo “shaka” do t’i kushtojë një shpullë nga një prej pjesëmarrëseve. Vullnetarët janë sërish të lirë, por ata do të mbajnë përgjithmonë në kujtesën e tyre ato çaste terrori të kaluara në bunker.
Kjo ishte përmbajtja me pak fjalë e një filmi që tregon shumë më tepër nga sa mund të themi në një shkrim të shkurtër.
Por çfarë dua të them duke përmendur këtu elementë të një libri të njohur dhe të dy filmave po aq të njohur?
A nuk po transmetohen në vazhdimësi spektakle të tipit “Big Brother” nga televizionet shqiptare, si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë?
Sa është rreziku që pjesëmarrësit në të, të pësojnë trauma për shkak të konflikteve që degjenerojnë brenda ambienteve?
Bota na ka dhënë skenarë të gatshëm se çfarë ndodh nëse njerëzit mbahen të izoluar, qoftë dhe në kushte shumë të mira ku nuk u mungon ushqimi, pijet freskuese, birrat dhe cigaret. Por kjo nuk është gjithçka. Pavarësisht se kemi të bëjmë me vullnetarë në një spektakël televiziv dhe jo me një eksperiment të mirëfilltë social, sërish ata mbeten njerëz të izoluar, – apo thënë ndryshe: njëfarë kavje eksperimentale, – një pjesë e të cilëve nuk qëndrojnë dy javë apo 20 ditë në një ambient të mbyllur, por 100 ditë plot. Dhe kjo është e tepërt edhe pse në nënvetëdije gjithkush mund të mendojë se tek e fundit jetesa bazë është e garantuar dhe nuk ka rreziqe që të thellohen deri në dhunë të mirëfilltë verbale apo dhe fizike.
Por nuk është krejt kështu.
Jeta dhe përvojat e mëparshme kanë treguar se edhe pse shumë të vëzhguar e me ndërhyrje në çaste kritike, banorët në një shtëpi të izoluar, – apo të famshme siç e cilëson dikush, – kanë qenë pre e sulmeve psikologjike, kërcënimeve, madje ka pasur dhe skena të shkëputura të dhunës fizike.
Dhe masa pas ekranit që argëtohet me një gjë të tillë kërkon spektaklin e radhës. Ndaj skenat vazhdojnë të prodhohen e riprodhohen, sepse: ose nuk na është mbushur mendja mirë se cilat janë efektet psikike të mëpasme të një veprimtarie të tillë, ose jemi vërtet aq trima sa nuk na i bën syri “tërt” e jemi gati të qëndrojmë të izoluar jo pesëmbëdhjetë apo njëzetë ditë me radhë, por 100 ditë plot!