Lajmin e vitit ose pa mëdyshje mund të themi edhe lajmin e shekullit e dha të enjten në mbrëmje Barcelona kur njoftoi se kapiteni legjendar Lionel Messi do të largohej nga skuadra. Pas plot 21 vitesh të kaluara në klubin katalanas Messi dhe Barcelona i kanë dhënë duart njëri-tjetrit dhe kjo sipas komunikatës për arsye ekonomike dhe strukturore që e bënin të pamundur vijimin e bashkëpunimit.
Pas këtij lajmi shokues këtë të premte Presidenti i Barcelonës Joan Laporta doli në një konferencë për shtyp dhe dha më shumë detaje rreth divorcit të bujshëm: “ Nuk mund të vija në rrezik të ardhmen e klubit. Divorci ishte i pashmangshëm dhe zgjidhja e vetme pasi kemi borxhe dhe humbje të mëdha ekonomike”. Numri një i klubit katalanas dëshiroi të sqaronte se dëshira e Messit ishte të qëndronte dhe se lojtari ka propozime nga klube të tjera.
Rregullat për një tavan pagash nga La Liga sipas Laportës e bënin të pamundur rinovimin e Messit dhe thotë se Barcelona do fitojë edhe pa argjentinasin. Largimi i Messit nga Barcelona shënon edhe fundin e një epoke. “Pleshti” është lojtari që ka bërë historinë e klubit duke fituar 35 trofe përfshirë këtu 10 tituj kampion. 4 Champions League, 8 Superkupa Spanje e tre Europe, 7 Kupa Mbreti dhe tre Botërorë klubesh. Në 810 ndeshje që ka luajtur në total duke llogaritur edhe ato me Barcelonën B dhe C Messi ka shënuar 683 gola. Ylli argjentinas ka fituar edhe një mori titujsh individual ku spikasin 6 “ Topa të Artë”. El Clasicon Barcelona-Real Madrid askush nuk e ka luajtur më shumë se Messi 45 herë dhe askush më shumë se Leo nuk i ka shënuar Real Madridid 26 gola.
Pyetja që tani duan të gjithë të marrin një përgjigje është se ku do të shkojë Messi. Por edhe për pak kohë do të jetë e vështirë ta thuash me bindje. Francezët e PSG-së shihen si favoritë madje mediat zbulojnë se negociatat kanë nisur. Në garë mbetet edhe Manchester City i Pep Guardiolës por nuk përjashtohet edhe mundësia e vijimit të karrierës në Amerikë./Përgatiti Andi Kapxhiu