Donatella Versace ka lajmëruar se do të largohet nga posti i shefes kreative të “Versace”, duke i dhënë fund kështu qëndrimit të saj 27-vjeçar në krye të perandorisë së modës luksoze italiane.
69-vjeçarja udhëhoqi shtëpinë luksoze të modës pasi vëllai i saj, Gianni Versace, u qëllua dhe u vra jashtë rezidencës së tij në Miami Beach në vitin 1997.
Ka qenë nderi më i madh i jetës sime të mbaj trashëgiminë e vëllait tim Gianni. Ai ishte gjeniu i vërtetë, por shpresoj të kem pak nga shpirti dhe këmbëngulja e tij” shkroi Versace në Instagram.
Më 13 mars 2025, shtëpia Versace njoftoi se Dario Vitale do të ishte drejtori i ri artistik, i pari që nuk i përket familjes Versace. Megjithatë Donatella nuk po largohet plotësisht, pasi do të ketë rolin e ambasadores së brendit
Dario Vitale konsiderohet si një nga dizajnerët më inovativë të Milanos. Ai ka punuar në shtëpitë kryesore si Dsquared2, Bottega Veneta dhe Miu Miu, ku u ngrit në pozicionin e drejtorit të dizajnit.
Me thashethemet e vazhdueshme për një shitje të mundshme të markës, por edhe pasigurinë që sjell çdo ndryshim i madh, mbetet për t’u parë nëse Dario Vitale do të arrijë të ruajë shkëlqimin e shtëpisë apo Versace do të ndjekë një rrugë krejtësisht të re në botën e modës.
Komente
