BlackBerry arriti në fundin e një epoke sot, pasi telefonat inteligjentë klasikë të kësaj kompanie do të ndalojnë së funksionuari, 22 vjet pasi pajisjet u shfaqën për herë të parë në treg.
Sistemet nuk do të marrin më përditësime të softuerit dhe, si rezultat, "nuk do të funksionojnë më në mënyrë të besueshme", paralajmëroi firma.
Kjo, shtoi kompania kanadeze, ka potencialin të ndikojë në operacionet thelbësore si aftësia për të dërguar dhe marrë telefonata, përfshirë shërbimet e urgjencës dhe tekste.
Aplikacionet si BlackBerry Link, Desktop Manager, World, Messenger dhe Blend do të kenë 'funksionalitet të kufizuar'.
BlackBerry u shfaq për herë të parë në treg në vitin 2000 dhe u bë i domosdoshëm pasi smartfoni i lejonte përdoruesit të shkruanin dhe dërgonin me lehtësi emaile.
Telefonat inteligjentë panë një rritje dramatike të popullaritetit nga viti 2001 deri në vitin 2007, teksa arritën në tregje të reja anembanë globit.
Megjithatë, BlackBerry humbi titullin e pajisjes më të mirë përballë asaj të iPhone-it të Apple.
Dhe në fund, ishte ndoshta dështimi i BlackBerry për t'u përshtatur, mungesa e njohurive të konsumatorit dhe dizajni i dobët që çuan në shkatërrimin e tij në 2018, kur kompania njoftoi se nuk do të prodhonte më smartfonin.