Tenisti spanjoll, Rafael Nadal është tërhequr nga kompeticioni i "Indian Wells" në Kaliforni. 37-vjeçari vijon të jetë i dëmtuar dhe në një reagim në kanalet e komunikimit tregon se e ka të pamundur të jetë pjesë e turneut që po mbahet nga fillimi i marsit në SHBA.
"Nuk mund të gënjej veten dhe mijëra fansa. Ju të gjithë e dini se sa shumë më pëlqen të luaj këtu, është një nga arsyet pse kam ardhur shumë herët të stërvitem dhe të përpiqem të jem gati. Kam punuar shumë, jam stërvitur, madje e kam testuar veten këtë fundjavë, por nuk ndihem gati të luaj një turne kaq të rëndësishëm në nivelin më të lartë. Është një vendim i vështirë, do të më mungoni", ka treguar tenisti nga Mallorca.
Kujtojmë se Nadal u rikthye në fushën e tenisit në janar pas shumë muajve dëmtim, ndërsa pësoi sërish një të tillë dhe mbeti jashtë "Australian Open" paçka se provoi të luante në Melburn në fillim të këtij viti. Forma jo e mirë fizike duket se ka bërë që një nga legjendat e tenisit të jetë në prag të 'pensionit'.