Adriatik Llalla

Kronikë

Fundi i palavdishëm i Adriatik Llallës, rrugëtimi nga emigrant, ‘roje’ i pasurive, kryeprokuror, në 'listën e zezë' dhe i dënuar! A e morën në qafë Berisha-Meta?

23 Shtator 2021, 09:32| Përditesimi: 23 Shtator 2021, 09:38

  • Share

Dikur ‘mbushte me shpresë’ opinionin publik dhe merrte vëmendjen mediatike me paralajmërimet e famshme për arrestime VIP çdo vjeshtë, ndërsa sot është në kërkim policor për të vuajtur 1 vit e 4 muaj burgim për fshehje pasurie. Ky është fundi i palavdishëm i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, një prej njerëzve më të rëndësishëm të drejtësisë në Shqipëri, i ngjitur në krye të akuzës me duart e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ai erdhi në krye të prokurorisë me betimin se ‘do ta nxirrte Shqipërinë nga bataku i korrupsionit’, por sot është ‘peshku’ i parë i madh që dënohet me vendim të formës së prerë, pikërisht nga drejtësia e re, të cilës iu kundërvu në prapaskenë bashkë me dy promovuesit e tij Berisha-Meta.

Po kush është Adriatik Llalla, si u ngjit në krye të organit të akuzës në Shqipëri dhe rënia e tij?

Adriatik Llalla vjen nga Gramshi, pretendon se është persekutuar dhe deri më sot nuk dihet se kur dhe si e ka mbaruar shkollën e mesme. Në vitin 1990 ishte 21 vjeç. Ai pretendon se ka nisur shkollën e mesme pa treguar kurrë se kur, se e ka ndërprerë për të kryer shërbimin ushtarak dhe se e ka vazhduar sërish. Në vitin 1992-1993 deklaron se ka qenë në Greqi për punë sezonale. Ka filluar arsimin e lartë në vitin 1993 dhe e ka mbaruar në vitin 1997. Po këtë vit fillon punë si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Lushnjes. Një vit më pas, emërohet prokuror po në këtë prokurori. U komandua pas një vit në prokurorinë Kavajës, në vijim kaloi në Prokurorinë e Fierit dhe në fund zëvendëskryeprokuror i Tiranës.

‘Roje’ e pasurive të pushtetarëve

Në vjeshtën e vitit 2008, Adriatik Llalla piketohet nga Sali Berisha për të drejtuar Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, një detyrë kaq e rëndësishme dhe delikate për pushtetarët. Sot nuk dihet se kush ia ka rekomanduar Berishës, por vetë Llalla ka pretenduar se është thirrur nga Bamir Topi, në atë kohë president, i cili i kishte komunikuar se do të ishte një nga kandidatët. Kandidati tjetër do të ishte Bashkim Dedja, me vonë kryetar i Gjykatës Kushtetuese, sot i pandehur i SPAK dhe me pasuri të sekuestruara, ashtu si Llalla.

Gjatë drejtimit të ILDKP, Adriatik Llalla nuk referoi në prokurori asnjë dosje të ndonjë politikani të nivelit të lartë për fshehje pasurie, pastrim parash, mashtrim me pasurinë etj. Denoncimet e tij mbetën në nivel kryekomunarësh. Llalla u përfshi gjithashtu në një shkëmbim akuzash me Ina Ramën, në atë kohë kryeprokurore, të cilës do t’i zinte më pas vendin.

Emërimi si kryeprokuror

Gjatë drejtimit të ILDKP-së, Adriatik Llalla fitoi besimin e Ilir Metës dhe Sali Berishës, të cilët e emëruan në postin e kryeprokurorit në dhjetor të vitit 2012. Edi Rama dhe Partia Socialiste, as nuk e kundërshtuan zgjedhjen e Llallës, por as nuk e votuan, duke mbajtur një qëndrim neutral. Ndryshe nga Ina Rama, e cila për të komunikuar akuzat për vrasjet e 21 Janarit dilte me në krah me ambasadorin amerikan Aleksandër Arziu, Adriatik Llalla raportonte tek Sali Berisha dhe Ilir Meta përmbajtjen e çdo takimi me përfaqësuesit e SHBA dhe BE-së. Ashtu si në krye të ILDKP, edhe si kryeprokuror, Adriatik Llalla nuk la asnjë gjurmë në ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta, por mbeti gjithnjë në kufijtë e paralajmërimeve për arrestime në vjeshtë, të cilat sot të kujtojnë dramën e Samuel Beckett “Duke pritur Godonë”.

Përplasja me SHBA

Përplasjet mes Adriatik Llallë dhe ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu dolën në pah në vitin 2018. Pretendimet për shkakun e konfliktit ishin të ndryshme. Donald Lu ka deklaruar se Adriatik Llalla ka punuar kundër reformës në drejtësi, investimit më të madh të Perëndimit në historinë e Shqipërisë. Në fakt, Adriatik Llalla dhe prokurorët iu kundërvunë reformës në drejtësi. Por, ndryshe nga shoqata e gjyqtarëve, e cila iu bashkua PD-së dhe Berishës për të rrëzuar reformën, Llalla dhe Ilir Meta punuan kundër në prapaskenë.

“Janarin e kaluar unë thashë se Z. Llalla kishte vepruar kundër reformës në drejtësi. Unë nuk kam asgjë personale me Z. Llalla. Unë dhe qeveria ime kemi investuar shumë përpjekje në reformën në drejtësi dhe nuk do të lejojmë asnjë zyrtar të vetëm, sado i lartë të jetë ai, që të pengojnë këtë reformë”, ka deklaruar Lu.

Në maj të vitit 2017, Llalla i dërgoi një letër Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke pretenduar se Lu i ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës, në atë kohë kryetar Kuvendi dhe se ai e kishte refuzuar këtë kërkesë.

“..ambasadori Lu i sugjeroi Prokurorit të Përgjithshëm se duhet të arrestonte Kryetarin e Parlamentit dhe gjithashtu kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. Në pretendimet e Z. Lu, Kryetari i Parlamentit Meta ishte i korruptuar dhe po pengonte reformën në drejtësi dhe se arrestimi i tij do ta ndihmonte Shqipërinë të integrohej sa më shpejt në bashkimin Evropian...”, shkruante Llalla.

Letrës së Llallës, Lu iu përgjigj kështu: “Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për t’u habitur që vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij”.

Ndërkaq, në letrën e tij, Llalla akuzonte Lu për lidhje me Sorosin. Pikërisht ky pretendim do të përdorej masivisht më pas nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, duke e konsideruar reformën në drejtësi një komplot sorosian. Ka dyshimet të forta se letra e Llallës kundër Lu mund të jetë diktuar pikërisht nga Meta dhe Berisha. Më vonë, Llalla pretendoi se ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin i kishte kërkuar edhe arrestimin e Berishës. Për të dy rastet, kishte informuar Metën dhe Berishën.

Anulimi i vizës amerikane

Në janar të vitit 2017, Ambasada Amerikane në Tiranë i anuloi vizën bashkëshortes së Adriatik Llallës, Ardiana Llalla, për të udhëtuar drejt SHBA, në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Vendimi ishte një goditje e rëndë për Adriatik Llallën pasi mbante ende postin e kryeprokurorit. Kur plotësoi formularin për pastërtinë e figurës për llogari të Vetingut, Llalla pretendoi se gruaja e tij kishte përdorur vizën diplomatike për një vizitë jo diplomatike në SHBA. 

Shpallja non grata

Në shkurt të vitit 2018, tre muaj pasi kishte lënë detyrën e kryeprokurorit, Adriatik Llalla do të merrte një tjetër goditje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë vendimtare për fundin e tij si i kërkuar nga drejtësia. Ish Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson shpalli vendimin për ta vendosur Adriatik Llallën dhe familjen e tij në listën e zezë e zyrtarëve që u ndalohet hyrja në SHBA, për korrupsion madhor dhe sidomos për mbrojtjen e korrupsionit të politikanëve. Llalla nisi një fushatë lobimi për të hequr emrin nga lista e zezë, ndërsa në Tiranë ndaj tij nisin hetimet për pastrim parash.

Shërbimet sekrete: Llalla lidhje me krimin

Në 11 shkruar 2017, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me Shërbimin Informativ Shtetëror dhe organe të tjera ligjzbatuese, hartuan një raport për llogari të Vetingut, duke konstatuar se Adriatik Llalla kishte kontakte me persona të përfshirë në krim të organizuar.

“Për subjektin e rivlerësimit Adriatik Xhemal Llalla, administrohen informacione konfidenciale dhe informacione të tjera, prej të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për kontakte të papërshtatshme për persona të përfshirë në krimin e organizuar”, thuhej në raport.

Bëhej fjalë për Ardian Beshirin, një personazh me rekorde kriminale, të cilit Llalla i kishte shitur një tokë në Mjull Bathore me vlerë 249 mijë euro, tokë të cilën Llalla e kishte blerë rreth 17 herë më lirë.

Shumëfishimi i pasurisë

Në 9 janar 2007, në kohën kur Llalla mbante postin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës bleu 3 mijë metra katrorë ullishte në Mjull Bathore për 15 mijë USD. Këto para thotë se ia ka marrë borxh kunatit. Më 4 qershor 2016, Llalla ia shet tokën për 249 mijë euro kompanisë LIM-EM në pronësi të vëllezërve Shkëlqim dhe Ardian Beshiri. Në vitin 2013, kompania LIM-EM u shpall fituese për ndërtimin e një restoranti mbi tarracën e Prokurorisë së Përgjithshme, duke krijuar kështu dyshime të forta për një lidhje klienteliste me Adriatik Llallën.

Hetimi, konfiskimi i pasurive dhe dënimi

Më 15 mars 2018, ishte Prokuroria e Durrësit ajo që regjistroi fillimisht procedimin penal ndaj Llallës nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të shumave monetare në kufi. Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Dosja më tej kaloi në SPAK, meqenëse Llalla ishte subjekt dhe në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.

Në dhjetor të vitit 2020, Gjykata Speciale pranoi kërkesën e SPAK për sekuestrimin e një pjesë të pasurive të Adriatik Llallës, ku përfshiheshin një apartament banimi në Durrës 67.2 m² dhe 4 sipërfaqe toke në Tiranë me sipërfaqe 22 mijë metrash katrorë.

Në maj të këtij vitit, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të SPAK dënoi me 2 vjet burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, konvertuar në 1 vit e 4 muaj burgim për shkak të gjykimit të shkurtuar. Nga të katër akuzat, mbeti vetëm akuza e fshehjes së pasurisë. Vendimi i shkallës së parë së Gjykatës Speciale u konfirmua dje nga Apeli, duke sjellë si rrjedhojë shpalljen e Llallës në kërkim policor për të vuajtur dënimin.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 23/09/2021 23:07

    Berisha dhe Meta nuk e moren ne qafe.Me sakte e perzgjodhen dhe e perdoren sic deshen sepse dinin shume info.per jeten e tij.Po te lexoni biografine dhe karrieren e tij me siper,nuk eshte cudi. I perndjekur???,Me shkolle,pa shkolle,cfare shkolle???,Nga polic gjyqesor ne prokuror,etj??? Llalla vete mori me qafe veten e tij,se po te kishte qene i ndershem me veten,nuk kishin patur mundesi t'a manipulonin.Sala me Meten u sollen me te,si Sigurimi me ndonje problematik dikur,kur ia lexonin dosjen dhe perpiqeshin t'a rekrutonin.

    Përgjigju
  • mulliri i xha batos: 23/09/2021 22:32

    do marri me vete edhe berishen e ilir koke-derrin zoti vonon po s'harron.

    Përgjigju
  • Arben: 23/09/2021 19:55

    Une besoj shume tek kjo drejtesi, por vetem me nje kusht qe , nese Rama qendron edhe 8 vite ne pushtet, pra ky person ka gjetur mekamizmin per te luftuar korrupsionin, ne 8 vite vuri ne shina sistemin e drejtesise i cili kishte kapur cdo qelize te shendetshme te shoqerise dhe i sherbente teresisht korrupsionit,klientelizmit,nepotizmit gjithmone per interesa dhe pushtetit kriminal, pra i bie qe nese Rama qendron edhe 8 vite sistemin e drejtesise e ke teresisht me parametra perendimore dhe atlantike.They akullin e korrupsionit, e filloi nga koka luften kunder korrupsionit e jo nga bishti siç benin te tjeret para tij.

    Përgjigju
  • Shoku: 23/09/2021 15:06

    Keni harruar ullishten qe ja mori Eduard Dushkut ne Sauk,Tiku e rripte pulen nga koka.

    Përgjigju
  • Ylli: 23/09/2021 13:44

    Pse nuk ben spak sekuestro pasurie per gjithe stafin e ngushte te Llalles, Rovenes, Tan Gines, Ema Gashit, Oliver Ushines, Gon Gjanes dhe plot te tjere qe dihet si i kane vene pasurite. Keta ishin llumi ne kupolen e prokurorise me pasuri milioneshe

    Përgjigju
  • Tos martallosi: 23/09/2021 12:10

    Si gjithmone, tregimet e Tik Docit per Tik Llallen jane ne kufijte e prralles. Prokurori i Pergjithshem si para edhe pas "reformes" nuk ka ndonje kompetence magjike per te hetuar VIPa. PP eshte nje administrator. Prokuroret e kane fuqine. Te gjithe prokuroret, tek e tek. Tik Doci le te shohe ne ate periudhe rezultatet dhe ngarkesen e prokurorise per krimet e renda. Ate qe "reforma'e shkaterroi per te pjelle SPAK. Por vetem me nje ndryshim, mbeti e njejta trupe prokuroresh por me ndonje spastrim politik. Dhe, me e rendesishmja, per vite me radhe gjithe mekanizmi hetimit u ndalua duke shpetuar sa e sa zyrtare e drogmene te lidhur me qeverisjen. Nese nuk e di ne e ka mbaruar te mesmen, nje gazetar shkon dhe kerkon informacion zyrtar ne arkive, dhe e konfirmin. Ose ne Universitetin e Tiranes, ku ka bere te larten. Nese nuk e di se si u fut OPGJ, te shfletoje ligjin e kohes e te shohe se emerimet e OPGJ beheshin nga Prokurori i Pergjithshem, me konkurse(???). Ka urdher emerimi dhe Theodhori Sollaku e ka firmosur. Pra shko e pyt Sollakun mbi rrethanat si e pse e emeroi Llallen apo Llallet e tjere me liste, per favore miqve e shokeve. Kush e beri Prokuror? Sollaku, madje direkt zv.prokuror rrethi se prokuror se bente dot. Ishte nje nga metodat e emerimit prokuror tete paafteve nga Sollaku. Sa ishte ne ILDKP qe burre i mire, nuk iu ndje zeri. Puplat iu ngriten teksa u be PP. Nje mekat beri mavria, shfaqi nje ane te karakterit atje ku sduhej:publikisht akuzoi nje te huaj, ambasador, per korrupsion. Dhe guri qe hodhi lart, i ra si cekan nga dora e shoqes Kim. Po kjo nuk ka rendesi, sado te bertisni e shkarraviteni, zyrtari i pare me i larte i denuar per korrupsion ne Shqiperi eshte dhe do mbetet Saimir Tahiri. Jo Llalla. I pari u denua per shperdorim detyre e favorizim te kultivimit te drogea dhe trafikimit te saj dhe ishte ne detyre. I dyti per fshehje pasurie, mos deklarim ne formulare, sipas nje ligji qe u be fiks per ate pune ne 2017.

    Përgjigju
    • Tos martallosi: 23/09/2021 21:22

      Po jo mo "shoku", cne nostalgji e krehje. Larg ato pune. Tipa si Llalla jane shembulli se si sistemi shteteror ne Shqiperi eshte i korruptuar ne cdo element. Ai hyri ne sistem me korrupsion, u ngrit ne detyre me korrupsion, promovua ne ILDKP e PP me korrupsion, u denua jo per korrupsion, ne nje menyre hetimi dhe gjykimi komplet korruptive dhe qe perdoret e propogandohet sipas oreksit te korrupsionit politiko-diplomatik. Ndaj o mik, te tille tipa, e nga i pari ne presidence, qeveri e kuvend, per mua, te tere te 100 penxheret e kane vendin.

    • Shoku: 23/09/2021 15:08

      Ty o mik me duket se te paska krehur SPAK e ke nostalgji per kohen Tikut.

  • Dori: 23/09/2021 10:00

    Nuk besoj se Llalla ka menduar per Lavdi. Ai ka menduar vetem si te behet miljoner, qe e arriti duke i sherbyer me devotshmeri atyre qe vune dhe krimit ne pergjithesi. Shume pak 2 vjet ….

    Përgjigju
    • Llalla: 23/09/2021 12:52

      Trimat nuk dorezohen.

    • fieri: 23/09/2021 12:34

      po ti shikoje si e ka shkruajtur Dhalla (llalla) do i ket ber nder ketij ai, s'ka mundesi tjeter! Kemben e mbare te ket.

    • Kosi: 23/09/2021 11:57

      O Dhalle, Tiku leviz me trenin e shpejtesise se larte ku vetem rruga vetem vajtje kushton 100 e kusur EUR: Po ty me duket se te qenkan shperlare trute me dhalle fare. I futi nja dy qofte e mos bej derr derr mbi Tikun.

    • Bureto: 23/09/2021 11:25

      Nuk mund t'i hysh analizes se gjykimi dhe denimi i Llalles eshtei duhuri. kete ne se popull ia kemi lene ne dore drejtesise qe besojme se do jete ajo e duhura. Vetem se nje pyetje me lind. Dakord konfiskimi i nje apartamenti ne dures dhe 20 dynim toke, po ato 245.000 dollare qe ai ka perfituar nga shitja e ullishtes ne Mjull Bathore i mbeten ama. A nuk u fituan keto si rezultat i spekullimit dhe favorizimit ndaj nje biznesi privat per me teper te nje personi te koorruptuar? A nuik ka kdoi penal edhe nene qe i ndeshkojne zyrtaret publike sidomos te ketyre niveleve si Llalla. Ndeshkim me 1.4 vjet burg, vetem per fshehje pasurie nuk te bind. kesaj i thone u mbars malli dhe polli nje mi, pa le qe Llalla nuk besoj se do beje fare burg. Te tilla veprime e minojne prtitshmerite qe populli ka per 'drejtesine e reformuar'

    • Dhalla: 23/09/2021 10:13

      Po te kishte menduar per miljona sic po thua nuk leviste ne tren ,po ai eshte njeri i ndershem dhe i ka sherbyer ketij vendi ..

  • Fshati: 23/09/2021 08:56

    Une kam deshire ta shoh ng nje kendveshtrim tjeter. Pas 30 vitesh e denuam "nje" te koprruptuar te drejtesise. Pas sa vitesh da ta denojme te dytin? Me te njejtin ritem, sa vite do na duhen ti mbarojme?

    Përgjigju
    • RROFTE SHQIPERIA: 23/09/2021 13:37

      SA SHUME KERKON NGA JETA...KAQ ESHTE TAKATI 1 HERE NE 45 VJET, OSE NE DEMONKRACI 1 HERE NE 30 VJET...

  • F-35: 23/09/2021 07:55

    Askush nuk te merre ne qafe kur je profesionist e njeri me integritet. Nese perfiton karriere/pushtet/pasuri te pamerituar, duhet t'i vjellesh nje dite!

    Përgjigju
    • Deti: 14/11/2021 09:47

      Llalla u denua pse bleu lire dhe shiti shtrenjte veprim qe e ka deklaruar ne ILDKP. Dyshime te krijon po nese eshte e vertete a duhet te kene pergjegjesi shitesit dhe bleresit a duhet te kete pergjegjesi noteri.Dyshime kemi per shume qe pronat i rregjistrojne ne emer te personave te tjere,dyshime kemi edhe se kush kane bere vrasje neper Tirane dhe pse jane bere po pa prova nuk eshte arrestuar dhe denuar njeri. Si mendoni a mund te denohej Llalla nese nuk do te shkonte para c'do seance gjyqesore ambassadoria ne gjykate dhe kur dilte deklaronte se do te denohet. A mund ta bejne ambassadoret ne ndonje vend tjeter kete veprim imponues, shikoni rastin e Turqise. Sa per te tjerat besoj se do ta kene hetuar edhe ne fund ngelen te kapen me kete.

    • Agjenti: 23/09/2021 09:35

      Tamam

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?