Dosje

HiStory/ Fundi shekspirian i Kadri Hazbiut! Si e ekzekutuan në qeli nga frika e ndonjë rebelimi

28 Shkurt, 20:03| Përditesimi: 28 Shkurt, 23:08

  • Share

Edhe pse pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, Enver Hoxha e shpalli si Kryeministrin e ri, Kadri Hazbiu, një nga njerëzit më të besuar të regjimit komunist, u mënjanua, u përbalt dhe u arrestua. 
Si e gëlltiti babain e Sigurimit të Shtetit makineria që vetë ndërtoi, debatet e forta me Enver Hoxhën dhe vrasja sekrete në qeli për shkak të frikës së ndonjë rebelimi të mbështetësve. 

"Fundi shekspirian i Kadri Hazbiut" u trajtua sot në episodin e tretë të serisë së dokumentareve 'HiStory' të gazetarit Ferdinand Dervishi.

"Fundi shekspirian i Kadri Hazbiut"

Qysh pas vdekjes së vitin 1979 të Hysni Kapos - njeriut më të besuar të tij, Enver Hoxha e kishte mbajtur afër Kadri Hazbiun, ish-ministrin jetëgjatë të Brendshëm, me të cilin, për një çerek shekulli, kishin ndarë të mirat e të këqijat e ndërtimit të pushtetit.

Në këtë periudhë të artë të marrdhënieve Enver Hoxha kishte urdhëruar madje, që shtëpia e prindërve të Kadri Hazbiut, në fshatin Mavrovë të Vlorës, të kthehej në muze, siç ishte shprehur ai, “për të nderuar veprën patriotike të familjes Hazbiu dhe të vetë Kadriut”.

Afrimi ishte bërë edhe më i dukshëm gjatë shtatorit të vitit 1981, kur filloi goditja e Mehmet Shehut për shkak të fejesës së djalit të tij Skënderit, me Silva Turdiun - një vajzë jo e përshtatshme për normat komuniste.

Pikërisht në këtë periudhë, Enver Hoxha forcoi më tej pozitat e Kadri Hazbiut – tashmë Ministër i Mbrojtjes - duke e bërë, jozyrtarisht, pjesë të Sekretariatit të Komitetit Qendror, nga ku largoi Mehmet Shehun.

Më tej Enver Hoxha punoi ngushtë me Kadri Hazbiun për përgatitjen e punimeve të kongresit të 8 të Partisë së Punës që do të mbahej në fillim të nëntorit 1981 - një proces pune që lideri i komunistëve shqiptarë, për dekada me radhë, e kishte ndarë vetëm me Hysni Kapon dhe Mehmet Shehun.

Në përfundim të Kongresit do të kishte edhe gjeste publike. Një i tillë realizohet kur anëtarët e Plenumit të ri po ecnin në hollin e Pallatit të Kulturës... Enveri i pari, pas tij Mehmeti e Ramizi, e pas tyre Kadri Hazbiu.

Dikur Enver Hoxha ndal hapin, i bën me shenjë Kadri Hazbiut që të afrohej, e tërheq prej krahu dhe e vendos pas vetes.

Në fund, sërish domethënese, fjalën mbyllëse të Kongresit, në sheshin “Skënderbej”, nuk e mban Kryeministri Mehmet Shehu, por anëtari i Byrosë Politike të Partisë së Punë dhe Ministri i Mbrojtjes -  Kadri Hazbiu.

Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, madje pak orë pas saj, mëngjesin e 19 dhjetorit 1981, Enver Hoxha ja thotë në sy Kadri Hazbiut se duhet të merrte postin e Kryeministrit. Këtë të vërtetë e ka sjellë në librin e tij me kujtime Ramiz Alia, pasardhëssi i Enver Hoxhës.

Që Kadri Hazbiu do të ishte Kryeministri i ri, kjo do të shpallej zyrtarisht 2 javë më pas, më 2 janar 1982, në një mbledhjeje të përbashkët të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe të Byrosë Politike.

Por, njëmbëdhjetë ditë më vonë, më 13 janar 1982, Enver Hoxha emëron Kryeministër Adil Çarçanin, të cilin e kishte refuzuar në mbledhjen e 2 janarit, duke thënë se “është shok i mirë, por i molepsur nga metoda e drejtimit të Mehmet Shehut”.

Ky emërim shënon fillimin e rënies së Kadri Hazbiut. Për nëntë muaj me radhë, deri në arrestimin e datës 15 tetor 1982, ai do të mënjanohej, përbaltej, poshtërohej dhe akuzohej për një varg krimesh që “ja kishte fshehur Partisë“.

Më tej Enver Hoxha do ja hidhte Kadri Hazbiun ujqërve të Sigurimit të Shtetit, të cilët do e masakronin si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Pamja dhe dëshmitë e tij në gjyq, e vërtetonin linçimin.

Sikur të mos mjaftonte, gati një vit më pas, më 9 shtator 1983, ekzekutimi i tij, në zbatim të vendimit të gjykatës, do të bëhej në fshehtësi.

Një nga zëvëndësminitrat e Brendshëm u urdhërua që ta vriste Kadri Hazbiun me dorën e vet, në qeli, -  një skenë e denjë për tragjeditë shekspiriane.

Por pse duhet të mënjanohej dhe gremisej njëri nga njerëzit më të besuar dhe më të provuar të diktaturës komuniste shqiptare?

Pse duhet të sakrifikohej njeriu që pas Mehmet Shehut kishte atributet të shumta në betonimin e pushtetit të Enver Hoxhës në territorin e Shqipërisë zyrtare, nisur nga shkatërrimi i kundërshtarëve politikë, e shkuar te përballimi i fushatës amerikane e britanike të viteve 1949-1953 për rrëzimin e pushtetit të tyre? 

Dhe në fund, përse ai nuk u pushkatua si gjithë të tjerët, por u vra me plumb pas shpine në qeli, duke falsifikuar në vazhdim të gjitha dokumentet zyrtare?

Koha do të vërtetonte se Kadri Hazbiu, ishte bërë kurban i sigurimit të vazhdimësisë së mbijetesës dhe pushtetit të familjes së Enver Hoxhës me anë të së njëjtës skemë të përdorur për eleminimin e Mehmet Shehut.

Në librin e saj me kujtime, publikuar në janar 2020, vetëm një muaj para se ta mbyllte me këtë jetë, Nexhmie Hoxha ka dokumentuar pasigurinë e familjes për atë që mund të ndodhte pas vdekjes së bashkëshortit të saj Enver Hoxha.

Ajo shkruan se ata, pra familja, nuk kishin besim te Mehmet Shehu, që natyrshëm duhet të mbetej pasardhës i Enver Hoxhës në pushtet, pasi ishte më i ri në moshë.

Pas vrasjes me vetëvrasje të Mehmet Shehut, sa duket, Nexhmija, nuk ndihej e sigurt as me Kadri Hazbiun, të cilin Enver Hoxha po e përgatiste për të zënë vendin bosh të Kryeministrit.

Kundër Kadri Hazbiut, si i përzgjedhur i Enver Hoxhës, për postin e Kryeministrit, ka qenë edhe Ramiz Alia, që ndërkohë kishte marrë vendin e Hysni Kapos në drejtimin e punëve të Partisë, pasi ky post ju hoq Mehmet Shehut.

Ramiz Alia kishte mbërritur në majë të kupolës komuniste shqiptare urtë e butë. Ai shquhej, jo vetëm si servil i përhershëm i Enver Hoxhës, por edhe i Nexhmijes, të cilës i rrinte gjithmonë pranë edhe këtë e bënte edhe kur hierarkia e kërkonte në tjetër vend.

Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha njiheshin për miqësinë mes tyre, jo vetëm sepse dy familjet lidheshin me anë të një krushqie, por edhe për faktin se, për vite me radhë, të dy punonin në sektorin e propagandës të Partisë së Punës.

Të dy ata e kishin tejet të qartë se, me vendosjen e Kadri Hazbiut në postin e Kryeministrit, do ta kishin të pamundur kontrollin e pushtetit. 

Lëvizjet për të nxjerrë nga udha Kadri Hazbiun, shfaqen dhe të befta edhe të shpejta. Atë e përfshijnë menjëherë në fushatën e ndërmarrë për goditjen e të ashtuquajturit “grup armiqësor të Mehmet Shehut“.

Arsyetimi, qoftë i vetë Enver Hoxhës, apo i Nexhmijes, i bërë përpara tij, duhet të ketë qenë goditja e Kadri Hazbiut si njeriu më i afërt dhe më i besuar i Mehmet Shehut.

Sulmi për të goditur Kadri Hazbiun nis me mënyra që tashmë Enver Hoxha i kishte kthyer në metodë pune.

Fillimisht anëtari i Byrosë Politike dhe njëkohësisht ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, mënjanohet dhe lihet në errësirë.

Ai nuk përzgjidhet të filmohet nga kamerat e televizionit të vetëm shtetëror, nuk ftohet në evente të ndryshme, të cilat pasqyroheshin nga mediat e pakta të regjimit komunist.

Njëkohësisht, sigurisht me regji nga lart, në popull nis e përhapen fjalë për një arrestim të mundshëm apo të kryer të tij.

Në fakt ka një dokument të kohës që shërben si provë. Është një informacion urgjent për ministrin e Brendshëm, Hekuran Isai, i datës 14 shtator 1982, i ka ardhur Skrapari:

“Nga dy qytetarë me përbërje të mirë na thuhet se kanë dëgjuar që për shokun Kadri qarkullojnë fjalë se, ose është arrestuar, ose është arratisur, mbasi nuk po duket asgjëkundi. Fjalët i kanë dëgjuar nga persona të ndryshëm të ardhur nga Tirana“.

Ministri Hekuran Isai, është kujdesur që mbi telegram të shkruajë fjalën “SHPIFJE!“, sigurisht për pjesën e arrestimit dhe arratisjes.

Që gjithçka ishte e dirigjuar nga lart, këtë e zbulon një letër që Kadri Hazbiu ja ka dërguar Byrosë Politike, më 27 shtator 1982.

“Kur ishim në Pezë, ditën e mitingut që u bë atje, shoku Prokop, që bëri çeljen e metingut, kur prezantoi disa nga pjesëmarrësit, për secilin i dha të plota funksionet – partie e shtetërore – kurse për mua, përjashtimisht tha ‘merr pjesë dhe anëtari i Byrosë Politikë, Kadri Hazbiu. Në këtë moment shumë njerëz shikuan nga unë si me njëfarë habie. Unë, megjithatë në pamje qendrova i qetë, pëshpërita shumë avash; ç’bela e kastravecllëk“.

Sa duket, të gjitha fijet në prapaskenë, lëvizeshin nga vetë Ramiz Alia. Kjo sepse, në të njëjtën letër, Kadri Hazbiu sqaron se, që të shkonte në Pezë - me qëllim që të mbylleshin gojët e liga - atë e kishte këshilluar Ramiz Alia.

Por, i ligë deri në fund, në Pezë, pasardhësi i Enver Hoxhës, kishte porositur një tjetër grackë. 

“Të gjitha këto ja kam thënë shokut Ramiz bashkë dhe me mendimin tim se s’po luftohet si duhet kundër këtyre parrullave të dëmshme dhe se ato, në radhë të parë, po përhapen nga Tirana.

Shoku Ramiz më tha se di disa gjëra dhe kish dhënë porosi për të goditur si parrullat, ashtu dhe ata që i përhapin. Ai kërkoi dhe mendimin tim për të dalë, qoftë edhe për prezencë në ndonjë ceremoni, dhe mbetëm dakord se kjo arrihesh në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, që do të bëhesh pas disa ditësh. Megjithëse unë e konsiderova krejt të mjaftueshme me kaq, shoku Ramiz kish porositur të shkoja edhe në Pezë.

Dhe kështu u bë - dhe në meting ndodhi ajo që shpjegova në fillim“. 

Nërkohë, për gjashtë apo shtatë muaj me radhë, Sigurimi i Shtetit kishte rrëmuar në arkivat e Ministrisë së Brendshme dhe të zyrat e tjera të shtetit për të gjetur materiale komromentuese e akuzuese që do të përdoreshin për goditjen politike të Hazbiut.

E ardhmja e Kadri Hazbiut gjykohet, pas grumbullimit të këtyre materialeve, në një takim mes Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai.

Enver Hoxha mendon se dokumentet e gjetura janë serioze dhe se Kadri Hazbiu duhet të shkarkohet nga detyrat dhe të mbetet vetëm ministër pa Portofol.

“... dokumentet që kemi gjetur, janë një material shumë serioz, për të cilat ai duhet të shpjegohet mirë me ne.

Natyrisht që duhet t’ia japim, që të gjykojë sa më drejt mbi të, pastaj të shikojmë nëse duhet ta shkarkojmë nga detyra si ministër i Mbrojtjes dhe nga Byroja Politike dhe në se mund ta emërojmë, e shumta, si ministër pa Portofol. Dhe këtë detyrë, natyrisht, ne mund t’ia besojmë, në qoftë se do të qëndrojë mirë dhe si i tillë të marrë në dorë Inspektimin e Shtetit. Dhe ne do t’ia themi që këtë e bëjmë vetëm për interesin e Partisë, po edhe ti vetë duhet ta ndihmosh Partinë se kjo situatë ekziston, prandaj të tregosh në mënyrë të çiltër çdo gjë e të jesh gjakftohtë.“

Problemi që i del Enver Hoxhës në këtë pikë, nuk është aspak shkarkimi i Hazbiut, por impakti në popull dhe jashtë vendit, sidomos në Jugosllavi.

“Nga të katër anët interesohen, jo vetëm kuriozët, jo vetëm armiqtë, po kemi edhe hallin e anëtarëve të Partisë, që do të thonë: more, po ç’bëhet këtu? U dënua Mehmet Shehu, u arrestua Feçorr Shehu, u shkarkua Kadri Hazbiu. Pastaj dhe jugosllavët u thonë njerëzve të tyre që Enver Hoxha po i spastron me radhë të tërë të vjetrit.

Dikur Enver Hoxha pyet Hekuran Isain se “çdo të thotë Vlora“, që ishte vendlindja edhe e Mehmet Shehut edhe e Kadri Hazbiut.

Hekuran Isai pranon: Kadri Hasziu ka vërtet  popullaritet në Vlorë.

“ Nga ana e Kadriut është ndjekur një taktikë me kuadrot. Ç’janë pensionistë apo kuadro të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të ministrisë së Mbrojtjes nga Vlora e disa qarqe të tjerë, të tërëve u bën nga një telegram kur kanë ndonjë ngjarje në familje, ose, kur ndonjëri nga këta sëmuret, ai u shkon në spital. Kjo taktikë (e tij), të jemi realistë, ka krijuar njëfarë nostalgjie për të, sidomos pas ngjarjeve që kanë ndodhur me vetëvrasjen e Mehmet Shehut e pas vdekjes së shokut Hysni Kapo. Ja, edhe ky po ikën - do të thonë disa. Në këtë kuptim, them unë për nostalgjinë, ky ka krijuar një farë afërsie me njerëzit dhe disa do të kenë një farë nostalgjie për të.“

Enver Hoxha pohon se kjo e bën situatën të rrezikshme, por një sekondë më pas trimërohet, duke thënë se “përpara interesit të Partisë ne nuk duam t‘ja dimë, dhe se e fusim Kadri Hazbiun edhe në burg“.

Në fund të bisedës Enver Hoxha vendos që Kadri Hazbiut të mos i tregohen zbulimet dokumentare që kanë bërë, të akuzohet për mungesë vigjilence në detyrë, për disa materaile sekrete që u janë dhënë armiqve dhe të shkarkohet si ministër i Mbrojtjes e anëtar i Byrosë Politike duke u emëruar si ministër pa portofol.

Sigurisht që kushti për Kadri Hazbiun që të kapte këtë detyrë të rangut të fundit, por që mund ti siguronte mbijetesë të përkohshme, ishte reflektimi i thellë përpara Partisë për gabimet dhe të metat në punë, pasi një reflektim kundërshtues, i dobët apo jo bindës, ashtu si në rastin e Mehmet Shehut, do të rezultonte fatal. 

Sulmi frontal ndaj Kadri Hazbiut, në bazë të dokumenteve dhe provave të gjetura nga  Sigurimi i Shtetit, nis më 20 shtator 1982, në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës.

Akuzat ishin disa, por më kryesoret do të ishin dy  prej tyre.

E para, Kadri Hazbiu akuzohej se kishte lejuar të punonin lirisht në ministrinë e Brendshme një sërë armiqsh, si Mihallaq Ziçishti e Feçor Shehu, të cilët sapo ishin arrestuar, Maqo Çomo - i dënuar me burg prej gati njëzet vitesh, Zoi Themeli  - i internuar, Panajot Plaku - i arratisur prej një çerek shekulli dhe i vdekur në Jugosllavi. 

Listën e mbyllnin Llambi Peçini dhe Gani Kodra dhe disa oficerë të tjerë të Sigurimit të Shtetit, të arrestuar si bashkëpuntorë të Feçorr Shehut.

Akuza e dytë, ku mëshonin fort Enver Hoxha dhe të tjerët, thoshte se Kadri Hazbiu u kishte dhënë sekrete shtetërore këshilltarëve sovjetikë. Ai akuzohej se i kishte dorëzuar KGB-së agjenturën e kundërzbulimit, që vepronte në radhët e studentëve shqiptarë në Bashkimin Sovjetik.

Por, nëse akuza e parë ishte krejt normale për mënyrën se si kishte funksionuar deri në këtë kohë kasta e komunistëve shqiptarë me bashkëpunëtorët që piketonte të godiste, akuza e dytë ishte tërësisht e fabrikuar.

Dorëzimi KGB-së, i listave të agjenturës sonë mes studentëve shqiptarë, që studionin në Bashkimin Sovjetik, kishte qenë një vendimmarrje shtetërore që ishte firmosur nga vetë Enveri në vitin 1950, kur mbante edhe postin e Kryeministrit.

Por gjithkush bënte sikur nuk kujtonte asgjë. Siguria buronte edhe prej faktit se ndërkohë, nga arkiva, ishin nxjerrë e zhdukur të gjitha dokumentet e kësaj marrëveshjeje.

Në fund Kadri Hazbiut iu kërkua që autokritikën ta bënte me shkrim.

Autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut mban datën 27 shtator 1982. Kopja që ne kemi gjetur ka sipër vërejtjet me shkrim dore, dhe që të gjitha të hidhura, të Evner Hoxhës. Për shëmbull, në faqen 3, aty ku Kadriu shkruan; “U jam kundërvënë lavdeve që më bënin në sy...“ Enver Hoxha shënon: “Kush ja beson këto lakra!“

Në autokritikën me shkrim Kadri Hazbiu e pranon përgjegjësinë në moszbulimin e veprimtarisë armiqësore të një vargu drejtuesish të lartë të ministrisë së Brendshme, që ai e drejtoi për rreth një çerek shekulli. Ai nuk kishte nga t’ja mbante përballë realitetit të ri të krijuar pas shpalljes së Mehmet Shehut armik dhe arrestimit të ministrit të Brendshëm, Feçorr Shehu.

“E them që në fillim se unë mbaj përgjegjësi të madhe si anëtar i Byrosë Politike dhe ish ministër i Punëve të Brendshme. Kjo përgjegjësi konsiston në radhë të parë në mos zbulimin e kësaj veprimtarie të egër megjithëse ajo ishte në aktivitet të vazhdueshëm, si dhe për faktin se në këtë rrjet përfshiheshin kuadro me rëndësi të organeve të Sigurimit të Shtetit, ku unë kam drejtuar“. 

Në vijim, në autokritikën më shkrim të Kadri Hazbiu, refuzon të mbajë përgjegjësi në dhënien shërbimit sekret sovjetik, KGB, të listave të agjenturës sonë mes studentëve shqiptarë, që studionin në këtë shtet.

“Unë nuk e shpjegoj dot me kujtesën që kam nëse ish autorizuar ose jo Llambi Peçini për t’u dhënë zyrtarisht rusëve ato materiale që përmban lista. Normalisht dhe sipas praktikës, një dokument të tillë duhet ta kisha firmosur unë ose një zëvendësministër. Veç kësaj unë e kam pasur dhe e kam në praktikën time që në çdo dokument të vë shënimet ose siglën. Gjykoj se kjo dërgesë është bërë në shpinën time dhe me qëllim të caktuar”.

Duke parë me kujdes dokumentet e trashëguara nga sistemi komunist, rezulton se për Enver Hoxhën ka qenë fare i lehtë përgatitja e skenarit që do të goditste Kadri Hazbiun.

Ai ishte copy-paste i skenarëve të vjetër, tashmë të elaboruar, të goditjes së Koçi Xoxes, Beqir Ballukut, Mehmet Shehut e të tjerëve.

Një skenar i mirëmenduar, ku Enver Hoxha jo vetëm ka gati pyetjet që do të kapin mat Kadri Hazbiun, por edhe përgjigjjet e të akuzuarit për pyetjet.

Enver Hoxha e ka të qartë edhe rezultatin final. Më e mira që mund të ndoshte për Kadri Hazbiun ishte defaktorizimi i tij dhe rrokullisja në një post pa rëndësi. Por që kjo të ndodhte, Kadri Hazbiu duhet ti bindte me autokritikën e tij të thelluar. Në të kundërt, Kadri Hazbiu do të përfundonte në burg.

Fati i Kadri Hazbiut vendoset në Mbledhjen e Byrosë Politike të datës 8 tetor 1982.

I pari që u ngrit, sërish sipas një skenari, duke adresuar një numër të madh akuzash ndaj Kadri Hazbiut, ishte Simon Stefani – anëtar i Byrosë Politike.

Ai i kërkoi Hazbiut shpjegime për veprimtarinë armiqësore të kryer nga disa kuadro të Ministrisë së Brendshme, e pyet se përse të gjithë grupet armiqësore, njëri - pas tjetrit, janë zbuluar nga Partia, e pyet për manipulimet e bëra në hetuesi me qëllim që të zbulohej veprimtaria armiqësore e Mehmet Shehut, për dokumentet sekrete që i janë dhënë revizionistëve sovjetikë pa lejen e Komitetit Qendror të Partisë, për procedimin e kuadrove të Sigurimit të Shtetit, për familjaritetin e sëmurë, euforinë e pabazuar e të tjera…

Të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, shfaqen sikur të ishin në një garë se cili do të bënte më tepër akuza ndaj Kadri Hazbiut, edhe pse akuzat nuk ishin të mbështetura në fakte konkrete, por në dyshime.

Sa duket me këto sjellje, që të gjithë përpiqeshin të fitonin pikë përpara Enver Hoxhës.

Peshën e rëndesës në debat e merr akuza e parë, që thoshte se ai nuk ishte treguar vigjilent ndaj veprimtarisë armiqësore të disa kuadrove të lartë në Ministrinë e Brendshme.

Kadriu në përgjithësi nuk i mohon akuzat dhe shpesh thotë se e pranon fajin, por ai gjatë gjithë kohës, këmbëngul dhe përsërit se gabimet e tij kanë qenë të papërgjegjshme.

Përsëritja e këtij argumentimi e tërbon Enver Hoxhën.

“Mos thuaj e kam unë përgjegjësinë, çka do të na thuash se nuk ke asnjë përgjegjësi me mënyrën si shprehesh. Ti ke bërë gabime dhe gabimet e tua janë krimr, gjë që ti nuk e thua, por thua “kështu e kam gjykuar”, “kështu kam menduar”, “e mbaj unë përgjegjësinë”, “nuk është kështu”, etj. Po ne bar nuk hamë këtu, se kemi 40 vjet që luftojmë me elementët armiq”.

Interesante është se, në këtë pjesë të parë të goditjes, Kadri Hazbiu nuk akuzohet si armik i Partisë, por vetëm si një funksionar politik që ka dëmtuar interest e Partisë.

“Në sipërfaqe, në dukjen e jashtme Kadriu është treguar i mobilizuar për zbatimin e vijës së Partisë, ndërsa faktet tregojnë se ai ka qenë një element liberal në zbatimin e normave në punën e Sigurimit të Shtetit.

…Mendjemadhësia, megalomania dhe miopia politike e ka çuar Kadrinë në atë pozicion të armiqve që organizoheshin herë pas here në grupe, duke filluar nga Konferenca e Tiranës e deri në veprimet e grupit të fundit që drejtohej nga Mehmet shehu dhe disa kuadro të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kështu, Kadriu nuk e ka justifikuar besimin e Partisë, ai ka punuar shumë keq, prandaj për të gjitha këto faje të rënda që janë bërë shkak për të dëmtuar interest e Partisë dhe të atdheut, ai nuk mund të qendrojë më në funksionet që i janë besuar në Parti dhe në pushtet.”

Në përfundim të Plenumit, aspak i kënaqur - nga qendrimi, kryesisht në pozita mohuese ndaj akuzave - i Kadri Hazbiut, Enver Hoxha propozon shkarkimin e tij si anëtar i Byrosë Politike dhe si Ministër i Mbrojtjes.

“Dhe propozoj që Kadriu të hiqet nga Byroja Politike dhe nga Komiteti Qendror, gjithashtu të shkarkohet nga funksionet e ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe të mos rekomandohet në listat që janë përgatitur për deputetë në Kuvendin Popullor. Këto masa do të forcojnë akoma më shumë unitetin e Partisë dhe do të rritin besimin në popull…”

Pasi i jep mandatën Kadri Hazbiut, Enver Hoxha kërkon masa urgjente për forcimin e aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes, ndryshime drejtorësh e nëndrejtorësh, që duhet të bëheshin brenda 6 ditëve.

Formulimin e arsyetimit të shkarkimit të Kadri Hazbiut nga Ministër i Mbrojtjes dhe si anëtar i Byrosë Politike e bën Ramiz Alia:

“Vendimin e Byrosë Politike e kemi formuluar kështu: Byroja politike e Komitetit Qendror në datën – këtu nuk po e vëmë datën – vendosi: Kadri Hazbiu të shkarkohet nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes Popullore për mungesë të theksuar vigjilence dhe për gabime të rënda në kundërshtim me vijën e Partisë dhe me interesat e shtetit gjatë kohës që ka punuar si zëvëndësministër e ministër i punëve të Brendshme“.

Vazhdimësinë e fatit të Kadri Hazbiut Enver Hoxha ua komunikon vartësve gjatë Plenumit të Pestë të Komitetit qendror të Partisë së Punës, mbajtur në datat 13 dhe 14 tetor 1982.

Qysh në fjalën e hapjes Enver Hoxha shfaqet ekstremisht i acaruar me kundërpërgjigjjen e Kadri Hazbiut ndaj akuzave të bëra.

“Kur lexova autokritikën e tij, konstatova se Kadri Hazbiu jo vetëm që nuk i ka marrë parasysh këshillat dhe ndihmën që i dha Byroja Politike, por është hedhur në sulm kundër Partisë, kundër udhëheqjes së saj dhe na akuzon duke thënë: ku kanë qenë ata që i paskan dërguar këta gjarpërinj në këto ministrira dhe këtë ‘ëngjëll‘ në mes të gjarpërinjve? Në shumë paragrafe të autokritikës – në thonjza – së tij, na bën dhe të akuzuar. Në një paragraf thotë: ‘faji im është që këto nuk i kam dhënë me shkrim, po ua kam thënë me gojë shokut Hysni, po e po, por edhe shokut Enver. Dhe në qoftë se nuk ja kamë thënë shukut Enver, atij ka kë thënë Mehmet Shehu, ja ka thënë Beqir Balluku. Këto janë disa akuza që ne i hedhim poshtë me neveri...

Kujt ja thotë ai këto? Neve na i thotë? Armiku Beqit Balluku do tja hidhte kadri Hazbiut?! Nuk e njohim ne kush ishte Berqir Balluku? Ai ishte një njeri që s’kishte kokë...

Interesante është se deri në këtë pikë të fjalimit të Enver Hoxhës, Kadri Hazbiu sërish nuk cilësohej armik. Por insinuata, që të tjerët ta kuptojnë mendjen e Enver Hoxhës, krijohet kur ai flet për Mehmet Shehun dhe të ashtuquajturin grupi i tij armiqësor.

“... Kadriu nuk na thotë se cilin kishte bashkëpunëtor kryesor Mehmet Shehu. Këtë duam të dimë ne. Cili është ai bashkëpunëtor kryesor, që në fakt i ka lejuar të punojnë të gjithë këta minj, por ama në kohën kur Mehmet Shehu të bënte atentatin – e ka fjalën për atentatin e supozuar ndaj tij, Enver Hoxhës, - ta kishte si një mbështetje në popull e në Parti, do me thënë të ishte i njohur si njeri i mirë, si njeri i butë, si njeri që të hedh dorën në qafë etj, etj.

Ndërsa fraza që e ka plagosur më tepër kryelartsëinë e Enver Hoxhës rezulton të ketë qenë një gjykim i Kadri Hazbiut që shkonte në parashikime përtej aktuales.

“... në autokritikën që na ka paraqitur, ai nuk merr asnjë faj. Kjo nuk është rruga që duhet të ndjekë një njeri, i cili quhet komunist. Dhe në fund thotë: koha do ta tregojë. Ç’do të thotë kjo? Kjo është një sfidë që do të thotë se këto që vendosim ne tash, këtu, nuk janë të drejta, por koha do të tregojë që ai është një njeri i pafajshëm. Do ta shohim se çfarë do të tregojë koha...“

Menjëherë pas këtyre ligjëratave, Enver Hoxha e cilëson, për herë të parë publikisht, Kadri Hazbiun si armik. Një armik për të cilin ai është i ndërgjegjshëm se është i fundmi në radhë, me fjalë të tjera, në fund të jetës biologjike, Enveri po linte trashëgim një Parti krejtësisht të pastër.

“Armik si Kadri Hazbiu nuk kemi parë. Këta të fundit ua kaluan të tjerëve...

Kishim një vit që po e duronim. Na i acaroi nervat në kulm, bëmë mirë që e spastruam, se Partia u forcua akoma më shumë“.

Në fund, pasi është lajmëruar se me Kadri Hazbiun do të merret hetuesia, Enver Hoxha shfaqet i lumtur: “Punët na shkojnë mirë, bile shumë mirë, kurse të tjerëve u shkojnë jashtëzakonisht keq e sidomos armiqve të tërbuar që kemi në Veri të atdheut tonë. Ata janë në falimentim të plotë.“

Shoku Petro Dode thotë se në buletinin e pardjeshëm të lajmeve bëhet fjalë për mungesën e energjisë elektrike dhe të naftës.

Enveri e shton dozën e humorit duke thënë se mungojnë jo vetëm këto lëndë, por në buletin thuhej se nuk kanë as qirinj...

Në fund Enveri e mbyll gajasjen duke thënë se fajin e ka regjimi i tyre që është i kalbur.

Kadri Hazbiu u arrestua një ditë më pas, më 15 tetor 1982. Në kujtimet e tij, që së shpejti pritet të publikohen, Agron Aranitasi, dhëndri i Kadri Hazbiut, ka shkruar:

“Grupi hyri në oborr, duke përplasur portën metalike. Zhurma tërhoqi vëmendjen e familjarëve të Kadriut. “Mos u shqetësoni, ata vijnë për mua”, u tha ai. E hapi vetë derën dhe doli para Hasan Ulqinakut. Hasani e pyeti: “Eshtë Kadri Hazbiu brenda”? Nga hutimi nuk po njihte ish-ministrin e tij?! “Unë jam”, iu përgjigj Kadriu. Hasani filloi të bërtiste: “Në emër të popullit je i arrestuar”! “Më jep vendimin e prokurorit”, u dëgjua zëri i Kadriut. Në këtë çast Hasani u hodh mbi të dhe e tërhoqi në oborr, ashtu, siç ishte, të veshur me pizhama. Të tjerët i përshpërisnin: “Po lere, ore, lere të vishet”. Kadriu u vesh në oborr. Iu vunë prangat, e futën në një BÇ - xhip të prodhimit kinez dhe e dërguan në burgun e ri të Tiranës, tani burgu burgu 313. Aty e prisnin ministri i Brendshëm dhe kryeprokurori, Rrapi Mino.

Agron Aranitasi, një inxhinier i njohur i televizionit publik shqiptar, rrëfen se Kadri Hazbiu në asnjë rast nuk ja dha kënaqësinë Enver Hoxhës dhe të tjerëve ta shihnin të përgjunjur apo duke kërkuar falje. Kjo shpjegon edhe acarimin, në disa raste ekstrem, të Enver Hoxhës dhe ndonjë tjetri pas përgjigjjeve të Hazbiut ndaj akuzave.

“Në burg Kryeprokurori Rrapi Mino filloi t'i lexonte aktakuzën, të cilën e kishte përgatitur Hekuran Isai me një grup oficerësh dhe shkrimtarësh. Në një moment, kur Mino po i numëronte shërbimet sekrete të cilave u kishte shërbyer, ai iu drejtua me përçmim: “Po i Bangladeshit nuk dal aty”? 
Pastaj mori pamje serioze dhe u kthye nga Hekuran Isai: “Hekuran, beson ti se agjenturat e UDB-së dhe KGB-së do ia hedhin Enver Hoxhës”? “Kush janë”, e pyeti Hekurani. “Me që ia kam thënë atij, po t'i them edhe ty. Ti dhe Ramiz Alia”, shqiptoi Kadriu. Hekurani e qëlloi me pëllëmbë. Kadriu, i revoltuar, e shau. “Jam i lidhur, pa e dija unë se ç'të punoja”!

E çuan në qeli. I vunë kaskën në kokë dhe e futën në kafazin prej hekuri. Për të fillonte një periudhë e re, me procese hetimore dhe me tortura të përditshme, të cilat do vazhdonin deri në muajin gusht 1983”.

Gjyqi ndaj ish ministrit të Mbrojtjes Kadri Hazbiu, ish ministrit të Brendshëm Feçorr Shehu e disa drejtuesve të lartë të Sigurimit të Shtetit, nisi më 22 gusht 1983.

Akuzat e ndërtuara nga Prokuroria nuk janë vetëm ato të bëra nga Enver Hoxha dhe ish kolegët e Byrosë Politike. Gjatë hetimit ato ishin shtuar.

Kadri Hazbiu akuzohet pothuaj për të gjitha dështimet e Sigurimit të Shtetit, filluar qysh nga vitet e para pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

U akuzua se kishte bashkëpunuar me armiq të njohur të Partisë, se ishte agjent jugosllav, sovjetik, amerikan e të tjera.

Mes të tjerave, ai u akuzua se ja kishte fshehur Enver Hoxhës faktin që Teme Sejkua – ish Komandanti i flotës-ushtarake-detare – ishte një agjent sovjetik.

Madje për Teme Sejkon, nisin të besonin se vazhdonte të ishte gjallë, se Kadri Hazbiu ua kishte dhënë sovjetikëve – një histori që u mbyll me dëshmitë e disa oficerëve të Sigurimit të Shtetit, të cilët pohuan se Teme Sejkos i kishin rezervuar një vdekje të llahtarshme, duke e masakruar me shufra shkoze.

Ndërsa investimi më i madh i Sigurimit të Shtetit do të rezultonte në krijimin e një legjende sipas të cilës Kadri Hazbiu ishte lidhje organike e grupit të Mehmet Shehut, se së bashku kishin plan të merrnin pushtetin duke eleminuar me atentat apo me helm Enver Hoxhën, se edhe banda e Xhevdet Mustafës nuk ishte e rastësishme, por kishte ardhur për tu lidhur me Kadri Hazbiun, i cili duke qenë Ministër i Mbrojtjes kishte planifikuar një grusht shteti për të rrëzuar pushtetin e popullit në Shqipëri.

Edhe pse i shkatërruar fizikisht në qeli nga torturat fizike dhe psikologjike të bëra nga disa hetues të përzgjedhur, Kadri Hazbiu shfaqet i fortë edhe në gjyq.

Ai nuk pranon asnjë akuzë, këmbëngul se nuk është një tradhëtar dhe kacafytet me pothuaj të gjithë dëshmitarët e rremë.

Në gjithë historinë e goditjeve të të ashtuquajturve elementë armiq në kupolën komuniste të kohës, Kadri Hazbiu dhe, njëkohësisht me të, edhe Feçorr Shehu, nuk pranuan kompromise, nuk bashkëpunuan me hetuesinë apo Sigurimin e Shtetit.

Vetëm këta të dy nuk pranuan të mësonin përmendësh versionet e sajuara të Siguimit të Shtetit, me qëllim që të përfitonin ulje dënimi, apo fajlen e jetës.

Vendimi i Kolegjit ushtarak të Gjykatës së Lartë për dënimin me vdekje të Kadri Hazbiut u shpall më 5 shtator 1983.

I akuzuar për disa vepra penale, përfundimisht ai u dënua me pushkatim.

Katër ditë më pas, më 9 shtator 1983 Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk u fali jetën Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut, Llambi Peçinit dhe Llambi Ziçishtit.

Në dokumentin që lejon zbatimin e vendimeve të gjykatës, ka një shtesë ekskluzive vetëm për Kadri Hazbiun.

“Në veçanti Kadri Hazbiu është dënuar edhe për organizimin dhe futjen e një bande të armatosur në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë“. 

Ekzekutimi i vendimeve të gjykatës është bërë me shpejtësi, brenda datës 9 shtator 1983, pra vetëm pak orë pas shpalljes së mosfaljes së jetës nga Presidiumi i Kuvendit popullor. 

Ekzekutimi i tyre të bëhet në Kodrat e Selitës në ora 24:00 të datës 9 shtator 1983. Për ekzekutimin e këtyre armiqve ngarkohen shokët: Zylyftar Ramizi – zëvendësministër, Agron Tafa – Zëvendësministër, Nikolla Shkurti – oficer, Afuz Murati – oficer, Nevzat Vigani – Mjek, Arben Tabaku – shofer.

Në ekzekutimin e këtyre armiqve të Partisë dhe të Pushtetit... të marrë pjesë Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino.

Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai.

Dokumenti i shkruar dhe firmosur menjëherë pas ekzekurimeve ka këtë përmbajtje:

"Të dënuarit pasi u çuan në vendin e ekzekutimit, u njoftuan nga Prokurori i Përgjithshëm se Presidiumi i Kuvendit Popullor ua kishte refuzuar kërkesën për falje. Të dënuarit Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehu u shprehën se janë të pafajshëm, kurse të dënuarit Llambi Peçini dhe Llambi Ziçishti, nuk thanë gjë. Pas këtij veprimi, në orën 24:00 të datës 9 shtator 1983, u krye ekzekutimi me pushkatim për të dënuarit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini dhe Llambi Ziçishti'

Por ky dokument rezulton të jetë i falsifikuar, pasi Kadri Hazbiu nuk është pushkatuar në Kodrat e Selitës dhe në zbatim të urdhërit të ministrit të punëve të Brendshme Hekuran Isai.

Familjarët e Kadri Hazbiut, të cilët kanë arritur të grumbullojnë dëshmi të personazheve të ndryshëm që kishin dijeni ose ishin të pranishëm në çastet e fundit të jetës, njohin dhe rrëfejnë një version të ndryshëm.

Kadri Kazbiu është ekzekutuar ne qelinë e tij sipas një vendimi të çastit të krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Një vendim frikacakësh, të cilëve mendja u ndërtonte skenarë që thoshin se gjatë procesit të pushkatimit, ndonjë nga të pranishmit – që mund të ishte simpatizant i Kadriut dhe mund të shkaktonte ndonjë ngjarje me pasoja të paparashikueshme.

Çastet e fundit të Kadri Hazbiut, fillimisht të mbështetura në një dëshmi të ish-ministrit të Brendshëm të kohës Hekuran Isai, i ka rindërtuar në kujtimet e tij, inxhinieri Agron Aranitasi:

“Në darkën e 9 shtatorit 1983, unë dhe dy zëvendësministrat e Brendshëm, Zylyftar Ramizi dhe Agron Tafa, ndodheshim në burgun 313. Atë ditë do kryhej ekzekutimi i Kadri Hazbiut dhe tre të tjerëve. Para orës 24.00 mbërriti toga e policisë, e caktuar për shoqërimin e të dënuarve dhe sigurimin e vendit të caktuar për ekzekutimin e tyre. Policët shfaqën shenja shqetësimi kur mësuan se midis tyre ishte edhe Kadri Hazbiu. Njëri nga zëvendësministrat m’u drejtua: “Situata rrezikon të na dalë nga duart.” “Çfarë propozon?” - e pyeta. “Duhet ta zgjidhim vetë” - më tha ai. “Aty e ke, zgjidhe” - i thashë.”

Ekzekutimi i Kadri Hazbiut është bërë në qelinë e tij të burgut nga një zëvendësministër i Brendshëm, i cili sipas rrëfimit të Hekuran Isait, nuk kishte ndonjë arsye të urrente Kadriun.

Vrasja, sipas disa dëshmive të tjera të mbledhura nga familjarët, është pasqyruar në këtë formë në kujtimet e Agron Aranitasit

“Kadriu po përgatitej. Po vishej. Ishte me kurriz nga dera. Zëvendësministri hyri në qeli dhe e qëlloi nga prapa. Para se ta nxirrnin nga qelia, e mbështollën me letër celofani, i veshën vetëm këmishën dhe e vendosën mbi një batanije. Kështu e futën në makinë. E çuan në vendin e caktuar dhe, pas ekzekutimit të tre të tjerëve, e hodhën në një gropë me Feçor Shehun. Llambi Peçinin dhe Llambi Ziçishtin i hodhën në një gropë tjetër, bri të parës.“

Më tej familjarët e Kadri Hazbiut kanë arritur të kontaktojnë edhe dy nga pjesëmarrësit në ekzekutim.

Një prej tyre, Nevzat Vigani, kishte dëshmuar se Hazbiun e nxorrën të vdekur nga qelia duke e futur në makinën që kishte shofer një person që quhej Arben.

Këmbëngulës, familjarët e kishin gjetur edhe shoferin Arben Tabaku, i cili u kishte dhënë këtë dëshmi:

“Unë Kadriun e kam varrosur me duart e mia. Në ndryshim nga të tjerët, ai ishte veshur vetëm me këmishë. Ishte i mbështjellë me një si mushama plastike. Të tjerët ishin të veshur me kostume. Të katër i vendosëm në dy gropa, dy e nga dy. Kadriun e vumë bashkë me Feçorin”.

Të gjitha këto dëshmi do ti bënte edhe më të besueshme gjetja e eshtrave të Kadri Hazbiut.

Agron Aranitasi i mbyll me këto të dhëna kujtimet e tij:   

“Vendi në Linzë ishte shtuf dhe nuk mbante ujë. Kadriu dallohej nga këmisha e tij e gjuetisë prej teritali kinez. Ajo nuk ishte tretur. Ishte i mbështjellë edhe me letër celofan, ashtu si kishte thënë Arben Tabaku. Feçori ishte i veshur me kostum, i cili nuk ishte dëmtuar. Vetëm astari ishte kalbur. Kadri Hazbiu nuk kishte shenjë plumbi në kokë, një dëshmi tjetër që ai ishte ekzekutuar në qeli. Feçor Shehu ishte qëlluar në kokë. Plumbi i kishte shkëputur gjysmën e kafkës. Eshtrat i futën në arkivol, i sollën dhe i varrosën në Tiranë. Ishte nëntori i vitit 1995.”

Pas pushkatimit të Kadri Hazbiut, armikut të egër që sipas Enver Hoxhës “ua kalonte të gjithëve“, lideri komunist u kujdes të rrafshonte nga themelet edhe shtëpinë muze të Kadrinjve në fshatin Mavrovë, që vetë kishte urdhëruar të ndërtohej, u kujdes që të internonte edhe makinën e njohur të tij, një Mercedes Benz SL Class me ngjyrë jeshile, që e dërguan jashtë vendit, në një ambasadë.

Duket, i mësuar me njerëz të dobët, të cilët, në raste të ngjashme, i binin në gjunjë e lëpiheshin, ai nuk i kapërdiu dot seancat e vështira të goditjes dhe ndëshkimit të Kadri Hazbiut, i cili përkundër pritshmërive, e vuri shpesh në siklet besueshmërinë publike të argumenteve të udhëheqësit të madh dhe të pagabueshëm.

Kjo është historia e eleminimit të Kadri Hazbiut. Një histori e vërtetë e më shumë se 4 dekadave më parë, të cilën mund ta kuptojnë vetëm ata që jetonin dhe ishin të rritur në atë kohë.

E eleminimit të një personazhi që ishte pjesë e sistemit, si dhe një nga master mind-ët e Sigurimit të Shtetit, që i kishte shërbyer Enver Hoxhës në mënyrë të verbër për konsolidimin e pushtetit.

Por edhe një histori që shërben për të kuptuar mendësinë e njerëvze të cilëve popujt u japin pushtet absolut për një kohë shumë të gjatë.

 

 

S.G/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se në primaret e PD do të fitojnë kandidatët më të mirë?