Njoftimi që lajmëron zhvendosjen e Teatrit të Kukullave pranë Liceut artistik, qëndron pranë sheshit “Skënderbej” prej 6 muajsh. Me vonesën e fillimit të punimeve, baneri me afatet e reja të restaurimit të godinës së vjetër nga Bashkimi Evropian, ka pothuaj aq kohë. E së paku aty, objekti mban ende emrin Teatri Kombëtar i Kukullave.
Kaosi i krijuar, ku ndërsa restaurohet Teatri i vjetër, lajmërohet për një Qendër të re Kulturore pranë Gardës, nuk i ndal aktivitetet. Ndonëse, një biletë për shfaqje për fëmijë kushton shumë herë më pak se rrotullimet në karrocel. 2 km më tej, prindër e fëmijë qëndrojnë këtë të diel në pritje pranë sallës “Tonin Harapi” për shfaqjen repertor “Vitaminat e jetës”. Përgjegjës në Teatër, Nelson Mulla rrëfen se si po organizohen këto kohë shfaqjet në Tiranë e rrethe.
“Shfaqjet ne nuk i kemi ndalur kurrë, pavarësisht faktit se godina është në restaurim. Krahas shfaqjeve të repertorit, do të kemi edhe tri premiera për fëmijët, dy do të jenë teatër me kukulla, ndërsa një do të përfshijë aktorë edhe artistë nga Qendra Kulturore Për Fëmijë. Këto shfaqje do të jepen përgjatë muajve në vijim, në Tiranë por edhe rrethe”, shprehet Nelson Mulla.
Ndërkaq besnikët e Teatrit për fëmijë janë aty, e radhët mbushen plot. Me vështirësitë e skenës së improvizuar, që nuk është menduar për shfaqje teatrale, e skenografinë e ideuar për t’u zhvendosur edhe në periferi, Aleksandër Grami, e aktorët e tjerë në petkat e vitaminave u rrëfejnë vogëlushëve se si të ushqyerit shëndetshëm mund t’u ndryshojë mënyrën e jetesës, e t’i bëjë më të fortë e të mençur.
Duartrokitjet në fund të shfaqjes interaktive e përqafimet e fëmijëve, janë momenti që u sjell më shumë sodisfaksion aktorëve.Mes aktorëve që luajnë më shumë se një rol, aktorja Jorida Meta kësaj here përballë publikut fëmijë, rrëfen emocionet që merr prej tyre, jo vetëm në Tiranë por edhe në rrethe.
“Ja! Këta fëmijët që vijnë të të përqafojnë e duan të bëjnë fotografi me ty, të puthin e të duartrokasin dhe janë shumë të vëmendshëm ndaj shfaqjeve tona, të bëjnë t’i harrosh të gjitha vështirësitë... Do të vijojmë shfaqjet tona edhe nëpër qytete të tjera si Durrësi, Kruja... Ne kemi qenë edhe në Klos, ku kishte 30 vjet që nuk shkonte Teatri i Kukullave. Ne jemi kudo!”, shprehet aktorja Jorida Meta.
Qendra Kulturore për Fëmijë, është një prej skenave me buxhetin më të ulët, ndonëse diti t’i flasë fëmijëve me gjuhën e artit edhe gjatë kohëve të vështira të izolimit pandemik.