Flamuri tringjyrësh, mbulon sheshin që mban emrin e shtetit fqinj, “Italia”...
Këtë fundjavë, Java Italiane, ka si kryefjalë kulinarinë, e sjell në Tiranë “Pizza village” nga Napoli, ndaj zyrtarët janë sportiv e fjalëpak, duke ja lënë vendin përgatitjes në çast e degustimit të picave.
“Mirë se erdhët në ‘Pizza Village’, është një nga ngjarjet më të rëndësishme nga 54 aktivitetet dedikuar Javës së Italisë , një nga eventet që kemi më përzemër. E megjithatë ky është nga ato raste që fjalët janë të tepërta ndaj ju ftoj të gjithëve të provoni picën italiane!”, thotë ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci.
Gjithçka nis me Margherita, picën që ideoi picajoli Raffaele Esposito i picerisë Brandi plot 133 vite më parë në Napoli... Domate, mocarelë e bazilikë, e me sekretet e përçuara brez pas brezi që picajolët e rinj napolitanë kujdesen të mos zbulojnë ndërkohë që ofrojnë picat falas...
I zgjedhur si ‘Best Food Festival’, mes 1 milionë organizimesh të ngjashme, Pizza Village prej 10 vitesh ndërmerr udhëtime të jashtëzakonshme në të gjithë botën duke promovuar këtë trashëgimi kulinare italiane.
“Arti i Picerisë italiane është njohur si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Të Njerëzimit. Një vlerësim nga UNESCO që na mbush me krenari, e përtej shakave, sekreti i picerisë italiane është në shpirtin e picajolit që e përgatit. Kështu që ju ftoj të gjithëve të vini në Napoli për të provuar picën e vërtetë dhe do të mbeteni të habitur!”, thotë Alessandro Marinaci, përfaqësues i “Pizza Village”.
Pak minuta pritje, muzikë italiane, dhe stolat përqark kuzhinës së improvizuar, për ta degustuar picën napolitane siç duhet... Edhe e diela vijon me këtë shije, ndërsa Java italiane përfundon të martën...