Fundjava pritet që të jetë me reshje të dobëta të shiut në të gjithë vendin. Kështu deklaroi në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’, në Report Tv meteorologia Anila Gjoni nga IGJEUM. Gjoni theksoi se java e ardhme nis pa reshje shiu.
“Presim që edhe fundjava të ndodhet në ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, pasi do të jemi në praninë e reshjeve të dobëta të shiut në të gjithë vendin. Në jug të vendit presim që dita e shtunë pasdite të kemi reshje lokalisht mesatare, shoqëruar këto edhe me shtrëngata. E diela do të ketë një mot më të kthjellët dhe do të ketë vetëm luhatje të vranësirave dhe kthjellimeve të herë pas hershme.
Por, pasditja e sotme dhe dita e shtunë do të ngelen nën ndikimin e reshjeve të shiut. Do të ketë një rënie të lehtë të temperaturave me 2 ose 3 gradë, por jo problematike. Problematike për sot pasdite pritet që të jetë era në veri të vendit, “në Luginën e Drinit” që do të fryjë mesatare deri e fortë. Për të shtunën nuk do kemi prezencë të erës së fortë' tha ajo.
Ndërsa java e ardhme nis pa reshje.