Dy dekada pas themelimit, Lëvizja Vetëvendosje duket se po përjeton edhe një dridhje politike, me anëtarë “të rebeluar”, siç vërejnë analistët.
Nga një lëvizje e pavarur opozitare, që nisi me protesta të fuqishme kundër kompromisit politik dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare, ajo u shndërrua në partinë më të madhe në Kosovë.
Por sot, kur është në kulmin e pushtetit, përballet me sfida të brendshme e të jashtme: kritika për stilin e qeverisjes, dilema mbi raportet me aleatët ndërkombëtarë dhe, së fundi, sinjale përçarjeje brenda strukturave të saj.
Vetë partia nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar mbi ndarjet mes anëtarëve të saj.
E, ato u bënë të dukshme në fillim të kësaj jave, kur ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, nga radhët e Vetëvendosjes, dha dorëheqje, pas zgjedhjes së bashkëpartiakut të tij, Dimal Basha, në krye të Kuvendit të Kosovës.
“Konsideroj se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit - institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari Qeveria - nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, tha Aliu.
Basha u kundërpërgjigj duke thënë vetëm se e “çmon kontributin e tij si aktivist në Lëvizjen Vetëvendosje”, por edhe punën e tij si ministër.
Ai tha se pakënaqësitë janë “të natyrshme”.
Ngjashëm, edhe udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha shkurtimisht se e “falënderon ish-ministrin Liburn Aliu për kontributin”.
Përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të bjerë në kontakt me Aliun.
Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se zgjedhja e Bashës si kryeparlamentar ka shërbyer vetëm si shkas për dorëheqjen e njërit prej themeluesve të Vetëvendosjes nga posti ministror.
Sipas tyre, pas këtij vendimi mund të fshihen edhe arsye të tjera që Aliu nuk i ka bërë publike.
Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, beson se dorëheqja e tij pasqyron mospajtimin me politikat e partisë, që e kanë shtyrë “drejt rebelimit”.
“… mirëpo, kjo nuk ka qenë arsyeja themelore; thjesht, momenti kur kupa është mbushur dhe nuk ka mbajtur më”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Edhe analisti Imer Mushkolaj, duke iu referuar burimeve brenda Vetëvendosjes, thotë se dorëheqja e Aliut nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e Bashës, por edhe me rezervat e tij ndaj disa vendimeve dhe drejtimeve të partisë.
“Është një shprehje e pakënaqësisë me mënyrën se si Vetëvendosje ka operuar deri më tash në qeverisje, ndonëse edhe zoti Aliu ka qenë pjesë e qeverisjes”, thotë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë./REL
Komente
