Elbasan- Aty ku formohen mësuesit e së ardhmes, nota kaluese jepej kundrejt rryshfetit, 150 deri në 200 euro për provim. Këtë e provuan hetimet e Prokurorisë së Elbasanit e cila urdheroi arrestimin e 7 pedagogë, 6 gra e një burrë, që morën eurot për të kaluar një studente në provimet e vjeshtës.
Pas një hetimi 3-mujor prokuroria nxori urdhër-arrestet te premten, 1 nëntor 2024, duke çuar pas hekurave gjashtë prej tyre ndërsa e shtata është shpallur në kërkim. Të gjithë janë pedagogë të fakultetit të Edukimit në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, i cili tashmë gjenden në vështirësi për të vijuar leksionet.
Policia bën të ditur se gjatë operacionit “Teza” u arrestuan në flagrancë Monika Hodaj, pedagoge e lëndës ‘Edukim gjinor ne fëmijërinë e hershme’, Beatriçe Gani e lëndës ‘Të mësuarit nëpërmjet lojës’, Florinda Tarusha, e Filozofisë së edukimit, Adrian Shingjergji, pedagog i lëndës Edukimi motorrik, Ornela Bilali, pedagoge e ‘Artit dhe krijimtarise’ dhe Zyhra Gripshi, pedagoge e lëndës ‘Puna me familjen dhe komunitetin’.
Pedagogia që ende nuk është arrestuar është Edlira Gugu, e lëndës "Letërsi për fëmijë". Pedagogia që ende nuk është arrestuar është Edlira Gugu, e lëndës "Letërsi për fëmijë"
Gjatë kontrollit në fakultet u gjetën dhe u sekuestruan tezat e provimeve të studentes 31-vjecare si dhe u përgjuan pedagoget në biseda me sekserin. Ndaj të arrestuarve rëndojnë akuzat "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike".
Këta shtetas me detyrë pedagogë kanë shpërdoruar detyrën, duke kaluar në mënyrë të parregullt në provime një studente 31 vjeçe, me qëllim për të përfituar shuma parash të cilat i ka marrë shtetasi Gazment Hodaj. Nga kontrolli në zyrat e pedagogëve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tezat e provimeve të studentes" informoi sot policia e Elbasanit.
Operacioni u kodua "Teza" dhe u nxit nga denoncimi në një emision investigativ. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan tezat e provimeve të studentes. Të 7 pedagogët janë të pezulluar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike".
Hetimet mësohet se kanë nisur gjatë sezonit të vjeshtës, pasi studentët kanë denoncuar marrjen e ryshfetit përkundër notës kaluese.