SHKODËR - Klubi i Futbollit Vllaznia ka zyrtarizuar largimet e Drejtorit Sportiv Tefik Osmani si edhe të trajnerit Thomas Brdaric. Humbja 4-0 në finalen kundër Egnatias dhe mundësia e shkuar dëm për të rikthyer në Shkodër titullin kampion të Superligës pas 24 vitesh, ka sjellë "furtunë" në kampin kuqeblu.
Së pasi shkodranët njoftuan largimin e Tefik Osmanit, korçarit që prej 18 muajsh ishte Drejtori Sportiv i skuadrës.
"KF Vllaznia bën të ditur se me mbylljen e sezonit ka përfunduar edhe kontrata me drejtorin sportiv z. Tefik Osmani. Në këto rrethana, e falenderojmë për punën e bërë këto 18 muaj që ka qenë pjesë e klubit tonë dhe njëkohësisht i urojmë suksese në karrierën e tij të mëtejshme", shkruan klubi shkodran.
Më pak se një orë nga ky njoftim, Vllaznia reagoi sërish dhe bëri me dije se ka zgjedhur mos vijojë kontratën as me trajnerin Thomas Brdaric.
"Vllaznia njofton mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Thomas Brdaric. Klubi e falenderon për kontributin e dhënë në krye të skuadrës tonë gjatë kësaj periudhe dhe i uron suksese në vazhdim të karrierës së tij", bëjnë me dije kuqeblutë.
50-vjeçari gjerman e kishte aventurën e dytë në Shkodër dhe që prej 26 prillit 2024 e drejtoi skuadrën duke e dërguar deri në ndeshjen e fundit të "Final 4", por pa mundur të marrë titullin kampion.
Komente
