Fushata e Serbisë për çnjohjen e Kosovës dhe angazhimi i diplomacisë vendëse

18 Janar 2023, 20:21| Përditesimi: 18 Janar 2023, 20:28

  • Share

Në faqen e internetit të ministrisë së Jashtme të Kosovës është një listë prej 117 vendeve që e kanë njohur pavarësinë e saj. Në listë ndodhet edhe emri i Togos, por në fillim të kësaj jave ministri i Jashtëm i këtij vendi afrikan tha në Beograd se shteti i tij ka tërhequr njohjen e shtetësisë së Kosovës, të cilën e kishte njohur në vitin 2014.

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se njoftimi për këtë është vazhdimësi e fushatës së Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, meqë Togo e ka tërhequr njohjen që në vitin 2019.

“Mbi të gjitha kjo tregon një qasje jokonstruktive të Serbisë përderisa jemi në një proces të ndjeshëm të dialogut”, tha ai.

Në fillim të vitit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës dhe po pritet të veprojë njësoj edhe shteti i dhjetë, pa saktësuar se për cilin vend bëhet fjalë. Por ky pretendim u mohua nga zëvendësministri Ahmeti.

“Ne nëpërmjet shërbimit tonë diplomatik por edhe me komunikime nga Prishtina me kryeqytetet përkatëse, kemi konfirmuar me secilën prej tyre që kjo nuk qëndron, ato e kanë demantuar atë. Unë nuk po them që në të ardhmen, duke pasur parasysh ndihmën që Federata Ruse i jep Serbisë në fushatën e saj diplomatike, një gjë e tillë nuk është e mundur, por sigurisht që deri tani nuk ka pasur sukses”, thotë Ahmeti.

Tërheqja e parë e njohjes së shtetësisë së Kosovës ndodhi në vitin 2017 nga Surinami. Drejtori i Institutit të Kosovës për Hartimin e Politikave, Lulzim Peci, i tha Zërit të Amerikës se që nga kjo çnjohje është parë angazhimi serbo-rus kundër shtetësisë së Kosovës.

“Sepse ministri i Jashtëm i asaj kohe i Surinamit para se të shkojë në Moskë ku ishte i ftuar nga ministri Lavrov dhe Putini, ka dashur të ia bëjë një si të them dhuratë Rusisë për shkak të një lloj angazhimi të vogël në këtë shtet. Pas saj kanë ndodhur edhe nëntë çnjohje të tjera deri më tani, por tutje nuk ka pasur më, pra ne nuk kemi pasur asnjë çnjohje që nga marrëveshja e Uashingtonit”, thotë ai.

 

Synimi i Serbisë, thotë ai, është të krijojë një lloj propagande që shtetësia e Kosovës është e brishtë dhe e kthyeshme, për ta përdorur atë edhe në procesin e bisedimeve në Bruksel.

“Qëllimi final i Serbisë mbi të gjitha ka të bëjë që në Bruksel ta paraqes shtetësinë e Kosovës si një çështje të pambyllur dhe që të projektojë idenë që këto negociata po bëhen për shtetësinë e Kosovës dhe jo negociata për rregullimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, këtu është qëllimi i Serbisë dhe asgjë tjetër. Sepse statusi dhe shtetësia e Kosovës nuk varen nga njohja apo çnjohja e Serbisë, por nga efektet që i ka prodhuar deklarata e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga bashkësia ndërkombëtare”, thotë Peci.

 

Ai shpreh shqetësimin se autoritetet e Kosovës nuk janë angazhuar sa duhet për të kundërshtuar këtë propagandë, të cilën zëvendësministri Ahmeti thotë se diplomacia e Kosovës e lufton në punën e përditshme.

“Mendoj që edhe qeveria e tanishme por edhe të kaluarat nuk kanë ndërtuar një narracion por edhe një sistem komunikimi të koordinuar brenda dhe jashtë për t’u përballur me këtë propagandë dhe këto veprime të përbashkëta serbo-ruse, mos të harrojmë janë serbo-ruse, nuk është vetëm Serbia, është Serbia dhe Rusia që janë bashkë në këtë lojë. Rusia i ka interesat e veta, Serbia ka interesat e veta, por ato po përputhen në këtë rast”, thotë Peci.

 

“Është puna e përditshme që e bëjmë qoftë nga Prishtina por edhe nëpërmjet misioneve tona diplomatike. Të gjitha vendet të cilat na kanë njohur ne i mbulojmë qoftë me ambasadorë rezidentë apo me akreditime dytësore, gjithashtu kemi marrëdhënie edhe me vende që ende nuk e kanë deklaruar njohjen e Republikës së Kosovës dhe me një numër të tyre po thellohen ato”, thotë Ahmeti.

 

Përgjatë ditëve të para të janarit diplomatët e Kosovës në disa vende të botës u takuan me diplomatët e disa shteteve për të cilat Serbia pretendon se i kanë tërhequr njohjet si Somalia, Maldivet, Gaboni dhe Eswatini.

Profesori për paqe dhe studime të konflikteve në Universitetin e Dublin-it në Irlandë, Gëzim Visoka, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se koncepti i çnjohjes së një shteti është i pakuptimtë përderisa nuk ka ndryshuar asgjë nga rrethanat në të cilat është njohur. Kjo është edhe arsyeja sipas zëvendësministrit Ahmeti që Togo ende figuron në listën e vendeve njohëse.

“Çnjohja nuk ka kuptim as politik por edhe ligjor e normativ kur shteti i prekur ekziston si i tillë, gëzon sovranitet dhe nuk kanë ndryshuar rrethanat origjinale ose themelore të njohjes. Në këtë kuptim çfarë po shohim me fushatën e Serbisë për cnjohje janë veprime të njëanshme politike të vendeve të treta të cilat janë të ndikuara, paguara por edhe stimuluara nga Serbia dhe aletatët e saj për të nëncmuar, nënvlerësuar por edhe zvogëluar hapësirën diplomatike të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, thotë ai.

 

Megjithëse tërheqja e njohjeve nuk prek në thelb shtetësinë e Kosovës, thotë zoti Visoka, ajo duhet të trajtohet seriozisht për shkak të pasojave që mund të sjell në rrafshin ndërkombëtar për Kosovën.

“Synimi i Serbisë me çnjohjet për Kosovën është sjellja e numrit të votave nën dy të tretat e nevojshme për çdo anëtarësim dhe krijimi i një situate të tillë ndërkombëtare ku Kosova nuk gëzon mbështetje të mjaftueshme për anëtarësim qoftë në Interpol apo në agjenci të OKB-së ose trupa të tjera ndërkombëtare. Pasojat tjera janë të karakterit simbolik por edhe ligjor e ekonomik”, thotë ai.

 

Autoritetet në Kosovë duhet të ndërmarrin një fushatë aktive të ruajtjes së marrëdhënieve dypalëshe me shtetet njohëse thotë ai.

“Ndoshta duke krijuar edhe një agjension shtetëror për ndihmë ndërkombëtare, ta zëmë ta quajmë KosAid dhe përmes tij të rrisim bashkëpunimin ndërkombëtar me vendet e treta, bashkëpunim jofinanciar për shkak se e dimë që Kosova nuk ka mundësi të ofrojë ndihmë financiare por ka mundësi të shkëmbejë përvoja dhe të ofrojë mbështetje teknike, që do të ishte ndoshta e mjaftueshme për të mbajtur gjallë këto marrëdhënie dypalëshe”, thotë Visoka.

 

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 me mbështetjen e fuqive kryesore perëndimore, por të dyja palët janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve./ VOA

F.D/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?