Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës u ndërpre për shkak se PD braktisën sallën duke bërë që të mos jetë kuorumi i duhur. Ka qenë Partia Social-Demokrate fillimisht që ka hedhur akuza se projekt vendimet po bëhen për fushatë dhe grupi i këshilltarëve ka braktisur mbledhjen.
Menjëherë pas kësaj lëvizje të këshilltarëve të Tom Doshit, grupi i këshilltarëve të PD-së ka kërkuar 5 minuta pushim, por më pas vendosi bojkotin e këshillit. Në mbledhje u miratua vetëm ndihma ekonomike, ndërsa pikat e tjera nuk u diskutuan sepse nuk kishte kuorum.
Anëtarët e PS e cilësuan si të papranueshme sjelljen e kolegëve të PSD dhe PD, duke thënë se ata në fakt nuk braktisën mbledhjen e këshillit, por qytetarët shkodranë që iu kanë dhënë votën. Ata kërkuan kthimin e anëtareve të PSD, duke thënë se projektvendimet prekin drejtpërdrejt qytetarët.
"Ne si anëtarë të këshillit bashkiak kemi ardhur të gjithë me votën e qytetarëve, që do të thotë nuk janë përfaqësues vetëm të partisë së tyre, por të qytetarëve. Përtej referimit që bëri më përpara, kryetarja Shestani që nuk rezulton ashtu, ne të gjithë kemi projektvendimet. Janë projekt vendime që duhen për qytetarët dhe nevojat e tyre. Të braktisen ato projektvendime të rëndësishme që i presin qytetarët është e paimagjinueshme. Nuk ka lidhje në cilin krah politik është por nuk duhet të harrojmë se kë përfaqësojmë. Nuk kanë bërë bojkot kanë braktisur qytetarët. ndihem keq para qytetarëve shkodrënaë", tha anëtarja e PS Alda Mehmetaj.
Një ndër pikat më kryesore të dërguara për miratim në mbledhjen e këshillit bashkiak ka qenë ai i menaxhimit të plazheve publike nga Bashkia Shkodër në plazhin e Velipojës, pikë e cila lë peng menaxhimin e hapësirave për pushuesit, ku siç e parashikon ligji një pjesë e hapësirave do të menaxhohet nga shteti me cmime konkuruese ndaj privatit dhe duke ofruar zgjedhje për pushuesit.
Kjo braktisje e mbledhjes së Këshillit Bashkiak nga PSD duke lënë të vetëm të majtët, vjen edhe pas disa shkarkimeve të drejtorëve rajonal të PSD në qarkun Shkodër, përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Në total ishin 18 pika në rendin e ditës, por u miratuan vetëm të parat si fondi 6% për shkurtin dhe marsin, qiraja e banesave sociale, strehim emergjent i një familje dhe një ndihmë financiare për dëmet e shkaktuara nga zjarri në një familje.
Komente
